Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” komentoi zgjedhjet në Kosovë.
Ai tha se një fitore e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit do të shoqërohej sipas tij me disa zhvillime. E para ka të bëjë sipas Nazarkos me krijimin e parlamentit, zgjedhjen e presidentit dhe më pas krijimin e qeverisë. Po ashtu ai shtoi se duhet të nisë sa më shpejt dialogu me Serbinë.
“Në të gjitha rastet Kurti do të jetë i detyruar të përfshijë në listë pakicën serbe, ose minoritetet e ndryshme që janë atje. Që tani zoti Kurti i ka numrat për të bërë qeverinë, po të shtojmë këtu votën e mërgatës, sigurisht që kjo përqindje në shkallë vendi do të rritet duke shkuar tek 60-ta. Vendimi i parë është të krijohet parlamenti, të caktohet presidenti dhe më pas qeveria. Bashkësia ndërkombëtare po imponon me vendosmëri mbylljen e dialogut me Serbinë. Këtu kemi një diskutim, që a është kjo një fitore 100% e Vetëvendosjes. Vjosa Osmani pretendon se ka dhe ajo hise në këtë fitore. Rënia e LDK-së është e konsiderueshme, po ashtu dhe rezultati i zgjedhjeve krahasuar me 2019-ën dhe Vjosa Osmani ka të drejtë të thotë që ato vota që s’i kanë kaluar LDK-së janë për të. Ajo mund të kërkojë të bëhet presidente me çdo kusht, ky është një parashikim që është herët për ta bërë”, tha Nazarko.
Nazarko foli dhe për rolin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas analistit, ndërkombëtarët do të nxisin Albin Kurtin që zgjidhja e ngërçit me Serbinë të zgjidhet brenda këtij viti.
“Këto janë axhenda ambicioze, qoftë ajo e brendshme për drejtësi dhe ekonomi. Por edhe axhenda tjetër që është ajo e konsolidimit të Kosovës, përmbylljen e dialogut me Serbinë që do i hapte rrugën anëtarësimit në OKB. Kjo kërkon dhe një konsensus nga blloku i vjetër. Zoti Kurti të lë të kuptosh, jo për arsye elektorale, sepse ai nuk e përmendi fare dialogun, mirëpo bashkësia ndërkombëtare është e lodhur nga kjo qasje e Kosovës dhe kërkojnë që ta përmbyllin dialogun këtë vit. Unë i quaj votuesit e Kosovës si bijtë e izolimit, këta janë një rini shpesh e shkolluar mirë dhe të fustruar nga qasja e Perëndimit ndaj tyre. Kështu që kemi një situatë që do e vendosë në mendime BE-në për të vepruar shpejt. Një organizatë që mezi merr vendime, kjo është një pikëpyetje. A do të shtyhet BE nga presioni amerikan për të përmbyllur dialogun dhe kjo është pikëpyetje. Ngjan se SHBA, administrata Biden do të ndjekë modelin e mëparshëm të negociatorëve Evropianë, për këtë dialog”, u shpreh analisti.
Gjatë fjalës së tij në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Mentor Nazarko komentoi edhe vendosjen e marrëdhënieve mes Albin Kurtit, që parashikohet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe kryeministrit Edi Rama.
Nazarko tha se marrëdhëniet midis dy liderëve ka qenë e mirë në fillim, por u ftoh pas incidenteve të krijuara, ku përmendi hedhjen vezës nga studentja kosovare në ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Analisti po ashtu tha se dega e Vetëvendosjes e krijuar në Shqipëri nuk është pritur mirë nga kryeministri Rama. Sipas Nazarkos, me këto zhvillime Albin Kurti kërkon të tregojë se është udhëheqësi i shqiptarëve në të gjithë rajonin.
“Të dy palët, Kurti dhe Rama, duhet të rishikojnë diçka në sjelljet e tyre. Rama ka gabuar që në një moment të caktuar vendosi marrëdhënie të mira me Thaçin dhe pak më të mira me Kurtin. Ka një prehistori të tyre që është pozitive. Rama që është bujar në vlerësimin e liderëve shqiptar, ka qenë i tillë dhe me Kurtin, e ka thënë dhe publikisht.
Por këto marrëdhëniet janë prishur nga incidentet e krijuara nga grupe studentore këtu që kanë dashur të sfidojnë Ramën. Po të kujtojmë hedhjen e vezës në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Gjithashtu kemi një degë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Kurti bën të paditurin kur thotë që nuk e di, ata kanë vendime autonome. Kjo është një gjest sfide ndaj kryeministrit Rama. Këtë nuk e ka bërë Rama në Kosovë, as Berisha. E vërteta është që Partia Socialiste si logo nuk ka një simpati në Kosovë. Por PD-ja ama ka pasur popullaritet të madh, nuk kanë zgjedhur të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë, me një degë të partisë së tyre. Kjo iniciativë e Kurtit bëhet për të rritur famën e tij, për të treguar se është një udhëheqës i shqiptarëve në të gjithë rajonin”, tha Nazarko.
I pyetur se a do të ketë një përmirësim të marrëdhënieve mes dy liderëve, Nazarko tha:
“Unë besoj që për Kurtin është e vështirë ta nisë këtë detyrë të re duke ftohur marrëdhënien me Shqipërinë. Ai ka thënë që e ka të detyrueshme për të shkuar në Shqipëri. Edhe Rama është me një tension të madh në lidhje me këtë çështje. Në deklaratën e tij vlerësohej fitorja e Vetëvendosjes por jo për Kurtin. Do të jetë një marrëdhënie e vështirë në fillim, por dy liderët do të gjejnë një format për të ruajtur marrëdhëniet mes dy vendeve”.