MENU
klinika

Data e seancës

Edi Rama dhe Ilir Meta përballen në Gjykatën Kushtetuese

11.02.2021 - 10:57

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta pritet të përballen në një seancë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese që parashikohet të zhvillohet në 25 mars. Mbajtja e seancës është publikuar në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i qeverisë kërkon interpretimin e nenit 98, pika 1 të Kushtetutës për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të minisitrave.

Sjellim në vëmendje që kryeministri Rama depozitoi padinë pasi presidenti Meta nuk i dekretoi Gent Cakajn si ministër të jashtëm. Kësisoj Rama e mbajti vetë këtë pozicion, por duke ia deleguar kompetencat ministrit.

Gent Cakaj shërbeu për afro dy vite si ministër i Jashtëm në detyrë dhe më pas dha dorëheqjen, për ti lënë vendin Olta Xhaçkës.

Kuvendi ka parashikuar që Presidenti duhet të shprehet brenda 7 ditëve në lidhje me dekretimin apo mos dekretimin e një ministri. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ministri emërohet nga Kuvendi.

Pas dekretimit nga presidenti të anëtares së shtatë Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në fund të vitit të kaluar. Kjo gjykatë pritet të japë verdiktin për disa çështje të rëndësishme, mes të cilave edhe vlefshmëria e zgjedhjeve 30 qershorit 2019.