MENU
klinika

Lamtumirë futboll i luajtur

Wayne Rooney “var këpucët në gozhdë”

15.01.2021 - 16:43

Viti 2021 nis me një tërheqje të bujshme nga futbolli aktiv. Wayne Rooney zyrtarisht largohet nga fusha si futbollist, për t’u përqendruar plotësisht në rolin e tij si trajner i Derby County. Te skuadra në fjalë angleze ka qenë në rolin e dyfishtë, lojtar-menaxher, muajt e fundit.

Klubi ka komunikuar detajet e marrëveshjes me ish-kapitenin e Manchester United. Një kontratë 2.5-vjeçare, në përpjekje për të ringjallur skuadrën, aktualisht e treta nga fundi i Championship, divizioni i dytë i futbollit anglez.

Në realitet, karriera e Rooney si lojtar kishte përfunduar në nëntor, kur, pas largimit të Philiph Cocu, ai u thirr të kompozonte kuartetin që drejtonte skuadrën me Shay Given, Liam Rosenior dhe Justin Walker.

Që atëherë, Rooney nuk ka luajtur më, duke preferuar të menaxhojë taktikat dhe strategjitë nga pankina. Gjë që tani mund ta bëjë në autonomi të plotë, mbështetur nga tre të tjerët që u përmendën më lart, të cilët do të jenë pjesë e stafit të tij.