MENU
klinika

Mjekja tregon fjalët e fundit të 17-vjeçarit

“I ati ndodhet në gjendje të rëndë dhe nuk e di që ka humbur të birin”

24.02.2021 - 21:29

E hëna e 22 shkurtit shënoi viktimën në moshë më të re në vendin tonë nga Covid. 17-vjeçari, Qamil Seiti nga Tirana, humbi betejën në spitalin “Shefqet Ndroqi” pas 4 ditësh i intubuar.

Shefja e Reanimacionit tek COVID-2, Alma Cani, e cilëson si një prej rasteve më të vështira. Ajo tregon për gjendjen shëndetësore të të riut kur erdhi në spital.

“Trajtoheshin më tepër se dhjetë ditë në shtëpi. Fatkeqësisht djali erdhi në situatë të avancuar, rezultonte me analizat që bëmë dhe skanerin që tregonte se prekja e mushkërive ishte 100%. Nuk kishte mushkëri që të merrte frymë. Ndoshta dhe ardhja me vonese ishte pjesë e kësaj drame”, thotë mjekja.

E përlotur rrëfen fjalët e fundit të adoleshentit.

“Megjithë përpjekjen që ne bëmë me shpirt, asistencat që u bënë në të gjitha drejtimet dhe ato fjalët e atij djali që më janë ngulitur mua dhe jo vetëm, por të gjithëve këtu: O teta më falni se ju lodha. E kuptonte dhe vetë që ne po përpiqeshim për t’i dhënë jetë, por ishte e pamundur”, tregon Cani.

Në spital i riu kishte dhe prindërit, që të dy me Covid. Nëna, arriti të mposhte virusin, ndërsa i ati vijon i shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore. Ende nuk i kanë treguar se ka humbur të birin.