Gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka pasur reshje dëbore, kryesisht në zonat Dedaj-Razëm, Bajram Curri-Valbonë. Ndërkohë ARRSH thotë se grupet e punës kanë qenë në terren dhe rruga është e hapur.
Ndërkohë në segmentin Fushë Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh. Ndërkohë bëhet e ditur se kompania e mirëmbajtjes po punon dhe qarkullimi vazhdon normalisht.
Në rajonin jugor ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ku si pasojë ka pasur rënie gurësh në aksin Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh, por rruga është pastruar menjëherë. Në segmentin Qukës-Pishkash ka prurje të aluvioneve vazhdimisht. Ndërkohë po punohet për pastrimin e plotë të rrugës me mjete e punëtorë.
ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën .