Policia italiane do të udhëtojë drejt Tiranës, gjatë javës së ardhshme, për të zhvilluar një takim me kolegët shqiptarë në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Davide Pecorelli.
Pjesë e diskutimit do të jenë përgjigjet e analizës së ADN-së nga eshtrat e gjetura brenda automjetit “Skoda”, me të cilin po udhëtonte biznesmeni italian, shkruajnë mediat italiane.
Përveç eshtrave, në automjetin e djegur që u gjet në aksin rrugor Gjegjan-Reps, kishte edhe sende personale si ora dhe telefoni celular. Lëvizjet e fundit të biznesmenit në Shqipëri ishin pikërisht në aksin Gjegjan-Reps.
Ai mbërriti në Shqipëri më 3 Janar. Fillimisht shkoi në Vlorë, më pas në Shkodër e në Pukë, ku qëndroi për dy net. Gjurmët e tij u zhdukën në mesnatën e 6 janarit dhe nuk dihet ende nëse eshtrat e djegura të gjetura në makinën e djegur, i përkasin atij.
Ndërkohë, mediet fqinje zbulojnë sot dhe mesazhin e fundit të biznesmenit Pecorreli të zhvilluar me një mik sipërmarrës nga Altotiberino.
“Davide kaloi pothuajse të gjithë muajin dhjetor në Shqipëri. Në datën 15, ai më shkroi në WhatsApp: “Unë hapa një show-room në një qendër tregtare… Deri në datën 6 është luftë. Unë kam rezervuar biletën e kthimit për 10 janar”, mësohet të ishte biseda mes tyre.
Më 6 janar ishte dita e fundit kur partnerja e tij shqiptare, me të cilin ka një fëmijë dhe ish-gruaja me të cilën ka tre fëmijë, nuk ishte në gjendje ta kontaktojnë atë. Megjithatë, thirrjet në celularin e tij shkonin, por nuk përgjigjej askush.
Mediat italiane theksojnë se Pecorelli kërkoi që të zhvillonte biznes në Shqipëri dhe nuk dihet nëse zhdukja e tij, ka të bëjë me këtë.