MENU
klinika

Gara 12-orëshe

Rossi ngjitet në podium me Ferrarin

11.01.2021 - 13:42

Valentino Rossi e mbylli në vendin e tretë aventurën e tij në kategorinë ProAm në garën 12-orëshe të Bahrein. Piloti italian i Moto GP garoi me makinën Ferrari 488 GT3, bashkë më vëllanë e tij Luca Marini dhe mikun e ngushtë Alessio Salucci.

Ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj gare, Rossi u klasifikua në vendin e katërt. Një rezultat i mirë i treshes italiane, që nuk bënë asnjë gabim gjatë garës. Madje ata rikuperuan katër pozicione, duke qenë se u nisën nga vendi i shtatë.

“U argëtuam dhe arritëm të ngjitemi në podium. Jemi të kënaqur, pasi kishte shumë rivalitet dhe makinat ishin të gjitha të shpejta. U treguam më të shpejtë në pjesën e dytë të garës, atë që zhvillohet gjatë natës. Ishte një përvojë fantastike” – tha Rossi.

Gara u fitua nga makina McLaren 720S GT3, e pilotuar nga treshja Abdulla Alkhalifa, Ben Barnicoat dhe Martin Kodric. Tashmë Valentino Rossi do të përqendrohet në garat e Moto GP, teksa këtë vit do të pilotojë Yamaha Petronas.