MENU
klinika

Merr më shumë se PD-LSI bashkë

Sondazhi II Piepoli: Nëse votohet sot PS ruan shumicën

28.01.2021 - 14:11

Instituti italian Piepoli, publikoi të dhënat e sondazhit të dytë për zgjedhjet politike të 25 prillit.

Partia Socialiste sipas këtij sondazhi mbetet forca kryesuese dhe ka diferencë të madhe me PD dhe LSI edhe nëse ato i bashkojnë votat.

Nëse shqiptarët do të shkonin të votonin rreth 48- 52% e tyre do të zgjidhnin Partinë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike dhe LSI bashkë do të merrnin 35 deri në 43 % të votave. Më konkretisht PD 31 deri në 35 % ndërsa LSI 4 deri në 8%.

Një tjetër e dhënë sipas organizatorëve të këtij sondazhi është mënyra si do të shkojë opozita në zgjedhje, e bashkuar apo e ndarë. Nëse PD dhe LSI do të dalin me një listë të përbashkët, do të humbin 2% të votave në rang kombëtar nga zgjedhësit e tyre – thotë sondazhi.

Pavarësisht se Partinë Demokratike e drejton de jure Lulzim Basha prej afro 8 vitesh, demokratët duan ende Sali Berishën, ku 81% e votuesve të PD duan që Berisha të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Sondazhi i Piepolit tregon se Partia Socialiste ka shumicën e votave të kryeqytetasve, 49-53% e përkthyer në mandate 17 deri në 19 deputetë. Ndërsa Partia Demokratike do të merrte 33 deri në 37 % të votave në tiranë 12 deri në 14 mandate. LSI në kryeqytet pëlqehet nga 5-7% e votuesve dhe mund të marrë 1 deri në 3 mandate.

Gjithmonë sipas këtij sondazhi, partia e Jozefina Topallit Lëvizja për Ndryshim votohet nga 1 deri në 3% e shqiptarëve në rang kombëtar dhe renditet e 5-ta pas PDIU-së dhe lufton për mandat.

Në lidhje me vaksinimin dhe menaxhimin e pandemisë, shqiptarët janë shprehur të kënaqur me menaxhimin e COVID, vaksinimin dhe rindërtimin, por nuk kanë munguar kritikat për situatën e përmbytjeve apo darkën e ‘Nusretit’ nderkohe për vrasjen e të riut Klodjan Rasha, 55% e shqiptarëve shfajësojnë Qeverinë.

Në vizitën e fundit të zhvilluar në Turqi Kryeministri Edi Rama u prit me nderime të mëdha nga Presidenti Erdogan. Në lidhje me këtë vizitë të sondazhuarit janë shprehur disi të ndarë sipas Piepoli.

42 % e tyre thonë se janë ndjerë krenarë, ndërsa 30 % kërkojnë që Shqipëria vëmendjen duhet ta ketë të përqendruar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu edhe në rolin e ndërmjetësues në krizën Turqi-Greqi, 36% thonë se është propagandë politike dhe 48% mendojnë se rritet prestigji i tij personal dhe i Shqipërisë.