MENU
klinika

Kush janë 4 deputetët që kërkuan pezullimin?

Ndryshimi i vettingut në polici/ Socialistët fillimisht kërkojnë kontroll të drejtuesve të SHÇBA!

23.02.2021 - 10:01

Vetingu në Polici, një proces i stërzgjatur dhe me shumë polemika, pritet të marrë një tjetër kthesë.

Katër deputetë socialistë dhe një i opozitës parlamentare kanë kërkuar pezullimin e vetingut në Polici deri në përfundimin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Sipas projektligjit, i cili mban firmën e 4 deputetëve dhe kryetares së Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, diçka e tillë bëhet në mënyrë që Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të fokusohet fillimisht te vetingu i SHÇBA-së si strukturë që do të fusë në sitë më pas të gjithë efektivët e nivelit bazë në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, ky ndryshim thuhet në projektligj që do të mundësonte kohën e nevojshme qe institucionet e përfshira të bënin një analizë më të thelluar të këtij procesi dhe të propozonin zgjidhje për një sërë problematikash të evidentuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë.

VETINGU

Deri më tani në sitën e vetingut nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit kanë kaluar 32 subjekte që mbajnë gradat më të larta në Polici. Si ligji ekzistues, ashtu dhe ndryshimi i tij, sipas deputetëve ka vakum ligjor, pasi nuk parashikuar shprehimisht afatin apo kohën kur SHÇBAja duhet të fillojë procesin për filtrimin e efektivëve të Policisë të nivelit bazë. Për procesin e vetingut në Polici janë lënë rekomandime edhe nga Komisioni Europian në raportin e GRECO ku thuhej se ky proces duhet të zëvendësohet me një mekanizëm për vlerësimin e integritetit të personelit rregullisht gjatë karrierës së tyre dhe për qëllimin e ngritjes në detyrë dhe vetingu kalimtar duhet të përqendrohet në funksionet më të ekspozuara ndaj riskut të integritetit.

NDRYSHIMET

Deri në ditën kur filloi zyrtarisht, më 5 nëntor të vitit 2019, procesi i vetingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës e SHÇBA pati disa shtyrje, për shkak edhe të ndryshimeve ligjore. Pas ndryshimeve të fundit u tha se të vetmit që do të përballeshin me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit do të ishin 300 drejtuesit e lartë. Urdhri i dytë në këtë formë u duk se kishte anuluar të parin. Ishministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pati propozuar disa ndryshime thelbësore në ligjin e miratuar më parë, të ideuar nga paraardhësi i tij Fatmir Xhafaj. E me këto ndryshime, më shumë se 12700 punonjës policie e garde do të marrin frymë lirisht. Ndryshe nga drejtuesit e lartë, vetingun e tyre do ta bëjë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave pati miratuar ndryshimet ne ligjin 12/2018 për vetingun në Policinë e Shtetit. Këto ndryshime parashikonin që ky proces të kryhej për funksionet e larta drejtuese në Polici dhe në SHÇBA.

Vetëm 300 drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit do të vlerësoheshin për 3 komponentët: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aspektin profesional, nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Ligji i vetingut u pat dhënë vetëm 1 muaj kohë punonjësve të Policisë për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme, në funksion të plotësimit të 3 formularëve që do vërtetojnë pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aspektin profesional. Vetë punonjësit e Policisë e konsideronin si një mision të pamundur. Plotësimi i dokumentacionit nisi në prill dhe u mbyll në maj të vitit të kaluar. Shumë nga punonjësit e Policisë, që e kishin parë si mundësi edhe largimin nga Policia, u larguan, duke mos i dorëzuar dokumentet. Jo se kishin frikë nga vetingu, por nga dyshimet se nuk do të ishin në gjendje të gjenin në kohë dokumentet që u duheshin. Për disa prej tyre, shtëpitë, makinat, arsimimi i fëmijëve, ishin produkt i një pune të gjatë e kursimeve familjare.