MENU
klinika

Nga takimet elektorale te baret e restorantet dhe ora e re policore!

Çfarë masa të reja anti-Covid pritet të prezantojë Komiteti i Ekspertëve

10.02.2021 - 10:03

Nuk do të ketë një mbyllje të dytë. Kryeministri Rama hoqi çdo mundësi dje kur tha në mënyrë metaforike se ilaçi s’mund të bëhet më i dëmshëm sesa sëmundja.

“Nëse sëmundja kërcënon të të vrasë, një ilaç që të vret direkt nuk është ilaç. E them këtë sepse këtu është një kompleks i madh çështjesh që duhen mbajtur parasysh, është jeta e njerëzve, psikologjia e përgjithshme, ndërveprimi mes njerëzve, ekonomia, jeta e tyre e përditshme, në kuptimin e gjërave të vëmendshme etj.”

Masat

Edhe pse i është lënë si detyrë Komitetit të Ekspertëve të komunikojë vendimet, Kryeministri Rama paraqiti dje sfondin duke lënë të kuptohet se qëllimi nuk është tek ashpërsimi i masave, por te zbatimi i tyre. Në këto kushte ajo çfarë është e sigurt është që do të ketë rritje të gjobave për qytetarët që nuk mbajnë maskë dhe për bizneset që nuk respektojnë protokollet e sigurisë.

“Do të ketë një shtrëngim të masave patjetër, por këtu thelbi është dhe ata (Komiteti i Ekspertëve) insistojnë që duhen zbatuar masat që janë. Nëse njësitë tregtare zbatojnë protokollet, nëse njerëzit vënë maskën, ora policore respektohet, lokalet nuk vazhdojnë ahengun, gjërat janë në rregull. Nëse të gjitha këto nuk bëhen, ne mund të shtojë masa të tjera e po nuk u zbatuan, është njësoj”, bëri të qartë kreu i qeverisë.

Prej disa javësh takimet elektorale janë kthyer në shqetësim dhe kërcënim për përhapjen e infeksionit. Urdhri i miratuar në nëntor ndalon grumbullimet mbi 10 persona në ambientet e mbyllura. Por përgjatë kësaj periudhe është vënë re që një masë e tillë jo vetëm nuk është respektuar, por është shkelur me të dyja këmbët. Por edhe në këtë rast mundësitë janë jo që të vendosen kufizime të reja, por që të rriten sanksionet për shkelësit.

“Nesër (sot) do presim konkluzionet e Komitetit Teknik të Ekspertëve e pastaj bashkë me adoptimin, çfarëdo qoftë që do sugjerojë Komiteti dhe me rishikimin e gjobave për lokalet, do të shikojmë dhe sanksionet për partitë politike, pa përjashtim. Të jeni të sigurt që çdo lloj denoncimi që do të bëhet publik nga çfarëdo takimi, i kujtdo qoftë, do të ndëshkohet. Do të ndëshkohen personalisht me gjobë që të gjithë ata që i bëjnë këto takime. Qofshin ministra, qofshin deputetë, qofshin opozitarë rrugorë, qoftë Presidenti, kushdo qoftë”, tha Rama. Ndërsa atakoi partitë, bizneset dhe qytetarët për mosrespektim të masave, Kryeministri nuk tha asnjë fjalë në asnjë moment për shkollat dhe linjat e transportit urban, të cilat po ashtu, janë vatra kryesore për përhapjen e infeksionit.

ORA POLICORE

Ekspertët po diskutojnë zhvendosjen e orës policore. Prej muajit nëntor (me përjashtim të periudhës së festave të fundvitit) qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve është i ndaluar pas orës 22:00 të mbrëmjes. Por po shikohet mundësia që ky kufizim të nisë pas orës 20:00. Çka do të thotë se pas këtij orari nuk do të lejohet jo vetëm qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve, por edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve.

PËR MJEKËT

Rasti i “Tires” që tronditi jo pak opinionin publik i rikujtoi qeverisë planin e dikurshëm për autonominë e spitaleve. I diskutuar që në mandatin e parë, ky projekt ka mbetur në vendnumëro. Hapi i parë do të hidhet me Spitalin e Fierit, që do të shërbejë si eksperiment. “Një transferim dije, bazuar në modelin botërisht të njohur të suksesit në Turqi, ku ka një ndarje të qartë mes administrimit të aseteve dhe logjistikës me administrimin e burimeve njerëzore, ku vlerësimi i performancës së mjekëve sjell edhe masën e shpërblimit të tyre, ku historia e vjetër e mjekëve me dy stacione, një në spitalin publik dhe një në klinikën private, merr fund dhe jo vetëm sepse është një praktikë e ndaluar, por është edhe e panevojshme në kushtet kur duke punuar në spitalin publik, mjekët mund të marrin rroga shumë më të larta sesa këto që marrin sot në bazë të shërbimit që japin”, vuri në dukje Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Brenda disa javësh do të kemi lajme të reja”

Rama flet për shtrëngimin e masave: Nuk mund të mbyllemi në shtëpi…