Në 10-vjetorin e vrasjes së katër protestuesve para Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, edhe sot rituali do të jetë i njëjtë.
Në Kryeministri janë ftuar familjarët e viktimave, të cilët qeveria i ka shpallur dëshmorë dhe kanë përfituar nga ndryshimi i ligjit për dëshmorët e atdheut të ndryshuar në vitin 2018. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, u vranë gjatë protestës së opozitës më 21 janar 2011.
10 vite pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, nga Belshi sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, u bëri thirrje qytetarëve të mos harrojnë kush qëllon mbi popullin dhe nuk paraqitet kurrë para drejtësisë, madje gradohet.
“Mos harroni të kujtoni që Partia Demokratike me Sali Berishën dhe këtë kollovarin aktual, kanë vrarë për të mbajtur pushtetin. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë që nesër 10 vite më parë, Sali Berisha urdhëroi të qëllohej mbi popullin e vet dhe Lulzim Basha, si ministër i Brendshëm i asaj kohe nuk mori asnjë përgjegjësi, madje u gradua nga Sali Berisha në krye të Bashkisë së Tiranës duke vjedhur votat.”
Duke kujtuar edhe rastin tragjik të vrasjes së Klodian Rashës, Balla tha se qëndrimi i PS-së vendos standardin e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm edhe pse pa përgjegjësi direkte, ndërkohë inkurajon drejtësinë të bëjë drejtësi:
“Gjithë të rinjve e të rejave që këto u duken histori unë dua t’u them se Partia Socialiste e Shqipërisë, në rastin e vrasjes tragjike të Klodian Rashës, mbajti një qëndrim të fortë duke i kërkuar drejtësisë të bëjë drejtësi dhe kjo e fundit po bën drejtësi. Por, edhe pse pa përgjegjësi direkte, ministri i Brendshëm dha dorëheqjen. Sepse ky është standardi i vendosur nga PS-ja. Kur Saliu urdhëronte dhe Basha ekzekutonte në 21 janar 2011, Basha, jo vetëm që nuk mori asnjë përgjegjësi, jo vetëm që nuk shkoi kurrë para drejtësisë, por edhe u gradua. “Pas 10 vitesh drejtësia nuk është vënë. Drejtësia nuk mund të mjaftohet me 2-3 gardistë që shkrepën këmbëzën, ndërsa nuk u thirr ai që del në TV dhe deklaron se ka dhënë urdhrin për të qëlluar mbi popullin e tij”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla.