MENU
klinika

Raporti i Sigurimit për Enver Hoxhën

“Në 1979-ën kishim 45 agjentë të zbulimeve të huaja…”

06.02.2021 - 10:12

Pjesa e dytë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj.”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vetëm pak javë pas ngjarje së 18 dhjetorit të largët vitit 1981,kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vitesh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”?! Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmëndur me dhjetra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj., etj. Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, redaksia e Memorie.al, disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty. Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze, në numrin e kaluar publikuam raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25-28 shtator të vitit 1982. Ndërsa duke filluar nga sot, po publikojmë të plotë raport-informacionin e ish-sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, mbi “aktivitetin armiqësor të grupit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj”, të cila ai i ka nxjerrë nga mbledhjet e zhvilluara në Degën e Punëve të Brendëshme të Korçës si dhe në Prokurorinë e Gjykatën e atij rrethi. Keto dokumenta, sipas rregullit i ka lexuar të gjitha Enver Hoxha, por nuk janë të firmosura prej tij dhe nuk ka as ndonjë shënim, siç ka vepruar me te gjitha dokumentat e tjera ndër vite, gjë e cila nga disa burime të besueshme, thuhet se Enverit, i’a kanë lexuar ato, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

                                                          Vijon nga numri i kaluar

 

 

     PARTIA E PUNES E SHQIPERISE                                                        Tepër sekret

    KOMITETI I PARTISE RRETHIT

        K o r ç ë                                                                                       Korçë, më 28.10.1982

 

                                            I N F O R M A C I O N

Për

DISA PROBLEME QE DUALLEN NGA DISKUTIMI I KONKULZIONEVE TE

BYROSE POLITIKE DHE TE PLENIUMIT TE 5-të TË KQ TE PARTISE

NE ORGANIZATAT BAZE TE PARTISE TE DEGES SE PUNEVE TE

BRENDESHME DHE TE PROKURORI-GJYKATES

Më 23-26 tetor 1982 në të gjitha organizatat bazë të Partisë e në Komitetin e Partisë në Degën e Punëve të Brendëshme dhe në organizatën bazë të Prokurori-Gjykatës, u bë diskutimi për problemet dhe detyrat që dalin nga konkluzionet e Byrosë Politike dhe të Pleniumit të 5-të të Komitetit Qëndror të Partisë.

Në vijim të solidarizimit me vendimet e Pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror, të gjithë komunistët u solidarizuan plotësisht me konkluzionet e Byrosë Politike e të pleniumit të 5-të të Komitetit Qëndror dhe me vendimet përkatëse që u muarrën në këtë plenium. Të gjithë komunistët dënuan njëzëri dhe me urrejtje veprimtarinë armiqësore të armiqve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu e bashkëpunëtorëve të tyre, miratuan njëzëri vendimet përkatëse dhe shprehën dashurinë e besnikërinë e patundur për partinë dhe shokun Enver Hoxha. Në të njëjtën kohë në frymën e kritikës dhe të autokritikës, ata analizuan punën dhe veprimtarinë e tyre në sektorët ku mbulojnë organizatat dhe ngritën probleme, të cilat po i themi siç i shtruan vetë ata dhe që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Degës, Prokurori-Gjykatës dhe Ministrinë e Punëve të Brendëshme.

Nga ky diskutim dollën fakte dhe argumenta që thellojnë njohjen dhe veprimtarinë armiqësore në këto organe.

                    I.  NE DEGEN E PUNEVE TE BRENDESHME

Të gjithë komunistët e konsideruan plotësisht të drejtë konkluzionin e Komitetit Qëndror të Partisë se të gjitha komplotet armiqësore janë zbuluar nga Partia dhe jo nga organet e Sigurimit të Shtetit, se në krye të këtyre organeve kanë qenë agjentë të zbulimeve kapitaliste–revizioniste, të cilët me qëllim kanë shtrembëruar punën e Sigurimit dhe kanë kamufluar veprimtarinë e tyre armiqësore. Në të njëjtën kohë bënë autokritikë duke nxjerrë në pah edhe përgjegjësinë e tyre, se nuk kanë ndihmuar Partinë me të dhëna të konstatuara për veprimtarinë e këtyre armiqëve, duke pasur mungesë vigjëlence, duke mos i vlerësuar me sy politik orientimet e dhëna nga këta armiq në kundërshtim me orientimet e vendimet e Partisë, kjo edhe për mungesë të kurajos revolucionare për të thënë në kohën e duhur shkeljet e konstatuara nga këta armiq.

