MENU
klinika

"Nuk ia kthejmë shpinën Kosovës"

Rama: Një sasi do jetë për personelin e spitalit në Prishtinë

01.01.2021 - 12:45

Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur indinjatën me Bashkimin Europian që siç tha ai nuk ndihmoi vendet e Ballkanit për vaksinën e COVID-19.

Rama e cilësoi vendimmarrjen e BE, absurde e të papranueshme moralisht, teksa tha se nuk do ia kthejmë shpinën Kosovës.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se në Kosovë do të nisë vaksinimi njësoj si një Shqipëri pasi një sasi dozash do të shkojë për personelin e spitalit COVID në Prishtinë.

“Ju bëj me dije, po ashtu, se kemi garantuar ditët e fundit dhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash, gjysmën e parë të janarit. Nuk mund t’i përmend emrat sepse sot nuk e dimë se dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do ndikojë apo jo me finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana e dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë kur ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë”, tha ai.

Njëkohësisht me dy shtete të tjera po negociojmë për një sasi tjetër vaksinash nga Pfizer dhe Astra Zeneca. Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultati ne këtyre negociatave. Padyshim do t’ju informojmë menjëherë nëse dhe kur do të finalizohen. Por jam tejet falënderues ndaj tyre sepse as njëri dhe as tjetri nga këto dy vende nuk hyjnë tek më të pasurit e Europës por kanë pasur bujarinë që t’i konsiderojnë seriozisht lutjet tona. E kemi kapërcyer kështu besoj në kohë rekord për pozicionin tejet të difavorshëm nga u nisëm hendekun që hapi në mes të Europës vendimmarrja absurde e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme edhe logjikisht e BE. Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si europian jam ndjerë i turpëruar, ndërsa si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndjehen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë në këtë luftë botërore me rreziku ne vdekjes. I hymë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tokë pa asnjë ndihmë nga BE-ja dhe ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit ne nuk do ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritjen dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Pa diskutim që nuk ia zgjidhim dot krejt këtë hall të madh motrave dhe vëllezërve tanë në anën tjetër të kufirit por nuk do të ngurrojmë tua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi filluar të zgjidhim për vete.
Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha në spitalin COVID të Prishtinës në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë në Tiranë. I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë të komunikojë menjëherë me homologun në Kosovë për të mundur të vendosim sasinë e mundshme për personelin e spitalit COVID të Prishtinës. Sado që as nuk jemi të pasur, as nuk kemi kaluar në këtë det ku vazhdojmë ecim në këmbë, ne shqiptarët nuk e kemi pasur në traditë, nuk mund ta kemi dhe nuk duhet ta kemi kurrë pjesë në mënyrën tonë të të jetuarit as në këtë botë egoiste kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë apo kur na bie i njëjti hall me tjetrin”, deklaroi Rama.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Marrëveshje për bujqësinë dhe administratën publike

Rama në Hungari: 350 milionë euro investime hungareze në Shqipëri

"Kemi pasur Mbretëreshën nga Hungaria!"

Rama batuta me Orban për “këpucët e mërzitshme”

"Shikojmë pengesa politike! E vështirë për t’i kaluar"

Kryeministri i hungarez: Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE

Dy qarqet ku do të aplikohet votimi elektronik

Parlamentaret 2025/ Celibashi i dërgon letër partive politike!

“Sa më shumë kalojnë ditët, dhimbja duket se rritet”

Edlira Çepani prek me fjalët për Gert Bogdanin: Ti e fitove betejën tënde