MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Shqipëria, që nuk e njohim dhe nuk duam ta shohim

05.01.2021 - 18:08

Nga Ben Andoni

Vrasja e fundit e dy motrave dhe lajmet që po dalin nga hetimet dhe prononcimet e të afërmve kanë nxjerrë nivelin e frikshëm të problemeve sociale në vend.

Një vrasës me punë të zakonshme zanati por me pasuri dhe me dukje jo të zakonshme, sipas dëshmitarëve, trafikon para syve indiferentë së të gjithëve, shkatërron familje…dhe në fund e të vret.

Ky sulltan lokal i jep të drejtën vetes edhe të deklamojë natyrshëm historinë, që do t’ia kishte zili çdo studio filmike.

Muaj më parë, një familje besimtare pothuaj u shua pas ritualeve, që i kishte përcjellë deri në ekstrem, sërish para syve të të gjithëve. Mu para njerëzve të afërm që i kishte abandonuar dhe të tjerëve që i mënjanonte.

Do të mjaftonte vdekja sërish e dy pjesëtarëve, njëra prej ditësh si kufomë e lënë në shtëpi, që publiku të kishte përballë një histori të frikshme horrori.

Të vjen të habitesh, që ndërkohë tashmë ka një armatë të tërë punonjësish e specialistësh socialë, që flasin me kopetencë për çdo gjë por pa na lajmëruar dot. Jo shumë larg në kohë, një djalë i ri do të vritej thjesht për shkëmbimin e dritave.

Për të mos thënë zëniet e përditshme, një pjesë me motivin “klasik” shqiptar: Me kë parë me inat! A e njohim vallë këtë Shqipërinë tjetër?!

Lamë dekadën e dytë të shekullit XXI me aspiratat e pamundura për t’ia bashkëngjitur Bashkimit Evropian, prioritet e të cilës shkojnë që nga ruajtja e statuskuosë me Rusinë, problemin e emigrantëve, plakjen e popullsisë, zbrazjen që po i bën vendeve të varfra si Shqipëria dhe Ballkani dhe po i afrohemi pak e nga pak periudhës si kohë, që po e barazon kohën e kaluar në Socializëm.

Ende e kemi si pikë reference për të gjitha dështimet tona, ashtu si e anatemojmë me të gjitha fuqitë, një epokë të harruar.

Ndërkohë tranzicioni ynë ka mbaruar, që me kushtetutën e re, tashmë jemi një shtet me tagrin e madh të fjalës së lirë dhe sipërmarrjes, e lëvizjes ngado.

Veçse me një handikap të frikshëm, që pak a shumë përbën produktin që i bëjnë Rrezet X gjendjes sonë: Korrupsionit, zvetënimit moral të frikshëm, paqartësisë për sistemin që na duhet dhe manipulimin e çdo gjëje të drejtë, në favor të forcës dhe mbijetesës së padrejtësisë.

Ja pse në Shqipëri trafiku i fëmijëve dhe femrave, droga që është përhapur aq frikshëm si prodhim dhe shitje (pa harruar eksportin), manipulimi quhen normal.

Pasi duhet të jetojë llumi para asaj shtrese që mban në kurriz të gjithë hallet e vendit tonë dhe që politikanët prej Ramës, Bashës, Metës e me radhë ia thyejnë kurrizin me fjalët dhe masat për taksat e lodhshme, me monopolet që kanë hequr çdo barazi dhe mbi të gjitha shthurjen e familjes.

Kjo është Shqipëria e vërtetë, që nuk e njohim dhe nuk duam ta shohim dhe që na e vënë në dukje vazhdimisht të huajt me stigmën nëpër filma dhe art por edhe me përgjigjet kinse demokratike…që duhet ende të përmbushni kushtet për në BE. (Javanews)