MENU
klinika

Kosnett: Unë e di këtë sepse...

“Shkëmbimi i territoreve s’ka qenë dhe s’do të jetë kurrë…”

31.01.2021 - 18:53

Kosnett tha se ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë politikë e administratës së Donald Trump dhe nuk do të jetë politikë as e administratës së Joe Biden. Duke pasur parasysh se sa pak mbështetje ka në Kosovë ky skenar, ai tha se nuk pret që kjo të diskutohet në një të ardhme të afërt, trasnmeton Gazeta Express.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha se është i bindur se zotimet e bëra në Washington nga Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq në shtator janë ende në fuqi.

Kosnett pret që pas marrëveshjes në Washington të ketë bisedime të reja midis dy delegacioneve.
“Unë nuk mendoj se detyrimet e Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Hoti të marra në shtator nuk janë më në fuqi. Ne besojmë se këto detyrime do të mbeten në fuqi dhe do të mbesin të vlefshme. Siç thashë, jam i sigurt se do të ketë bisedime shtesë. Jo të gjithë janë të kënaqur me procesin që çoi në ato angazhime në shtator, dhe kërkesa ime është që njerëzit të përqendrohen më pak në procesin dhe politikën dhe të shikojnë se për çfarë janë angazhuar të dy qeveritë. Unë mendoj se këto janë gjëra që krijojnë një mundësi ekonomike për njerëzit në rajon dhe përmirësojnë lidhjet e transportit”.

Ambasadori amerikan në Kosovë tha se administrata e Joe Biden do të mbetet thellësisht e përkushtuar për përparim në Ballkanin Perëndimor, duke kujtuar fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se duartroket punën e bërë nga administrata e mëparshme e SHBA-së dhe emisari Richard Grenell në përpjekjen për të përmirësuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse shohim mbrapa gjatë njëzet viteve të fundit, unë mendoj se është e qartë se qëllimet e përgjithshme strategjike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan kanë mbetur të njëjtat, qofshin republikanët apo demokratët në Shtëpinë e Bardhë. Ne duam të shohim integrim më të mirë ekonomik në rajon dhe mundësi ekonomike për të rinjtë. Për Kosovën, ne do të dëshironim të shihnim marrëdhënie më të mira me fqinjët, por edhe marrëdhënie më të mira midis komuniteteve brenda Kosovës. Ne duam të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit. Lufta kundër korrupsionit, të madh dhe të vogël. Pra, në një kuptim më të gjerë, politikat tona nuk po ndryshojnë aq shumë dhe ne po përpiqemi ta ndihmojmë Kosovën të bëhet një vend më i vetë-qëndrueshëm, i prosperuar dhe paqësor”, tha ai për mediumin serb, Radio KiM.

I pyetur nëse ekzistonte mundësia e ndryshimit të kufijve, përkatësisht shkëmbimi i territoreve në tryezën e negociatave, Kosnett tha se nuk ka parë që kishte oreks për një gjë të tillë në Kosovë, madje as në mesin e komuniteteve pakicë. Ai gjithashtu theksoi se shkëmbimi i territoreve ose ndryshimi i kufijve “nuk ishte kurrë politikë e administratës së mëparshme”.

“Unë nuk besoj se do të jetë politikë, e di që nuk do të jetë politika e administratës së ardhshme. Unë e di atë, sepse ne gjithmonë kemi thënë se nuk do të përpiqemi ta zhvatim një marrëveshje për popullin e Kosovës dhe Serbisë. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët e këtyre dy vendeve, jo vetëm qeveria aktuale, por edhe qytetarët, ta kenë një zë në të ardhmen e tyre. Duke pasur parasysh se sa pak mbështetje ka në Kosovë për ndonjë shkëmbim të madh strategjik të territorit apo edhe ndryshim të kufirit, thjesht nuk mendoj se do të jetë fokusi i debatit në çdo kohë në një të ardhme të parashikueshme”.

Shtetet e Bashkuara presin zgjedhje të lira dhe të ndershme

Duke folur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett theksoi se pret që ato të jenë të lira dhe të drejta.

“Mendoj se në këto zgjedhje, si në çdo zgjedhje në demokraci, gjëja më e rëndësishme është që populli ta ketë të drejtën e votës. Shtetet e Bashkuara, si partnerët e tjerë ndërkombëtarë, po investojnë shumë energji për të siguruar që të ketë kushte të barabarta për të gjithë, që të ketë zgjedhje të lirë dhe të ndershme”.

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për votimin në komunitetin serb, Kosnett kujtoi raportin e Bashkimit Evropian të vitit 2019, për të cilin ai tha se ngriti shqetësime në lidhje me atë “nëse serbët e Kosovës në Kosovë me të vërtetë kanë një shans për t’i përfaqësuar votat e tyre”.

Mbështetje për Gjykatën Speciale

Kosnett deklaroi se qëndrimi i SHBA-së në lidhje me funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë është se ajo duhet të veprojë pa presion politik.

“Njerëzit të cilët janë thirrur në gjykatë, si dëshmitarë ose nën hetim, duhet të bashkëpunojnë me të, ashtu si shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës që u paraqitën para gjykatës”, tha Kosnett.

Ai mendon se, edhe pse mendimi mbizotërues në mesin e popullatës shumicë në Kosovë është se Gjykata u përqendrua vetëm te anëtarët e një komuniteti, ende ekziston bashkëpunimi.

“Unë mendoj se shumë njerëz kryen krime në Ballkan në vitet 1980 dhe 1990, njerëz nga më shumë se një komunitet. Qeveritë në rajon, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, nuk duhet të hezitojnë. Ata nuk duhet të hezitojnë të kërkojnë drejtësi, në çdo drejtim. Unë mendoj se fakti që, megjithëse shumë njerëz në Kosovë nuk e pëlqejnë Gjykatën Speciale, fakti që ajo punon është një shenjë se Kosova nuk ka frikë të kërkojë drejtësi në të gjitha kuptimet”, tha Kosnett.

Duke folur për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, ai vuri në dukje problemin e mosnjohjes së gjuhës së palës tjetër.

“Unë mendoj se nëse vërtet dëshironi ta kuptoni mentalitetin dhe kulturën e fqinjëve tuaj, ju gjithashtu duhet ta kuptoni gjuhën, duke mos marrë parasysh faktin që Kushtetuta e Kosovës thotë qartë se ekzistojnë dy gjuhë zyrtare dhe se njerëzit duhet të kanë të drejtë të jetojnë në të dy gjuhët”. /Express/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Askush nuk duhet të jetë i lirë nga hetimet'

Ambasadori amerikan: Luftimi i korrupsionit është detyrë e…

"Le ta bëjmë 2021 vitin e shpresës!"

​Ambasadori Kosnett: 2020 ka qenë një vit tragjedie