KU KA NDIKUAR VEPRIMTARIA ARMIQESORE NE DEGEN E PUNEVE TE BRENDESHME?

1. Shkeljet në zbatimin e vijës e orientimeve të Partisë e lufta e organit për zbulimin e veprimtarisë armiqësore. Veprimtaria e armiqëve që kanë qenë në drejtim të Ministrisë së Brendëshme ka ndikuar edhe në punën dhe veprimtarinë e Degës e veçanërisht në sektorin e Sigurimit dhe të Hetuesisë që kanë çuar në disa raste në shkeljen e vijës dhe orientimeve të Partisë. Puna e organeve të Sigurimit është orientuar me metodën dhe format e tyre të kamufluara që të përqendrohej më shumë tek agjitacioni e propaganda armiqësore, dhe kjo kërkohej me forcë. Vlerësimi i punës bëhej nga numri i goditjeve pamvarësisht se në çfarë drejtimi ishin këto goditje.

Kjo ka bërë që goditjet të jenë drejtuar kryesisht në agjitacionin e propagandën armiqësore, ku ka pasur edhe shumë të arrestuar, bile nganjëherë edhe të arrestuar pa dinjitet, me të meta, etj. Në periudhën 1971-1981, janë realizuar 281 subjekte për krimet që ka ndjekur Sigurimi, por prej tyre vetëm 12.9 % me arrestim kanë qenë nga shtresat e pasura dhe 61.6 % nga shtresat e varfëra dhe të mesme, nga këta të fundit mundet që individë të veçantë të ishin shpëtuar nga dënimi me burg nëpërmjet këshillimit. Për të rritur numrin e të dënuarve për agjitacion e propagandë, ka pasur raste që i njëjti dëshmitar është përdorur 3-4 herë, apo ka pasur të arrestuar në raste të veçanta që janë çuar në gjyq vetëm me një provë.

Punonjësit e Sigurimit kanë bërë presion ndaj hetuesisë që çdo dosje e hapur për ta parë hetimi të përfundonte patjetër me arrestim dhe çuarje në gjyq. Bashkëpunëtorët, deri sa duallën konkluzionet e Byrosë Politike në janar 1981, nuk janë përdorur gjithnjë për për të sqaruar element të veçantë me përbërje të mirë që kishin folur ndonjë fjalë armiqësore me qëllim që të hiqte dorë dhe të vinte në rrugë të mbarë. Nga ana tjetër, në praktikën e këshillimeve të përdorura nga ana e Degës gjatë periudhës 1976-1981, në 335 persona të këshilluar, ka pasur disa raste që këshillime janë bërë edhe për element të shtresave të pasura, në kundërshtim me kriteret e caktuara.

Shokët e Hetuesisë kanë ngritur problemin se edhe kur ata nuk e kanë parë të drejtë arrestimin për të cilin në ndonjë rast nuk ka qenë dakort prokurori i rrethit, i është dërguar dosja Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet Ministrisë, i cili ka urdhëruar arrestimin.

Në kundërshtim me klauzolën e Byrosë Politike për vartësinë administrative të Hetuesisë nga Kryetari i Degës, gradualisht nëpërmjet urdhërave e udhëzimeve të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, Hetuesia u vu në vartësi të plotë të kryetarit të Degës së Brendëshme, duke detyruar sektorin e hetimit të marrë pëlqimin e tij për veprimet kryesore që ajo bënte. Në rastet kur sektori operativ kërkonte arrestimin e personave me prova të zbehta dhe Hetuesia nuk ishte dakort, drejtuesit e Ministrisë me manipulimet e tyre, miratonin propozime të tilla. Kjo bëhej edhe me fushata, veçanërisht kur shikohej që Dega nuk kishte realizime me goditje, nxitës kryesor për këtë kanë qenë Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Elham Gjika dhe Kadri Gojashi. Po ashtu në rastet e ngjarjeve të rëndësishme, bëheshin me goditje duke arrestuar shumë persona.

Të arrestuarit për hedhjen e parrullave në vitin 1975, u çuan në Pogradec dhe u udhëhoq puna dhe hetimi nga Rexhep Kolli e ish-zv/drejtori i Sigurimit, Lirim Pëllumbi. Mendimi im, është që ky proces të ristudiohet.

Sipas orientimeve të dhëna nga Feçor Shehu nga ana e Degës u muarr si objekt i rëndësisë së veçantë Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit. Eshtë bërë praktikë pune që çështjet e rëndësishme që ndiqeshin për krime kundër shtetit të centralizoheshin në Ministri, kur ishte fjala për spiunazh. Disa nga të arrestuarit në Degë, kur jepnin të dhëna në hetim për veprimtari agjenturore të mprehtë, menjëherë merreshin nga Ministria për vazhdimin e hetimeve me pretekstin se në qëndër ka kuadro të “kualifikuar”, “ka kushte të mira”, etj., etj. Mendimi është që kjo bëhej me qëllim që të mbulohej ose të kufizohej veprimtaria agjenturore për ato raste që ata kanë interes.

Këto veprime flasin për atë që në disa raste edhe në Degë i janë nënshtruar orientimeve të armiqve në kundërshtim me vijën e Partisë. Në një analizë të bërë në Sigurim për qytetin e Korçës, Feçor Shehu hodhi orientimin armiqësor në kohën që dëgjoi shifrën e problemeve që ndiqeshin për spiunazh e ku përqindjen më të madhe e zinin ato për agjentë të zbulimeve të huaja, ai tha: “…..Ku vini ju, çfarë kujtoni, mos na mbytën spiunët”, që edhe kjo ndikoi që në qoftë se në vitin 1978 kishte 45 përpunime për agjentë të zbulimeve të huaja, më 1979 u ul në 40, më 1980, në 28 dhe në 1981 në 28.

Njëkohësisht ai dhe shokët e tij ndikonin nëpërmjet kuadrove që vinin nga qëndra, për t’i hequr problemet nga ndjekja dhe për të ulur numrin e tyre, duke ndikuar në mënyrë të tërthortë ose nëpërmjet miratimit të veprimeve të tilla. Nga Ministria, oficerët e drejtimit me porosi të Feçor Shehut kanë thënë: “Mos u merrni me vllehët, boll keni goditur për spiunazh, por u ulni në 2B”. Në një rast kur flitej për një agjent të mundshëm të moshuar, Hodo Hodaj (kryetar dege në Ministri), është shprehur: “Po juve, me pleqtë e Lidhjes së Prizrenit merreni”.

Në muajin mars të vitit 1981, në telegramin që dërgoi Feçor Shehu theksonte: “Çfarë po bëhet, se hetuesisë nuk po i vinë propozime. Ka rënie në ndjekjen e problemeve aktive për realizmin e përpunimeve, e cila duket edhe në propozimet e pakta që këto muajt e vitit 1981 i kini bërë Ministrisë”. Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, i kanë dhënë udhëzime Hetuesisë që: “asnjë i pandehur të mos dërgohet në gjyq në gjëndje mohimi”, ose tjetra që thoshte Feçor Shehu, se; “kush pushon çështjen, i ka hipur kalit në trockizëm”.

Nëpërmjet kërkesave të shumta për studime dhe analiza të ndryshme dhe detyrave që diktonin nga lart këta armiq krijonin mbingarkesë dhe burokraci të tepruar për të mos u marrë me problem thelbësore siç ishin ato të spiunazhit. Jemi influnecuar dhe kemi bërë gabime nga metoda e dhe veprimtaria e udhëheqjes së Ministrisë. Për shembull, u krijua tek punonjësit e Sigurimit mendimi se mund të jesh i mirë dhe në rregull po realizove arrestime. Po se si ishin këto, të ç’drejtimi dhe a duheshin bërë të gjitha, pavarësisht se fajësia ishte, është fjala për agjitacion e propagandë, këtë nuk e shihnim. Kjo na ka çuar në njëanshmëri, bile me pasoja, se të prirë nga më e lehta, duke rënë në disa raste dhe në ekstremizëm në fushën e agjitacionit e propagandës, kemi lënë pas dore një nga detyrat e rëndësishme, zbulimin dhe goditjen e agjentëve të zbulimeve të huaja. Me metodën e tyre drejtuesit e Ministrisë, sidomos Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, na kanë bërë shpesh të linim pas dore kryesoren dhe të merreshim me anësore dhe vogëlsira. Për shëmbull, ata të bënin gjëmën kur ndodhte ndonjë arratisje, gjë që s’duhet të ndodhë, por ata duke shfrytëzuar këtë na orientonin që gjithë kohën dhe vëmëndjen, punëtori operativ ta harxhonte vetëm në këtë fushë, si rrjedhim edhe ne linim detyrat e tjera të rëndësishme funksionale.

Kritika u bënë dhe për sektorin e Hetuesisë për nevojën e thellimit më mirë në procesin e kapjen e fijeve që dalin gjatë hetimit. Për të gjitha sa u thanë më sipër shokët komunistë bënë autokritikë dhe u shprehën: “Na ka munguar shkalla e vigjëlencës, kemi pasur tulatje për të kundërshtuar, në disa raste në punën tonë kemi vënë jashtë kontrollit të Partisë, ne nuk kemi pasur nuhatjen e duhur për rastet kur janë shkelur normat e Partisë dhe ligjet e shtetit, vigjëlencën ne e kemi kërkuar tek të tjerët vetëm jashtë organit, duke menduar se ne jemi të imunizuar nga gabimet dhe influencat armiqësore, kemi harruar se lufta e klasave zhvillohet edhe në gjirin tonë dhe parimin beso e kontrollo, nuk e kemi realizuar në tërë punën tonë të përditëshme. Për shembull, urdhërat dhe udhëzimet që vinin nga Ministri, ne nuk i kemi ballafaquar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha.

Disa të tjerë u shprehën: “Nga mungesa e përgatitjes ideo-politike në disa raste kemi huazuar disa veprime dhe metoda jo të partishme të armiqve, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., kemi ndrydhur dhe zbehur kritikën brenda organit e deri brenda organizatave bazë të partisë, disa gjëra që nuk shkonin dhe që ne i bisedonim me njëri tjetrin, nuk guxonim që t’i thonim në rrugë shtetërore dhe në Parti, jemi influencuar nga sjelljet arrogante të armiqve, të cilat i kemi përdorur në disa raste me vartësit tonë, etj.

  1. Disa nga drejtimet ku është pasqyruar kulti i kuadrove të organit

Gati në të gjitha organizatat bazë të Partisë u ngrit se ekziston kulti në kuadrot, veçanërisht në atë të Sigurimit e të Hetuesisë, si kuadro “më të mirë”, “më të besueshëm”, “të pakontrollueshëm”, “të pagabueshëm”, “që të bëjnë gjëmën”. Me veprimet e tyre disa kuadro të Sigurimit mundohen të krijojnë bindje tek të tjerët se ata bëjnë gjithçka dhe janë në korrent të plotë të çdo problem, se bëjnë punë “speciale”, e punëra “të mëdha”. Eshtë krijuar kulti se si punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jemi të paprekshëm e gradualisht u krijua koncepti se tek ata nuk ndikon ideollogjia e huaj borgjeze, nuk kuptohej se ata janë objekt dhe subjekt i luftës së klasave./Memorie.al

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT PARTISE SE RRETHIT

ENVER HALILI

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët