MENU
klinika

Mesazhi i ndjerë i Dukës

Një tjetër ikonë e futbollit shqiptar ndahet nga jeta

22.02.2021 - 13:42

Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet. Ish-futbollisti i Tiranës në vitet ’70-’80, Seit Hyseni, është ndarë nga jeta. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur ngushëllimet:

“Miku im Tit Hyseni, siç e njohin shokët dhe sportdashësit, ka qenë pjesë e një plejade të shkëlqyer të futbollit shqiptar e veçanërisht të klubit kryeqytetas, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

I rritur si futbollist në ekipet zinxhir të Tiranës, ai ka luajtur edhe për një kohë me Shkëndijën e Tiranës, teksa ndiqte studimet në Institutin e Fizkulturës, ndërsa është aktivizuar edhe me disa prej Ekipeve Kombëtare të moshave.

Një qendërmbrojtës autoritar, Tit Hyseni ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë, duke qenë një pikë referimi për disa sezone e duke mbetur në kujtimet e arta të tifozëve. Edhe pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur ai dhe kontributin e tij të vyer për edukimin e brezave të rinj, duke punuar për disa kohë si trajner me ekipet e moshave të Tiranës.

Miqve dhe shoqërisë së tij do t’i mungojnë shumë vlerat njerëzore të Tit Hysenit, batutat e humori i tij i hollë, si edhe forca e tij e karakterit.

Personalisht dhe në emër të FSHF-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. U prehsh në paqe Tit Hyseni! I paharruar qoftë kujtimi yt!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN