Kryeministri Edi Rama ka thënë se do ta bëjë vaksinën ditën e sotme, për të qetësuar shqiptarët që mendojnë se vaksina nuk është e sigurt.
Ai tha gjithashtu se ministrja e Shëndetësisë dhe kabineti nuk ka për të bërë vaksinën, por do të presin radhën si gjithë të tjetër.
“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurt, por që vaksina është arma asgjësuese e këtij armikut të padukshëm dhe për t’iu thënë të gjithëve që dokrrat e çipeve, modifikimit të ADN-së, e me transformime të ilirëve vikingë apo në aziatik, janë qesharake.
Siç e kanë bërë edhe kolegë të mitë do ta bëj edhe unë.
Ndërsa ministrja e shëndetësisë dhe anëtarë e kabinetit janë njëlloj si të tjerët dhe nuk kanë pse të hyjnë përpara dhe të marrin atë që u përket.
Nuk mund ta bëjë ministrja e Shëndetësisë as të tjerët.
As unë nuk do ta bëja, por meqë kemi një grup konspiracioni të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mirë, nuk do të dëshiroja që t’i zija rrallën askujt, por do ta bej sot vetëm për këtë arsye.
Do ta bëj siç e kanë bërë edhe kolegët e mi që drejtojnë vendet e tjera. Nuk do dëshiroja që të ti zija radhën atyre që duhet ta bëjnë më parë.
Do ta bëj sot vetëm për të vërtetuar të gjithë shqiptarët”,- tha Rama.