MENU
klinika

Po SHBA çfarë kërkon?

BE ndërmjetës për rijetëzimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin

21.02.2021 - 15:41

Ne jemi duke studiuar propozimin e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell në një takim jozyrtar midis nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore iraniane të vitit 2015 mes SHBA, Gjermanisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një program televiziv, dje në mbrëmje.

“Ne po këshillohemi me partnerët tanë mbi këtë propozim, përfshirë Rusinë dhe Kinën”, theksoi ai duke shtuar, megjithatë, kërkesën që SHBA duhet të heqë sanksionet kundër Teheranit.

Duke iu referuar vizitës së djeshme në Teheran të shefit të IAEA, Rafael Grossi për të diskutuar vendimin e Iranit për të kufizuar hyrjen në inspektorët e agjencisë duke filluar nga e marta, Araghchi tha se misioni nuk ka ndryshuar asgjë.

“Ne do të zvogëlojmë inspektimet nga rreth 20 në 30%”, përsëriti ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar ndërkohë se e kanë pranuar një ftesë të Bashkimit Europian për një takim me Iranin që synon për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet për të rifilluar negociatat mbi marrëveshjen për programin bërthamor të Teheranit.

Njoftimin e sipërcituar e bëri zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Gjithashtu, SHBA me anë të një letre nga ambasadori i tyre në Pallatin e Xhamtë, kanë hedhur poshtë idenë e administratës Trump, sipas të cilit OKB duhej të vendoste sanksione të reja ndaj Iranit.

Në një tjetër lëvizje, kufizimet për lëvizjet e diplomatëve iranianë larg selisë së OKB-së në Nju Jork, të ashpërsuara konsiderueshëm nga administrata e Donald Trump, do të lehtësohen, njoftoi një tjetër zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.

Këto kufizime kërkonin që këta diplomatë si dhe shefi i diplomacisë iraniane të kufizoheshin në disa rrugë përreth selisë së OKB me anë të një itinerari shumë të saktë për të shkuar dhe rikthyer nga aeroporti “Kennedy”.

Lehtësimi i kufizimeve do t’u mundësojë atyre të kthehen në një situatë të mëparshme duke i lejuar ata të lëvizin lirshëm në Nju Jork dhe zonat përreth tij. Edhe më parë SHBA kishte theksuar se ishte e gatshme të takohej me Iranin për programin e tij bërthamor