MENU
klinika

"dialogu Kosovë-Serbi të mos zvarritet"

Ali Ahmeti: Albin Kurtin e presin sfida të mëdha

28.02.2021 - 11:24

Maqedonia e Veriut është duke pritur konstituimin e institucioneve në Kosovë për të vendosur për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se kjo mbledhje duhet të shfrytëzohet që të jetë në dobi të dy vendeve.

Ahmeti përshëndet procesin e rregullt të zgjedhjeve në Kosovë, të cilën e quan vlerë të çmueshme demokratike, derisa edhe uron kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për fitoren e 14 shkurtit. Ndërkohë, ai thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë një epilog përfundimtar, e jo të zvarritet.

“Për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që u krijuan në Kosovë nuk u arrit që kjo mbledhje të realizohet. Kështu që mbetet pas konstituimit të organeve në Republikën e Kosovës të vlerësohet momenti se kur do bëhet një mbledhje e përbashkët ndërmjet dy qeverive tona të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Është në dobi të dy vendeve tona, është një moment që duhet të shfrytëzohet dhe të jetësohet në dobi të qytetarëve të dy vendeve tona”, thotë ai.

Ahmeti shprehet se Albin Kurtin në qeverisje e presin sfida të vështira, duke nisur nga pandemia e deri te dialogu Kosovë-Serbi.

 “Uroj që zotëri Kurti në radhë të parë të ketë shëndet dhe tani me përballje që e presin sepse vjen në rrethana dhe situatë tepër të vështirë. Vjen në një moment që shumë çështje kërkojnë zgjidhje, duke filluar që nga sundimi i ligjit dhe deri tek zgjedhja e problemit përfundimtar mes palës së Kosovës dhe Serbisë. Kështu që po t’i prij shëndeti, nuk do t’i mungoj në instalimin e vlerave për të cilat ka fituar dhe është votuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ai për KosovaPress.

Duke përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, Ahmeti thotë se kjo është një vlerë shumë e çmueshme e cila duhet të vazhdojë.

“Është shumë e rëndësishme për opinionin vendor, rajonin dhe Evropën që zgjedhjet kanë shkuar për së mbari në një proces demokratik të pranueshme nga të gjitha palët konkurruese. Kështu që ka qenë një afirmim i vlerave këto zgjedhje që kanë bërë për opinionin vendor dhe ndërkombëtar. Uroj që kjo traditë për sëmbari të vazhdojë se është një vlerë tepër e çmueshme. Një vend demokratik vlerësohet nga zgjedhjet si i bënë dhe si organizon dhe a kontestohet nga palët konkurruese. Kështu që ky proces duhet të përshëndetet”, deklaron ai.

Ndërkaq, ai shton se problemi i Kosovës me Serbinë është problem i tërë rajonit dhe Evropës.

 “Problemi i Kosovës është problem edhe i rajonit, është problem edhe i Evropës. Pa zgjidhjen përfundimtare të problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e qetë edhe Evropa. Nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm as Evropa. Besoj që këto ndihma nuk do të mungojnë nga miqtë tanë dhe partnerët tanë ndërkombëtar, e në veçanti nga Uashingtoni dhe Brukseli për një zgjidhje dhe një epilog përfundimtar. Pasi duke i zvarritë gjërat sigurisht që lëndohen dhe proceset demokratike, apo të arriturat e deri tanishme. Jo vetëm të Kosovës, por edhe të tërë rajonit”, thotë ai

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN