MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Dhimbja e kofshës dhe kufizimi i lëvizjeve, si kurohen?

18.02.2021 - 08:52

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Dhimbja e kofshës dhe kufizimi i lëvizjeve, si kurohen?

Mjeku: Koksartroza është sëmundje degjenerative e artikulacionit koksofemoral. Shkaqet për shfaqjen e kësaj semundjeje janë të ndryshme. Është një sëmundje që zhvillohet ngadalë dhe shfaqet me klinikë të qartë rreth moshës 45-50 vjeç. Më e përhapur është tek seksi femër. Trajtimi është konservativ në stadet fillestare dhe kirurgjikal me anë të zëvendësimit endoprotetik të artikulacionit, në stadet e avancuara. Ky i fundit ka bërë të mundur përmirësimin e dukshëm të cilësisë së jetës. Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon se kjo sëmundje është shumë e përhapur në popullatë. Çela shpjegon se është e pamundur të parashikohet se cilët njerëz do të preken nga koksartroza pasi shkaku i koksartrozës nuk njihet.

Çfarë është koksartroza?

Ekziston një sëmundje shumë e përhapur në popullatë, e cila manifestohet me dhimbje të kofshës dhe çalim, por që njihet shumë pak. Ajo quhet koskartroza ose artroza e artikulacionit koksofemoral.

Artikulacioni koksofemoral është artikulacioni i kofshës dhe përbëhet nga dy kocka: kocka e legenit (nga latinishtja os coxae) dhe kocka e femurit.

Koksartroza është sëmundja më e shpeshtë e artikulacionit koksofemoral dhe disa e quajnë edhe “sëmundja degjenerative e artikulacionit koksofemoral”. Kjo sëmundje shfaqet kur kërci që mbështjell sipërfaqet e kockave të artikulacionit, dëmtohet dhe kocka që gjendet poshtë tij zbulohet. Kërci normalisht shërben si një “jastëk”, i cili “amortizon” ngarkesat në artikulacion, prandaj kur kërci dëmtohet, kockat përbërëse të artikulacionit “fërkohen” me njëra-tjetrën duke shkaktuar dhimbje dhe kufizim të lëvizjeve të kofshës.

A nevojitet kujdes mjekësor i menjëhershëm?

Koksartroza nuk është urgjencë mjekësore. Por sidoqoftë ajo mund të shkaktojë në disa raste dhimbje të theksuar.

Simptomat tipike të koksartrozës janë: dhimbja që perceptohet në kofshë, në vendin që korrespondon me xhepin e përparmë dhe xhepin e pasmë të pantallonave; dhimbja zakonisht përkeqësohet gjatë ecjes dhe qëndrimit në këmbë.

Cilët njerëz preken nga koksartroza?

Është e pamundur të parashikohet se cilët njerëz do të preken nga koksartroza, pasi shkaku i koksartrozës nuk njihet. Megjithatë ekzistojnë disa faktorë rreziku, siç janë:

faktorët gjenetikë,
sëmundjet e kaluara gjatë fëmijërisë të shoqëruara me çalim dhe dhimbje,
thyerjet e kockave që përbëjnë artikulacionin,
mbipesha,
abuzimi me alkoolin, etj.

Si zbulohet sëmundja e koksartrozës?

Diagnozën e koksartrozës e vendos mjeku pasi ai ju merr në pyetje për ankesat tuaja dhe pasi kryen një vizitë mjekësore të hollësishme, si edhe një radiografi të zonës së legenit. Zakonisht mjekët që e vendosin këtë diagnozë janë mjeku i familjes, kirurgu ortoped ose reumatologu. Mjekët që konsiderohen “specialistë” për trajtimin e koksartrozës janë ortopedët dhe reumatologët.kokso

Si trajtohet koksartroza?

Për të trajtuar koksartrozën mund të merren masa të thjeshta si modifikimi i aktivitetit dhë rënia në peshë. Modifikimi i aktivitetit nënkupton shmangien ose kufizimin e aktiviteteve që shkaktojnë dhimbje, si ecjet dhe qëndrimet e gjata në këmbë. Rënia në peshë rekomandohet pasi është zbuluar se mbipesha është një faktor rreziku për shkaktimin e koksartrozës. Mbajtja e një bastuni ose paterice lehtëson në mënyrë të ndjeshme dhimbjen e koksartrozës.

Nëse masat e mësipërme dështojnë, mjeku juaj mund të këshillojë përdorimin e medikamenteve që pakësojnë dhimbjen si paracetamoli dhe ibuprofeni. Megjithëse këto medikamente mund të merren në farmaci edhe pa recetë, është e rekomandueshme që pacienti të këshillohet me mjekun e familjes para përdorimit të tyre për të shmangur efektet e padëshirueshme nga përdorimi jo i duhur.

Pra, dhimbja e shkaktuar nga koksartroza mund të trajtohet me anë të modifikimit të aktivitetit dhe rënies në peshë, me anë të medikamenteve si paracetamoli ose ibuprofeni që mund të merren në farmaci edhe pa recetën e mjekut, si edhe me anë të përdorimit të medikamenteve që jepen me recetë nga mjeku juaj.

Në rastet kur masat e mësipërme nuk mjaftojnë rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale.

Si trajtohet koksartroza me ndërhyrje kirurgjikale?

Ndërhyrja kirurgjikale për trajtimin e koksartrozës kryhet nga ortopedi. Operacioni që kryhet quhet zëvendësimi i artikulacionit koksofemoral me një protezë të brendshme (endoprotezë). Kjo ndërhyrje pakëson dhimbjen dhe përmirëson cilësinë e jetës te shumë pacientë. Zëvendësimi i artikulacionit koksofemoral me ndërhyrje kirurgjikale tashmë kryhet prej pesë dekadash me rezultate përgjithësisht të shkëlqyera.

Operacioni për zëvendësimin e artikulacionit koksofemoral është konsideruar nga shumë njerëz si operacioni më i rëndësishëm i shekullit të njëzetë përsa i përket vuajtjes njerëzore që ai ka lehtësuar.

Pacientët i nënshtrohet këtij operacioni kur të gjitha masat e tjera kanë dështuar të përmirësojnë dhimbjen e tyre.

Në thelb operacioni për zëvendësimin e artikulacionit koksofemoral përfshin heqjen e atyre pjesëve të artikulacionit (kërcit dhe kockës) që janë të dëmtuara nga sëmundja e koksartrozës dhe që shkaktojnë dhimbje, dhe zëvendësimi i tyre me komponentë artificialë që përbëhen nga aliazhe të ndryshme metalike të cilët luajnë rolin e një artikulacioni artificial.

Zakonisht pacientët qëndrojnë 3 deri në 5 ditë në spital pas ndërhyrjes dhe më pas do të ecin me ndihmën e patericave për 3 deri në 6 javë. Pas kësaj periudhe shumica e pacientëve do të ecin lirisht, pa dhimbje dhe pa ndihmën e patericave.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim