MENU
klinika

"Shkrimtari i tmerrshëm"

Herman Hesse: Pse duhet lexuar, Dostojevski!

12.02.2021 - 16:38

       Një prej shkrimtarëve më të mëdhenj rusë. Ka shumë analiza për penën e tij, por më e thella dhe e goditura edhe pse koncize, mbetet kjo e nobelistit Herman Hesse.

Duhet ta lexojmë Dostojevskin kur jemi përtokë, kur kemi vuajtur deri në kufijtë e të arsyeshmes dhe e gjithë jeta na dhemb si një plagë e vetme djegëse dhe përvëluese, kur frymojmë dëshpërimin dhe kemi vdekur nga njëmijë vdekje të pangushëllueshme.

Atëherë, në momentin kur ndodhemi të vetmuar dhe të mpirë në mes të ndyrësisë – kthejmë vështrimin nga jeta e nuk ia kuptojmë shkëlqimin e pashpirt dhe të egër, por as nuk duam më t’ia dimë: ja, pikërisht atëherë, jemi të pjekur për muzikën e këtij shkrimtari të tmerrshëm dhe të mrekullueshëm.

Atëherë, në fakt, nuk jemi më spektatorë, nuk jemi më gjyqtarë ose shijues, por jemi të mjerë në mes të gjithë djajve të tjerë të mjerë në romanet e tij, vuajmë vuajtjet e tyre, të magjepsur dhe të shtangur ne shikojmë vorbullën e jetës, gurin e mullirit të palodhur nga bluarja e vdekjes. Dhe në atë moment, ndjejmë muzikën e Dostojevskit, ngushëllimin dhe dashurinë e tij; vetëm atëherë, provojmë ndjesitë e botës së tij poetike, të tmerrshme dhe shpesh, deri në mizore.

Dy fuqi të pushtojnë në librat e tij: e para është dëshpërimi, pranimi i fatalitetit, i të pësuarit, i moskundërshtimit të mizorisë gjakësore dhe problematike të natyrës njerëzore. Nga kjo vdekje duhet vdekur, ky ferr duhet përshkruar nëse do që edhe zëri tjetër i mjeshtrit, zëri qiellor, të mbërrijë deri tek ne.

Sinqeriteti i lakuriqtë me të cilin rrëfehet jeta jonë njerëzore është diçka e mjerë, e pasigurtë dhe ndoshta e dëshpëruar, një fillim i pashmangshëm.. Duhet t’i dorëzohemi dhimbjes, t’i përvidhemi vdekjes, buzëqeshja cinike e ferrit të realiteit lakuriq e të ashpër duhet të ngrijnë shikimin, para se të jetë në gradë të presë thellësinë dhe vërtetësinë e asaj tjetrës, pikës ose fuqisë së dytë.

Pika e parë (fuqia) i thotë po vdekjes, jo shpresës, heq dorë nga të gjitha zbukurimet, të gjitha eufemizmat konceptuale dhe poetike me të cilat jemi mësuar të maskohemi nga rreziqet dhe brutalitetet e ekzistencës njerëzore, nga ana e disa shkrimtarë të këndshëm.

Por e dyta, na tregon një element të ndryshëm nga vdekja, një tjetër realitet, një tjetër thelb: domethënë ndërgjegjen e njeriut. Megjithëse, e gjithë jeta njerëzore, luftë dhe dhimbje, poshtërsi dhe mizori ka edhe diçka tjetër, ndërgjegjen, domethënë aftësinë e qënësishme të njeriut për t’iu kundërvënë Zotit. Vërtet ndërgjegjja, gjithashtu na çon përmes dhimbjes dhe terrorit të vdekjes, në mjerim dhe faj, por ama na nxjerr nga vetmia e padurueshme e absurdit, na vë në kontakt me kuptimin e gjërave, me thelbin e tyre, me përjetësinë. […]

Këto dy mesazhe i ndjeva te Dostojevski, kur isha një lexues i mirë i librave të tij, domethënë në orët kur dhimbja dhe dëshpërimi më kishin përgatitur ta kuptoja. Eshtë një artist që më bëri të ndjej diçka të ngjashme, një muzikant që nuk jam i gatshëm ta dua dhe ta dëgjoj në çdo kohë, ashtu siç nuk do të doja ta lexoja gjithmonë, Dostojevskin. Është Bethoven. Ai njeh lumturinë, mençurinë dhe harmoninë, që, megjithatë, nuk hasen përgjatë shtigjeve të lehta, por shkëlqejnë herë pas here në rrugën buzë humnerës dhe nuk arrihen duke buzëqeshur, por vetëm me lot e të rraskapitur prej dhimbjes.

Përktheu: Brizida Gjikondi

Redaktoi: Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit