MENU
klinika

“Sezoni të zgjatet mbi 45 ditë, disa provime të zhvillohen në auditore”

Evis Kushi parashtron kërkesat për universitet: Kemi marrë dritën jeshile…

10.02.2021 - 15:55

Ministrja e Arsimit Evis Kushi bëri me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve ia ka dhënë dritën jeshile disa kërkesave të studentëve dhe pedagogëve lidhur me procesin mësimor në universitete dhe provimet.

Ajo parashtroi disa kërkesa për universitetet të tilla si disa provime specifike të zhvillohen në auditore, sezoni të zgjatet mbi 45 ditë, numri i studentëve në sallë të mos i kalojë 15 vetë.

“Prandaj para pak ditësh bazuar në kërkesat e vazhdueshme të studentëve dhe pedagogëve si dhe pas një takimi të gjatë me rektorët e të gjitha universiteteve publike dhe jo publike, i kam drejtuar një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve mbi mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit. Dua të falënderoj maksimalisht të gjithë anëtarët e këtij Komiteti, të cilët që në fillim me shumë mirëkuptim dhe përkushtim iu përgjigjën pozitivisht shqetësimeve tona të përbashkëta, lidhur me një proces kaq të rëndësishëm siç është përmbyllja e një semestri akademik”, tha Kushi që listoi më pas kërkesat e Ministrisë së Arsimit.

Do të kërkoja nga të gjitha universitetet, në ato raste ku provimi i lëndës është i pamundur të zhvillohet online, për arsye të specifikave të lëndës sipas vlerësimit të vetë universiteteve provimi mund të zhvillohet në auditorë duke zbatuar protokollet anti-Covid.

Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për tu dhënë të drejtën studentëve nëse do të marrin pjesë ose jo në këtë sezon. Të gjithë studentët që nuk do marrin pjesë, tu ofrohet një sezon shtesë i ndërmjetëm.

Së treti sugjerojmë që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë mes provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e universiteteve. Kjo do të ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për tu përgatitur.

Së katërti, sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksione apo seminare të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrjen për provime.

Së pesti, e konsideroj shumë të rëndësishme të sjell në vëmendjen tuaj garantimin e kushteve për të minimizuar riskun e infektimit për studentët dhe pedagogët. Ndarja e studentëve të bëhet në grupe dhe orare të ndryshme. Numri i studentëve ne një sallë të mos jetë më shumë se 15 veta, mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme, provimi jo më shumë se një orë”, tha ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Prapaskenat’ e vendimit të komitetit teknik të ekspertëve

Brataj tregon a do ketë izolim total gjatë fundjavave