MENU
klinika

"Piktori i popullit"

Restaurimi: detajet e shtëpisë-monument

14.01.2021 - 16:57

        Shtëpia e vjetër, unike në Ballkan, piktorit Sali Shijaku, vijon të jetë në proces restaurimi. Kjo, pas tërmetit të fortë që goditi vendin, një vit më parë.

Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është një nga banesat karakteristike tiranase, monument kulture dhe sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa, restaurimi konsiston në zëvendësimin e traut kryesor, duke e punuar me metodat e vjetra të tharjes dhe të prerjes së trarëve, për të ruajtur elementët origjinalë të banesës.

“Faza e parë e restaurimit të çatisë do të vijojë me një fazë të dytë, që ka të bëjë me mbulesën e çatisë (hidroizolim, rregullimi i petravave, zëvendësim i tjegullave dhe dekorim i frizurës së jashtme të strehës së çatisë etj.) Restaurimit po i nënshtrohet dyshemeja në odën e zjarrit, por edhe element të tjerë, të hapësirës kryesore të banesës, deri te lyerja me gëlqere e saj. Po ashtu do të vendosen grilat dhe do të rregullohen dritaret në jug të banesës”, pohon ai. Kjo banesë e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase.

Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut. Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa çmime republike (1956, 1970, 1984, 1989).

Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat, 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Biografi

Sali Shijaku lindi më 12 mars 1933 në Tiranë, në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, të cilin e mbaroi më 1952, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë.

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.

Piktori Sali Shijaku e filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës. Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” (1953, GKA), “Kostum tiranseje” (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj. Vepra e “Piktorit të Popullit”, Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës. E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra. Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja “Mic Sokoli” 1969, e “shkëputi” artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe.

Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, “Nora e Kelmendit” 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983). Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive. Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.


I renditur sipas alfabetit ai është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare “si artist i një pikture të dhunshme, lirike dhe të zjarrtë. Kritika i referohet tablove “Heroi Vojo Kushi” “Luftëtari i Skënderbeut” dhe “Batalioni partizan Hakmarrja”, që aktualisht janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Artit Tiranë.

I klasifikuar mes artistëve më të mirë ndërkombëtarë, nga viti 1920 e deri në vitin 2006, si krijues me vlera përfaqësuese të kombit të vet, piktora e Sali Shijakut, gjeti shtratin e vet gjatë historisë, përmes abstraksionit, legjendave dhe gojdhënave, duke u përshtatur me realitetet aktuale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqipëria, rajoni i 21-të i Italisë"

Vëmendja e mediave italiane zhvendoset në Shqipëri