MENU
klinika

Zotohen institucionet në Kosovë

“Do të garantojmë zgjedhje të lira dhe demokratike”

12.02.2021 - 13:19

Institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit te zgjedhjeve te jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, nënshkruan të premten memorandum bashkëpunimi, me të cilin do t’i koordinojnë veprimet për një proces të lirë zgjedhor.

Me këtë rast, përfaqësues të këtyre institucioneve apeluan te subjektet politike dhe qytetarët e Republikës të Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat zgjedhore që janë në fuqi. Ata paralajmëruan masa ndëshkimore për të gjithë shkelësit e rregullave zgjedhore, teksa ftuan qytetarët që të raportojnë çdo shkelje eventuale që mund të hasin ditën e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u zotua se do të përmbushin të gjitha detyrimet në funksion të arritjes së direktivave të përbashkëta.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira.. Në emër të KQZ-së zotohem se do të përmbushim të gjitha detyrimet tona që dalin nga ky memorandum në funksion të arritjes së objektivave të përbashkëta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë proceset e ardhshme zgjedhore. Shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjitha subjektet politike, votuesit dhe të gjithë ata që kanë rol në këto zgjedhje që t’i përmbahen rregullave të KQZ-së, ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe të kontribuojnë që të dëshmojmë edhe njëherë se si shtet i ri jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira demokratike dhe të pranueshme për të gjithë”, porositi Daka.

Prokurorja Laura Pula tha se sistemi prokurorial ka finalizuar të gjitha procedurat për të operuar së bashku më Policinë e Kosovës në mbrojtje tëvotës së qytetarëve.

Ajo tha se Prokuroria e Shtetit është garidan i mbrojtjes së lirë të votës së qytetarëve dhe se nuk do të kursejë askënd në këtë drejtim, teksa shtoi se çdo person që rastis të fotografojë votën do të arrestohet nga Prokurori i Shtetit.

“Jemi gardianë të mbrojtjes së votës së lirë të sovranit të Republikës të Kosovës, duke mos kursyer askënd që prish procesin zgjedhor… Para se ju të bëni pyetjen se fotografimi i votës a është vepër penale, dua t’iu shpjegoj se fotografimi i votës është e vërtetë që nuk është vepër penale. Mirëpo çdo person i cili do të rastisë të fotografojë votën në qendër të vendvotimit, do të arrestohet menjëherë nga Prokurori i Shtetit me qëllim të ndalimit dhe të intervistimit dhe të arsyes se pse e ka fotografuar atë votë… Kishte me qenë mirë që në zgjedhje mos të hasim në persona që fotografojnë votën”, tha Pula.

Edhe Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri të ditur se kanë caktuar 30 gjyqtarë që do të kujdestarojnë më 14 shkurt, ditën e zgjedhjeve.

“Vetëm në gjykatën Themelore të Prishtinës kemi caktuar 8 gjyqtarë, ku nëjri prej tyre është prej departamentit special… Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar 5 gjyqtarë kujdestarë, ndërsa në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kemi 2 gjyqtarë, është e mbuluar edhe Mitrovica e Veriut. Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar 4 gjyqtarë, ajo në Pejë 5 gjyqtarë, Gjykata Themelore në Gjakovë ka 2 gjyqtarë dhe Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar 4 gjyqtarë”, bëri të ditur ajo.

Nga Policia e Kosovës, Arbnesh Ajvazi bëri te ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat preventive dhe operative për ditën e zgjedhjeve.

“Ne i kemi ngritur kapacitetet e nevojshme që ky proces zgjedhor të shkojë mirë dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës, që për çdo parregullsi, edhe mediat, të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe ne do të jemi në dispozicion. Dëshirojmë që kjo ditë e zgjedhjeve të shkojë në frymën e ditëve festive dhe të mos kemi incidente”, tha Ajvazi.

Kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, tha se do të punojnë intensivisht deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

“Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët dhe të gjithë personat që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur duhet të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, tha se do të monitorojnë mediat deri në ditën e zgjedhjeve. Ai ftoi mediat që të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe pa bërë shkelje.

“Ne kemi filluar monitorimin 1 javë para se të fillojë procesi zgjedhor. Dje e kemi pasur një mbledhje të jashtëzakonshme ku për shkeljet para fillimit të fushatës zgjedhore kemi identifikuar 5 televizione, të cilat kanë transmetuar përmbajtje programore pa sponsorizim… Kemi pasur edhe 8 raste tjera për të cilat janë sanksionuar gjoba, ku dy prej tyre ishin televizione lokale”, tha ai.

Florent Spahija nga Demokracia në Veprim, tha se këtë vit do të kenë numër më të vogël të vëzhguesve në teren.

“Ndryshe nga herët e tjera ky koalicion do të ketë më pak vëzhgues, nga 2 mijë e 500 sa kemi pasur herët e kaluara, këtë herë kemi vetëm 500 vëzhgues, të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme. Normalisht se nuk do të mbulohen të gjitha qendrat apo vendvotimet. Kjo do të jetë sipas mostrës, të cilën e kemi përcaktuar bashkë me NDI… DnV do të ketë një qendër ku do të vijnë të gjitha informatat nga tereni dhe do të bashkëpunojmë ngushtë sikurse çdo vit tjetër me Prokurorinë e Shtetit”, tha ai.

Të dielën, më 14 shkurt, do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa kujtojmë se vendi shkojë në zgjedhje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese./KosovaPress/