MENU
klinika

Pse u vra magjistarja?

Parashikoi pushtetin e fatet

24.02.2021 - 11:14

        Historia e Lucrecia de Leonit, luhatet midis të kaluarës historike dhe interesit që ka zgjuar përherë okultizmi. Ëndrrat parandjenja bënë që të identifikohej me oborrin e mbretit dhe, në mënyrë paradoksale, e çuan drejt fundit tragjik. Çfarë ndodhi me Lucrecia de Leon? Përse ngjalli kaq shumë interes dhe më pas u refuzua?/Konica.al

Historia e gruas, ëndrrat e së cilës që janë bërë realitet. Ëndrrat profetike dhe gjithçka që lidhet me botën e ëndrrave i kanë grishur qeniet njerëzore që nga kohërat antike. Mirëpo, në kohën e Lucrecia de Leonit, kjo dhunti lidhej me praktika magjie, magjepsje dhe yshtje. Kjo kategori njerëzish, edhe pse shumë të përbuzur, përherë kanë zgjuar interesin e mbretërve, qeverive, politikanëve apo institucioneve të pushtetit. Magjistarët, alkimistët, madje edhe lexuesit e letrave, kanë qenë gjithmonë pjesë e oborreve mbretërore. Historia e Lucrecia de Leon pasqyron tri realitete: botën magjike të ëndrrave profetike, në të cilën ajo jetoi gjithmonë, manipulimin politik që deshën t’i atribuonin dhe fundin tragjik që e priste.

Një vajzë e veçantë

Lucrecia de Leon lindi në Madrid në 1567, në një familje plebeje, edukimi i së cilës bazohej në besim dhe përgatitjen për martesë, veçse nga një kthesë e fatit, Lucrecia mësoi të lexojë dhe të shkruajë falë profesionit të avokatisë që kishte i ati. Lucrecia de Leon pati ëndrra profetike që në fëmijëri, çka zgjoi kureshtjen e personave që ndodheshin pranë mbretit. Sidoqoftë, ëndrrat e saj e frikësuan deri në atë pikë të atin, sa ai e braktisi për shkak të këtij fakti.

Ëndrrat si mesazhe hyjnore

Në Spanjën e asaj epoke, marrëveshja për ëndrrat në Këshillin e Latranit pati një ndikim të madh. Në Këshill u vendos, se ëndrrat profetike ishin mesazhe që Zoti dërgonte përmes njerëzve të ndriçuar. Kisha u interesua nga afër për këta lloj njerëzish dhe interpretimin e ëndrrave të tyre. Këto u përdorën si përforcime për të mbështetur monarkun. Filipi II njihej për shumë gjëra, por etja për okultin, magjinë, reliket, ritualet dhe profecitë, ishte ndoshta ana e tij më e errët.

Mbreti Filip II

Në oborrin e Filipit II gëlonin plot intriga dhe tensione, kështu që dërgoi sekretarin personal në burg dhe urdhëroi që gjithë anëtarët e rëndësishëm të rrethit shoqëror të helmoheshin dhe të burgoseshin. Skandalet e korrupsionit bëheshin vazhdimisht publike, ndaj populli kastilian duroi luftërat dhe mashtrimet e madhështisë së mbretit të tyre, por njëherazi shpërthyen gjithandej edhe fraksionet e konspiracionit.

Komplotistët

Ajo çfarë ndodhi me ngjarjet në jetën e Lucrecias, ishte e lidhur me njerëz me shumë ndikim. Njëri prej tyre ishte Miguel Piedrola, pasardhës i mbretërve të fundit të Navarres dhe ish-ushtar këmbësorie, i cili kishte formuar një grup të madh komplotistësh kundër mbretit. Tjetri ishte Alonso de Mendoza, vëllai i mëkëmbësit të Meksikës. Mendoza ishte klerik atashe në Katedralen e Toledos, por aspironte të bëhej peshkop dhe i përkiste grupit të komplotistëve Piedrola. Po ashtu, ai kishte një fiksim me botën e ëndrrave profetike dhe shpenzoi shuma të mëdha për investigimet e saj. Të dy ishin shumë të impresionuar nga ëndrrat e Lucrecias, madje vendosën të fillonin regjistrimin e tyre ditor dhe interpretimin e tyre politik./Konica.al

Ëndrrat profetike

Lucrecia parashikoi me hollësi pushtimin e afërt të Spanjës nga francezët, anglezët, turqit dhe maurët, që do t’i jepte fund përgjithmonë mbretërisë, mbretit dhe dinastisë austriake. Ajo parashikoi se të vetmit që do t’i mbijetonin pushtimit, do të ishin ata që do të strehoheshin brenda mureve të Toledos ose shpellave të Okanas. Po ashtu, parashikoi humbjen e Armatës së pathyeshme të dërguar nga Filipi II kundër Anglisë. Thuhet se Piedrola ndërtoi shpella në afërsi të lumit Tagus, që shërbyen si bunker gjatë pushtimit. Pas disfatës së Armatës së pathyeshme, vetë Mendoza urdhëroi zgjerimin e shpellave.

Inkuizicioni kundër Lucrecia de Leonit

Mbreti ngarkoi Inkuizicionin të ndiqte Lucrecian dhe komplotistët. Si rrjedhojë, dokumentet në lidhje me ëndrrat u konfiskuan. Gjatë marrjes në pyetje, Lucrecia pohoi se nuk ishte ajo që i interpretoi ëndrrat e saj dhe mohoi që ato të kishin përmbajtje politike, madje e mbështeti versionin e saj edhe nën tortura. Përkundër kësaj, ajo u dënua se gjoja kishte lidhur pakt me djallin. Prej atij çasti, çdo gjurmë e saj u zhduk.

Lucrecia ishte një grua me dhunti të veçantë, e njohur dhe e respektuar në antikitet, por e zhvendosur në mitologji. Një dhunti që njerëzit e asaj epoke i frikësoheshin, po aq sa e dëshironin. Mirëpo, kur dhuntia e saj nuk i shërbente më makinerisë së pushtetit, nuk u njoh më si orakull. Për më tepër, u emërtua si shtrigë. Edhe një herë, historia na lë me një të kaluar të errët, që nuk duket se është zhdukur plotësisht. Inkuizicioni ishte një nga institucionet që mori më shumë jetë, për më tepër këtë e bënte përherë me mbrojtjen e pushtetit.

Lucrecia de Leon njohu mbrojtjen e pushtetit dhe, më pas, refuzimin i tij për të mos qenë më “e dobishme”. Sidoqoftë, ajo i qëndroi besnike dhuntisë dhe të vërtetës së saj, edhe pse i kushtoi jetën./Konica.al