MENU
klinika

E dekoron Presidenti

Shkëlqim Muça merr titullin “Mjeshtër i Madh”

20.01.2021 - 17:14

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, ish-futbollistin legjendar të Tiranës, Shkëlqim Muçën.

Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta e publikon vetë këtë lajm duke deklaruar se Muça ka hyrë në historinë e sportit shqiptar:

“Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë. Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit” dhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin si titullar me ‘Shpresat’ në 1981, si kampionë të Ballkanit, për të vijuar me disa tituj Kampion dhe Kupa Republike me ‘Tironën vija-vija’.

Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushën e blertë, sulmues befasues dhe gjuajtës rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve.

Sportdashësit e viteve ’80 e mbajnë mend shumë mirë kur bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme për kundërshtarët, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.

Pa harruar kontributin e tij të vyer në fitoren 2-0 me Belgjikën e madhe të asaj kohe, ku padyshim ai mbajti një peshë shumë të madhe. Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta të arritura, si futbollist e si trajner, duke nderuar fanelën bardhë e blu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive, kisha sot kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën, me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti dekoron ekipin vlonjat

Mposhti Barcelonën, dekorohet Flamurtari

I jep titullin “Mjeshtër i Madh”

Meta vlerëson legjendën e Kombëtares!