MENU
klinika

Stavri Sinjari

“Virusi” A-Anticovid21

06.01.2021 - 17:00

Mos u trembni, ky titull duket si më i përshtatshëm sepse i reflekton të gjitha, çfarë mund të thuhet për refuzimin e vaksinës anticovid, si “virus” që ka filluar të përhapet në mëndjet tona. S’ka vend për frikë, prandaj ka thonjëza, se nuk rrezikon pandemi, por ka pasoja që duhen njohur e parandaluar.

Si fillim sqaroj titullin, një bashkim i shkurtuar termash, që përmbledh kuptimin e shkrimit.

Konkretisht, Covid19 dimë se është një virus, prej paraardhësit Sars, emrin e merr nga forma si e koronës, shumë agresiv dhe i rrezikshëm për jetën. Deri tani, ka infektuar mbi 60 milion njerëz, ka marrë rreth 2 milion viktima dhe pasojat e tjera janë të shumta në kufizimet dhe dëmet që po sjell, të paktën deri tani, në vitin e dytë 2021.

Përsëritja e fjalës, “A-Anti” dy herë, tregon një kundërti të dyfishtë. Me Anti-Covid-nënkuptohet tërësia e masave që janë ndërmarrë në luftën kundër virusit, me finalizimin e sapo arritur të vaksinës kundër tij. Kurse Anti-Anticovid është kundërshtimi që i bëhet vet vaksinës, pra “Kundër-Kundërshtarit të Covidit” ose më shqip, kundër vaksinës anticovid.

Nuk ka vend thënia se, armiku i armikut tim është miku im!

Le ta pagëzojmë me emrin, A-Acovid21 ose ndryshe “virusi” antivaksin.

Pas kufizimeve e karantinimit të gjatë, u krijua më në fund arma tjetër e posaçme, vaksina e shumëpritur. Madje në disa lloje, gati për t’i dhënë goditjen përfundimtare Covidit19, jo me një tyt arme por me breshëri vaksinash anticovid. Ne vazhdojmë të presim me durim fitoren përfundimtare ndaj virusit të tmerrshëm, zhdukjen e rrezikut të tij në jetët tona.

Ndërkohë u shfaq në horizont “virusi” i ri antivaksin; ka filluar të stacionohet, pa formë, pa përmasa; i dislokuar jo në mushkëri, as në organet e tjera jetike, por në mendjet tona. Shenjat e infeksionit prej tij janë të shumta, frika, dilema, pasiguria, mosbesimi, konspiracioni, shkurt, ka shenja të dukshme, ndryshe nga Covid19, që fshihet pas personave asimptomatikë. Por, shenja kryesore e infeksionit të të “prekurve” nga ky “virus” është mospranimi i vaksinës Anticovid19.

Si çdo risi, edhe krijimi i një vaksine të re, në çdo arritje të shkencës dhe teknologjisë moderne, për më tepër kur ka të bëjë me trupin tonë, ngjall natyrshëm dyshime për efikasitetin dhe  komplikacionet, rrjedhimisht lind tek çdo individ dilemën, ta bëj apo jo vaksinën?!

Kjo të kujton Lui Pasterin e madh, shpikësin e vaksinës para 150 vjetësh. Skepticizmi për tu injektuar me mikrobe të sëmundjes së lisë dhe tërbimit në trup të shëndoshë, ishte vetvrasje për njohuritë e kohës. Por pasi në publik, u bë eksperiment i hapur me bagëtitë e vaksinuara, atëherë ndryshoi opinioni për zbulimin e madh, pavarësisht se disa pasiguri mbetën. Pasiguri ka edhe penicilina, nëse kemi alergji ndaj saj.

Jemi në prag të një kthese, revolucioni në shkencën e mjekësisë dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit nga viruset. Shkenca, me vaksinën e re Anticovid, është futur brenda në qelizë, në vendstrehimin e virusit, dhe me inteligjencë vetvepron për izolimin e tij. Sigurisht, kemi paragjykimet tona, mungon njohja e plotë e efikasitetit dhe ndikimeve anësore të kësaj vaksine. Por gjykojmë dhe besojmë se, shkenca e sotme ka arritje mbresëlënëse në çdo fushë. Jemi po ata njerëz që rrethonin Lui Pasterin, dyshues dhe të pa vendosur, por me qindra vjet më tepër zhvillim e qytetërim.

Refuzimi i vaksinës A-covid19, është “virus” ngjitës por jo pandemik, sepse vetëm një pakicë preket prej tij; është i rrezikshëm por jo vrasës, sepse nuk vret vet, por e lë njeriun pasiv, të pambrojtur nga viruset vrasës; është kundërshtues por edhe i arsyeshëm, sepse nuk është antagonist dhe ka kundër argumente që duhen vlerësuar.

Është e vërtetë që mungon kohëgjatësia e përdorimit dhe efekteve të vaksinës së re, por është provuar në disa mijëra vullnetarë; kompanitë që e prodhuan janë me emër dhe meritojnë të fitojnë për mundin e shpenzimet, por kaq e vërtetë është se janë të interesuara për cilësinë e vaksinës së tyre; shumica që është pro vaksinimit nuk përbën kriter për të pranuar vaksinën, por as pakica s’mund ta ketë një tagër të tillë… e kështu mund të reshtojmë plot komente, mendime të ndryshme që na ndihmojnë të vendosim.

Mendimi i specialistëve të shëndetësisë dhe fushave të tjera, do na ndihmonte më shumë.

Në fakt është më lehtë të vendosësh për veten, por shumë e vështirë të vendosësh për ata që nuk vendosin dot vet, që të besojnë ty!

Kjo dilemë, të gjithëve na mundon më shumë!

Por edhe mëshirën e një virusi apo karantinimin e pafund, nuk mund ta pranojmë!

Të paktën le të zhdukim nga mendja tregimet fantashkencë me teoritë konspirative, të zhdukjes së popullsisë, të kontrollit shoqëror, me çipa vaksine, të tipit ”Big Brother”etj.

Njerëzit në shoqëri dinë t’i zgjidhin dilemat, e gjejnë rrugën e duhur, sikurse stereotipet e reja të jetës, që sapo kanë filluar.

Dilemat kanë vetëm dy alternativa, duhet zgjedhur njëra.

Do vijë një ditë e do kujtohemi për marrëzitë tona, por bota do ketë ecur vetëm përpara.

Për momentin, të përjetojmë ca kohë dilemën neo-hamletiane:” To do or not to do the vaccine”

Shpresojmë për “Yes” dhe “Po”.

05 janar 2021

Stavri Sinjari