MENU
klinika

Dita e Darvinit

Mësimi moral i qenies

12.02.2021 - 14:05

        Çdo 12 shkurt festohet Dita Ndërkombëtare e Darvinit, në nder të natyralistit më të madh në histori, shkencëtarit që revolucionarizoi konceptin e jetës dhe origjinën e saj, duke shkuar kundër besimeve të Kishës. Dita Ndërkombëtare e Darvinit frymëzon njerëzit në të katër anët e globit të reflektojnë dhe veprojnë nisur nga parimi i guximit intelektual, kurioziteti i përhershëm, mendimi shkencor dhe dëshira për të vërtetën, siç mishërohet te Çarls Darvini. Kjo është dita e kremtimit, aktivizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për përparimin e shkencës, arsimit dhe mirëqenies njerëzore./Konica.al

Pse festohet sot, Dita e Darvinit?

Çarls Darvini lindi më 12 shkurt 1809 në Shrewsbury, Angli. Prej botimit të librit “Mbi origjinën e specieve”, Darvini ka qenë në qendër të përkujtimeve dhe homazheve nga shkencëtarët, artistët, studiuesit dhe filozofët e lirë në të mbarë botën. Studimet dhe kërkimet e tij çuan në formulimin e teorisë së evolucionit, një tezë kyçe në historinë shkencore, teori e cila përmbysi idealin krijues të krishterë, duke provuar se gjithë speciet e tokës rrjedhin nga një proces i ngadaltë i mutacioneve gjenetike dhe se këto mutacione, hera-herës të favorshme, u transmetoheshin si rrjedhojë brezave pasardhës. Në vendet anglo-saksone, Dita e Darvinit festohet prej viti 1882, viti i vdekjes së shkencëtarit, ndërsa sot, në mbarë botën, vërejmë se shoqata të shumta, muze dhe universitete po luftojnë për rëndësinë e kësaj dite, e cila është shndërruar në simbolin e përhapjes së dijes.

Dita e Darvinit 2021 vjen në një kohë, kur të gjithë presim me padurim risitë shkencore për të na shpëtuar nga pandemia globale. Megjithëse, po përballemi edhe me teori konspirative dhe antivaksina. Darvini, përmes hulumtimit shkencor të provave dhe ndërtimit imagjinar të teorive për të provuar kundërprova, zgjidhi një problem që dukej i pazgjidhshëm. Pikërisht këtë trashëgimi celebron Dita e Darvinit. Në vitin 2021, mes trazirave të shkaktuara nga pandemia Covid-19, të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka shkenca në lidhje me njerëzimin. Në të kaluarën, njerëzimi ndodhej në errësirë të plotë përballë epidemive. Me sytë e mbarë botës tek ata, shkencëtarëve jo vetëm që u është dashur të punojnë me shpejtësi skëterrë, por u është dashur ta komunikojnë punën e tyre si kurrë më parë. Ka pasur një ndryshim të madh në mënyrën sesi publiku e shikon – dhe e vlerëson – shkencën, si dhe një kërkesë për njohuri shkencore si kurrë më parë. Në epokën e komplotistëve dhe kundërvaksinimit, promovimi i besimit të publikut në shkencë është jetik. Komunikimi i parimeve kryesore të shkencës: mbledhja e të dhënave, mendimi kritik dhe rëndësia e ndryshimit të ideve kur paraqiten prova të reja, është mënyra e vetme për të mposhtur dezinformimin. Në këtë periudhë pandemie, vepra dhe trashëgimia e Darvinit paraqet edhe një tjetër mësim për njerëzimin: mësimin moral. /Konica.al/ Zbulimi i evulocionit nga Darvini nisur nga përzgjedhja natyrore ndryshoi në mënyrë rrënjësore pikëpamjen që ne kishim për njerëzimin, duke na zhvendosur nga pozicioni qendror i mandatuar hyjnor që ruanin njerëzit në imagjinatën paramoderne, duke na lidhur me një familje shumë më të madhe të kafshëve dhe bimëve, të gjitha të ndërlidhura në pemën e jetës. Po ashtu, na lidhi me njëri-tjetrin. Mësim moral na dikton se jemi të lidhur në një familje të madhe njerëzore, jo një koleksion fisesh e kombesh të krijuara veçmas dhe se, duhet të kujdesemi njëlloj për njëri-tjetrin, pa përjashtuar asnjë qenie njerëzore. Ashtu si mësimi i shkencës, edhe mësimi moral i ditëve të sotme ka një jehonë të fortë. Nuk është vetëm nisma e shkencës, por e mirësisë njerëzore dhe shqetësimi për të tjerët që na u desh në këtë pandemi: interesimi që kemi treguar për të tjerët, përmes sjelljes tonë, për t’i mbrojtur ata, si dhe parimi i madh i solidaritetit njerëzor të përfaqësuar nga NHS (shërbimi shëndetësor kombëtar), që trajton dhe kujdeset për çdo person.

Me shkencën e frymëzuar nga mirësia njerëzore, mund të mposhtim edhe sfidat më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi përtej pandemisë, qofshin ndryshimet klimatike, varfëria apo sëmundjet. Çdo vit, Dita e Darvinit mund të na ofrojë një pauzë për të reflektuar rreth këtij fakti dhe për t’u zotuar për këtë iniciativë. Teoria e Darvinit argumentoi, se jeta në planet vjen nga një paraardhës i vetëm. Gjithashtu, ai argumenton se larmia në kafshë dhe bimë është rezultat i evolucionit. Ky proces përfshin mutacionet gjenetike, përzgjedhjen natyrore dhe zhdukjen. Çarls Darvini vdiq më 15 prill 1882./Konica.al