MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të mbrojmë lëkurën gjatë dimrit?

18.01.2021 - 10:24

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Si të mbrojmë lëkurën gjatë dimrit?

Mjeku: Gjithmonë jemi të ndjeshëm ndaj agjentëve të jashtëm atmosferikë, por në stinën e dimrit i ftohti i tepërt sjell pasoja negative, sidomos kur bëhet fjalë për lëkurën. Fytyra dhe duart janë padyshim pjesa më e riskuar nga i ftohti dhe era, duke sjellë për pasojë skuqje dhe tharje të lëkurës. Në rast se tregohemi neglizhentë, rezultati do të jetë ai i një lëkure të dehidratuar dhe aspak të shëndetshme, të skuqur të tharë e gati-gati të mavijosur dhe me shenja.

Cilat janë dëmtimet që pëson lëkura me uljen e temperaturave?

Në stinën e ftohtë agjentët atmosferikë veprojnë “rëndë” në lëkurë, sidomos në pjesët e zbuluara, siç është fytyra dhe duart, por dhe në gjithë siperfaqen tjetër të saj të veshur. Ato dëmtojnë kryesisht shtresën e sipërme të lëkurës ose epidermën, e cila ka si funksion të kryejë shkëmbimin e lëndëve me ambientin e jashtëm nëpërmjet balancave hidrolipidike të saj. Temperaturat e ulta, era dhe i ftohti në përgjithësi dëmtojnë këtë ekuilibër hidrolipidik të lëkurës dhe shtresat e epidermës. Lëkura bëhet e ashpër, e thatë, me skuama të dukshme në trajtën e krundeve, me ragade ose të çara kryesisht në duar.

Çfarë kujdesi rekomandoni në këtë periudhë?

Në këtë periudhë rekomandohet shumë përkujdesja për lëkurën, kryesisht për atë të fytyrës e cila është në kontakt të vazhdueshëm me agjentët atmosferikë (i ftohti, era). Ne rekomandojmë përdorimin e kremrave në mbrëmje ushqyes dhe me emolientë, për të ruajtur balancën e cila rrezikon të prishet nga agjentët atmosferikë dhe gjatë ditës kremrat duhet të jenë sërish emolientë, por të pasur edhe me faktor mbrojtës.

Faktori mbrojtës gjatë ditës mbron lëkurën nga dielli i cili ndonëse nuk ka forcën dhe rrezatimin që mund të ketë në stinën e verës, sërish përbën rrezik për lëkurën e fytyrës sonë. Efikase për këtë periudhë janë disa trajtime që i bëhen lëkurës së fytyrës, si: peeling kimik, mezoterapia, mikroderboabrazion, lazer-terapia etj, të cilat nëse aplikohen në verë, dielli e dëmton edhe më shumë lëkurën, ndërsa dimri është periudha ideale për to.

Gjithashtu në këtë periudhë trajtohen mjaft mirë shenjat post-akne, melazmat (njollat kafe), rrudhat e dhe dëmtimet e tjera të plakjes, keloidet, djegiet etj. E thënë me pak fjalë, kjo periudhë është shumë favorizuese përsa i përket kryerjes së këtyre procedurave dermo-kozmetike.

Çfarë nuk rekomandohet të bëhet në këtë periudhë?

Në përgjithësi në dimër nuk rekomandohet qëndrimi jashtë për kohë të gjatë. Nëse je i detyruar të rrish, atëherë duhet të mblidhesh me shall, dorashka, kapuç, si dhe të krijosh kushte që lëkura të mos ngrijë. Në kushte ekstreme të temperaturave mund të ndodhë edhe hapja e plagëve ose mund të ndodhë ajo që ne e quajmë gangrenizim i indeve, pasojë e vazokonstriksionit nga i ftohti. Nuk rekomandohet dalja nga një ambient shumë i ngrohtë në një ambient shumë të ftohtë, veshja e rrobave shumë të ngushta, sintetike e të holla.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.