MENU
klinika

“Kujtohet” ish-presidenti

“Tifozi” Bamir Topi: Nuk mora ftesë për “Air Albania”

16.01.2021 - 20:51

I larguar nga politika aktive kohët e fundit, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kritikoi Kryeministrin Edi Rama për faktin se nuk i dha ftesë për të marrë pjesë në inagurimin e stadiumit “Air Albania” në nëntor të vitit 2019.

I ftuar në emisionin “Paso” në “Top Albania Radio”, ish-kreu i shtetit theksoi se ka kontribuar maksimalisht në futbollin shqiptar dhe është tifoz i madh i futbollit prej 60 vitesh dhe për kontributet e dhëna, meritonte të ftohej në ceremoninë e përurimit të stadiumit “Air Albania”.

“Duke e njohur shumë mirë jetën e sportit, nuk mund të jesh subjektiv. Unë kam sjellë në tribunën e stadiumit njerëz që nuk kishin shkelur ndonjëherë në stadium. Duke i mbrojtur me autoritetin tim, personalitetin tim, tek e fundit u kam nxjerrë fobitë.

Në momentin që inagurohet ‘Air Albania Stadium’, ish-Presidenti i Republikës që shkonte në çdo ndeshje, ka qenë edhe Presidenti i Tiranës që njihet edhe si njeri i sportit, e ka tërhequr  z.Rama në tribunën e stadiumit, kur ishte Kryetar Bashkie.

Rama kishte fobi nga tifozët e Tiranës dhe i kam dhënë leksione se si mund të harmonizoheshin gjërat, por nuk i çoi ftesë ish-Presidentit të Republikës. Problemi është që gabime të tilla veshin njerëz që nuk kanë ndonjë lidhje organike me sportin”, – deklaroi Bamir Topi.