MENU
klinika

Agron Gjekmarkaj

Një mënyrë e thjeshtë për rikthimin e Ditmir Bushatit

23.02.2021 - 09:29

AGRON GJEKMARKAJ

Qysh ditën kur Ditmiri nuk hipi në makinën e Kryeministrit, teksa i bënë peshqesh Shqipërisë Gent Cakajn si ministër të Jashtëm duke i shkaktuar atij habi e zemërim, re të zeza u grumbulluan mbi të ardhmen e tij politike. Gaboi, duhej të ngjitej duke i lypur leje t’i puthte gomat para se të hipte. Nuk bëri asnjërën, por gropën vetes po ama,- ia hapi dyzet pash. Qysh asaj dite, Elisa i hoqi vështrimin dhe buzëqeshjen, duke ia kthyer vetëm për pak kohë kur lideri e takoi në kongres. Emrin dhimbje e ka kjo ndodhi.

I pat mbetur vetëm Niko, me të cilin ecnin korijeve në Parkun e Madh të Liqenit. Ishministri, i cili skuqej në vajin e vet, nuk e gjeti kurrë kurajën të linte mënjanë metaforat, por mbeti rob i zukamave të veta, që duhen katër palë syze për t’i zbërthyer. Personalisht, duke e parë sesi ecën kungulli në pellgjet e Tiranës si transoqeanik, e pata këshilluar nga simpatia për cinizmin e mbytur dhe nga krahasimi se çfarë erdhi pas tij të “shpëtonte” kryet, duke bërë lutje e letra publike me të qara aty këtu para kamerave me shpresën se zemra e artistit Edi Rama do zbutej e squllej.

Nuk e bëri gjakun ujë, edhe pse jo pak herë kur që ministër, me gjasë pjesë e qeverisë, por jo e pushtetit, dukej si hirra e Bushatlive të moçëm. Dy javë kanë mbetur dhe fati ngjan të ketë marrë udhën e qoftëlargut. Nga lideri, as fjalë, as psherëtimë, as lajmës e as shenjë. Por duke e njohur Edi Ramën, i cili është me hënë, po provojmë t’i japim ishministrit disa këshilla të vyera për të prishur magjinë e syrit të keq se si të veprojë në ditët e mbetura, që edhe ai të hipë në qerren e Rilindjes siç i ka hije.

Disa shkrime si ato që bën Sandrushi për t’i rënë në sy liderit, nuk do ishte keq. Në to, ashtu siç bën Sandri të theksohet gjenialiteti i Ramës, të dërrmohet Basha, Meta, Berisha dhe të argumentojë pse mandati i tretë është në duar të sigurta.

Një buzëqeshje dhe argumentim si ato të Damianit do të ishin mjaft frymëzuese te masa e gjerë, por lideri do të kuptonte se pragmatizmi për t’u sjellë si Shvejku e mposht krenarinë e inteligjencës ndoshta jo me të njëjtin sukses si te Damiani, ku nuk ka mbetur më gjurmë prej saj, por bajagi. Disa fjalime si ato të Sadri Abazit në Parlament, ku emri Edi Rama të shquhet si horizonti me tokën mes fjalive, sigurisht që do të bënte përshtypje të ëmbël.

Të dalë në televizion një ditë po e një ditë jo dhe si vetë qortim e mundje e egos të citojë Elisën, të flasë me patosin e saj e të argumentojë si ajo! Kur të mbarojë seanca e Parlamentit, t’i shkojë pranë Ramës dhe të sillet si Arben Ahmetaj, të bëjë shakatë e tij, të shfaqë krenarinë e tij, të bëjë komplimente si ai dhe ta këqyrë si Ogerta me të njëjtin admirim.

Meqenëse këto ditë na u shfaq dielli, të shkojë në Tepelenë dhe të shohë mrekullitë e Tërmetit e të bëjë një status si ai i Kumbarushës, “Termet bio Tepelene, ç’e pate fat” dhe në fund një tufë me lule dhe një foto te fotografia e liderit, e gdhendur në mur te Pallati i Sportit të Qytetit.

Sapo të bjerë bora, të hipë mbi borëpastruese dhe të hedhë kripë në rrugë si Nusreti mbi biftekun otoman, me atë delikatesë e lozonjari. Për libra që duhen lexuar gjithmonë, të konsultohet me Ulsiun dhe Alketin se ata s’kanë jetë pa leximin, pa të vyshken si lulja pa ujë.

Më pas, pasditeve e netëve të pagjuma, se gjumin as duhet ta çojë nëpër mend, të lexojë kujtimet e Etildës e lot të ngrohtë, trazime, të lëshojë mbi ata rreshta “Kur hidheshin themelet e Rilindjes”. Mësimet e nxjerra t’i reflektojë në shkrimet e përditshme. Rama është akuzuar egërsisht për aleanca me botën e krimit, por Ditmiri mund të gjejë anët epike të personazheve Robin Hudin në ta dhe t’i shpjegojë njerëzisë pse ishte strategjia e duhur ajo.

Duhet t’i lutet Nikos që të dëshmojë se gjatë vrapeve nëpër kodra vetëm e lëvdonte liderin ku herë pas here lëshonin një urraaa si pjalm e vesë mbi lule. Të zbërthejë thënien e Shpëtim Nazarkos ku e krahasonte Ramën me Ali Pashë Tepelenën, për negociatat që Rama bëri me Erdoganin dhe Micotaqisin, ku më 22 janar do zgjidheshin problemet e tyre në Tiranë me një resme të gëzuar zijafeti. T’i duket si i pakët krahasimi, sidomos po të kemi parasysh se ai Skënderbe është tanimë.

Të shkojë çdo ditë te stadiumi ku bëhen vaksina dhe të flasë për suksesin e procesit e sidomos të lëvdojë nismën për të vaksinuar “personalitet”, duke nëmur gojët e liga. Për Ilir Beqen të shkojë në Shkodër e të bëhet dëshmitar i ndershmërisë së tij prej qelibari, t’i bindë bashkëqytetarët e tij se duart e gjata i ka nga të punuarit që në vogëli dhe gishtat i janë zgjatur nga mundimet.

Kur në Parlament të shkojë herën tjetër, një tabelë të varë në qafë ku të shkruhet “thuaj yjet janë zjarr, thuaj dielli u shua, thuaj bota është varr. por mos thuaj që s’të dua” dhe pastaj ku i dihet, i madhi vë dorën mbi zemër e ai fesin mbi kaptinë e pastaj bjeri kavallit, o barku jem, si bilbili që knon në gem!

panorama

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!