MENU
klinika

Çudit me deklaratën prokurori italian

“Ka raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët“

24.02.2021 - 07:49

Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri, në një intervistë për RTV Ora, u shpreh se marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme.

Ai shtoi se ka raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët.

Pyetje: Prokuror cili është niveli i rrezikshmërisë së krimit të organizuar shqiptar në territorin tuaj?

Prokuror Giovanni Bombardieri: Territori i Reggio Calabrias që unë mbuloj si dhe ai i Catanzaros janë vendet ku ka lindur mafia kalabreze Ndrangheta,  për t’u projektuar më pas jo vetëm në Itali e në Evropë, por në të gjithë botën. E marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme, sidomos  në pjesën e sipërme të Kalabrisë, në Katanzaro ku ka zona të banuara nga shqiptarë e ku janë kryer hetime të shumta që kanë zbardhur trafiqe ilegale armësh e droge të lehtë nga grupet kriminale shqiptare. Edhe në territorin e Reggio Calabria në hetimet e fundit janë zbardhur lidhje të ngushta mes klaneve ndranghetiste të pjesës së Terrenit e kriminalitetit shqiptar dëshmuar nga operacioni Magma, operacioni Pollino, apo dhe ekstradimi që kemi kryer pak ditë më parë të një eksponenti shqiptar në lidhje të ngushtë me Ndranghetan e protagonist në ndërmjetësimin e  blerjes së kokainës.

Kjo është fytyra e re që shfaq kriminaliteti shqiptar në territorin tonë. Shqiptarët nuk janë më trafikantë vetëm të lëndëve narkotike të lehta që prodhojnë në territorin e tyre si hashash e marijuane, por janë protagonist të trafikut të kokainës. Ndrangheta është një lojtar botëror i saj, me një rol të rëndësishëm në trafikun botëror me Amerikën e Jugut. Në Itali e në Evropë, mafia shqiptare po imponohet dhe si një bashkëpunues i rëndësishëm në këtë trafik. Edhe hetimet e operacionit Polino të kryer nga departamenti i antimafias së Reggio Calabrias, në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Duisburg e ato hollandeze e belge, zbardhën lidhjet e rolin e trafikantëve shqiptarë me një aftësi kriminale e organizative mjaft të rëndësishëm në trafikun e heroinës.

E të gjitha hetimet kanë konfirmuar se shqiptarët kishin në dispozicion sasi të mëdha kokaine po ashtu dhe në vende të tjera të Evropës si në Spanjë. Përgjimet e një operacioni të antimafias zbardhën se si ndranghetistët mes tyre i konsideronin trafikantëve shqiptarë si zotërues të sasive të mëdha kokaine. Madje kemi raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët. Kjo është një e dhënë mjaft e rëndësishme e kuptimplote që tregon se si mafia shqiptare ka arritur sot të ketë një rol të rëndësishëm në kriminalitetin evropian.