MENU
klinika

CNN zbulon të panjohurat

Si do të bëhet dorëzimi i valixhes bërthamore nga Trump te Biden?

19.01.2021 - 19:23

Presidenti në largim i SHBA-ve Donald Trump nuk do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e inaugurimit të Joe Biden.

Megjithatë mungesa e tij nuk do të ketë ndikim në atë që konsiderohet si çasti më i rëndësishëm i Ditës së Inaugurimit, dorëzimit të valixhes bërthamore, raporton CNN.  

Sjellim  në vëmendje që valixhja përmban pajisjet që i duhen Shefit të Shtëpisë së Bardhë për të vërtetuar urdhrat e tij dhe për të nisur një sulm bërthamor. Ajo mbahet nga një ndihmës, një personel ushtarak që e shoqëron presidentin deri në sekondën e fundit para largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Zakonisht, gjatë ceremonive valixhja i është dorëzuar një ushtaraku që ndodhet pranë presidentit që bën betimin, por të mërkurën ceremonia do të ndryshojë. Kjo pasi Trump pritet të largohet për në Florida para se të nisë ceremonia e inaugurimit të Biden.

Sipas gjasave, valixhja do të udhëtojë me Trump-in, çka do të thotë se do të ketë dy valixhe në dy vende të ndryshme. Ka masa për të siguruar një tranzicion pushteti pa ndërprerje nga njëri president te tjetri pavarësisht rrethanave, bën me dije Stephen Schwartz, një anëtar i moshuar në Buletinin e Shkencëtarëve Atomike.

“Ekzistojnë të paktën tre-katër valixhe identike. Një ndjek presidentin, një ndjek zv.presidentin dhe një qëndron e ruajtur, për t’iu dorëzuar pushtetarit më të lartë në evente si përurime apo fjalime në Kongres”, shprehet ai.

Më 20 janar, Biden do të marrë ose valixhen e Pence, ose ndonjë tjetër, të përgatitur nga Zyra Ushtarake e Shtëpisë së Bardhë posaçërisht për të”,  shton Schwartz.

Për më tepër, nga Presidenti kërkohet të mbajë me vete në çdo kohë një kartë plastike të njohur si “biskota” . Biskota përmban kode alfanumerike që përdoren për të identifikuar presidentin, i cili mban autoritetin e vetëm ligjor për të autorizuar një sulm bërthamor.

Ndryshe nga ç’besohet nga një pjesë e popullsisë valixhja nuk përmban një buton ose kode që mund të lëshojnë automatikisht një armë bërthamore, por ka pajisjet dhe autorizimet që presidenti mund t’i përdorë për nisjen e një sulmi.