MENU
klinika

Gjetja e makinës zbuloi vrasësit

Zbardhet vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier

20.02.2021 - 13:32

Policia e Fierit ka arritur të zbardhë ngjarjen ku u ekzekutua 40-vjeçari Shkëlzen Kastrati në Fier.

Burime zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim katër autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje mafioze.

Autorët të cilët janë shpallur në kërkim janë shtetasit: Albert Zaja, 37 vjeç; Elmir Tufa, 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë; Elson Xheçuka, 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

Të gjithë këta shtetas dyshohet se janë të përfshirë në një grup më të gjerë kriminal, si vrasës me pagesë. Policia dyshon se shtetasit e mësipërm, për më shumë se 2 muaj e kanë ndjekur viktimën në çdo lëvizje që ai bënte gjatë ditës.

Për të katërt autorët e dyshuar është dhënë masa “Arrest me burg” në mungesë, ndërsa Policia thotë se mund të jenë larguar nga Shqipëria drejt një vendi të Bashkimit Europian, prandaj ata janë shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjetet që dyshohet të jenë përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

“Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së. Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi në lagjen Sheq i Madh, ku 40-vjeçari Shkëlzen Kastrati u qëllua për vdekje brenda makinës së tij. Mësohet se Kastrati ka qenë në lëvizje me makinë në vendin e quajtur “Rotondo e Sheqit”, kur është qëlluar nga një person, i cili dyshohet të ketë qenë në një makinë tip “Range Rover”.

Pasi është qëlluar, Kastrati ka humbur kontrollin e automjetit dhe pasi ka ecur disa metra është përplasur me një tjetër makinë që po kalonte aty. Pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi, ndërsa dëshmitarët okularë kanë njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.

Sipas burimeve në vendin e ngjarjes, autorët kanë qëlluar disa herë mbi trupin e Shkëlzen Kastratit, duke përfituar edhe nga shpejtësia e ulët me të cilën ecte mjeti i viktimës. Për shkak se aty është rrethrrotullim, por edhe lagështira si pasojë e reshjeve kanë ndihmuar autorin të godasë në shenjë. Ndërkohë, dëshmitarët nuk kanë qenë të qartë në deponimet e tyre për Policinë.

AUTORËT

Autorët e vrasjes janë larguar nga vendngjarja me automjetin tip “Range Rover”, i cili u gjet nga shërbimet zjarrfikëse i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”, në fshatin Daullas. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë ka reaguar edhe Policia e Fierit. Brenda automjetit të djegur u gjet edhe një automatik me silenciator që dyshohet se është përdorur për të kryer vrasjen.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të datës 1 shkurt, ndërsa viktima udhëtonte me automjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targa AB871AN.

VIKTIMA

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua në mënyrë mafioze, në një kohë kur vendi në të cilin u vra ishte tepër i populluar. Një plumb mësohet se e ka prekur atë në pjesën e kokës, çka dyshohet t’i ketë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.

Dyshimet e para janë se ky shtetas ka qenë në përgjim nga autorët dhe të jenë ndjekur me kujdes të gjitha lëvizjet që bënte gjatë ditës dhe sapo është gjetur momenti, autorët kanë qëlluar mbi 41-vjeçarin.

Policia ka shoqëruar shumë dëshmitarë që mund të kenë parë skenën në të cilën ka ndodhur krimi si dhe ka marrë në pyetje shumë të tjerë. Vrasja e 41-vjecarit ka bërë që Policia të blindojë hyrjet e daljet e qytetit të Fierit, në nyjën me Tiranën, Patosin dhe Vlorën. Ata po kryejnë kontrolle në automjete me qëllim kapjen e autorit.

Kujtojmë se Shkëlzen Kastrati, 41 vjeç, njihet si një person i qetë dhe ka ndërtuar marrëdhënie të mira me njerëzit rreth tij në qytetin Fierit ku edhe banon, por ekzekutimi i tij dyshohet të ketë lidhje me çështje të hapura të vëllait të vet. Ai është babai i katër fëmijëve dhe ka një biznes të vogël në qytetin e Fierit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN