Nuk ishin 10 mijë, siç edhe Kryeministri premtoi në fillim të muajit, por 7020 doza të cilat mbërritën dje përmes Aeroportit “Nënë Tereza”. Ashtu si në dërgesën e parë kreu i qeverisë ishte vetë i pranishëm për të pritur sasinë e radhës të vaksinave nga kompania “Pfizer”.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Rama tha se synohet që brenda marsit të mbërrijnë 40 mijë dozat e siguruara përmes marrëveshjes me “Pfizer”.
“Fillimisht erdhën 1170 doza, sot 7020 doza dhe sipas skedulit të ri të dhënë nga kompania pas bllokimit në gjithë Europën do vijojmë në javët në vijim për të përmbyllur brenda marsit të gjitha ato doza të premtuara e për të vazhduar në prill e maj”. Por edhe kësaj radhe Kryeministri nuk humbi rastin për të folur “me kode”. Pasi dështoi marrëveshja e parë me shtetin mik që do të dërgonte 3 mijë doza, por dërgoi vetëm 975, në horizont është shfaqur një tjetër vend mik që ka konfirmuar se do të dërgojë 360 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”.
Mungesa e një marrëveshjeje konkrete bëri që Kryeministri të ishte i kursyer me detajet, ndërsa i parapriu edhe aludimeve të mundshme se kjo lëvizje mund të ketë prapavijë politike, sa kohë na ndajnë më pak se 2 muaj nga zgjedhjet. “Një shtet mik na konfirmoi me shkrim dhënien e 360 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’. Do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill, por po e jap si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe vulosur marrëveshjen. Në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë mund të duket si propagandë e fushatë”, tha Rama. Ndërsa mbylli çdo mundësi për vaksinën ruse, Kryeministri la një shteg të hapur për vaksinën kineze. “Nuk përjashtoj mundësinë e vaksinave kineze, por nuk do të doja ta bënin se do të ishte shumë e rëndë për Bashkimin Europian”.
PLANI I VAKSINIMIT
Duke qenë se ka pasur gjithnjë konfuzion mbi sasinë e vaksinave që do të mbërrijnë dhe afatet, ministrja Manastirliu sqaroi se javën e ardhshme do të mbërrijnë 8 mijë doza të tjera nga “Pfizer”. Ndërsa në 1 mars dhe 15 mars do të vijnë 40 mijë dozat në total të serisë së parë të “Pfizer”. “Paralelisht përmes mekanizimit COVAX kemi marrë një përgjigje pozitive, ku janë 141 mijë doza të planifikuara për tremujorin e parë do të vijnë deri në 25 për qind e tyre, ndërsa në prill do të vinë edhe dozat e tjera”, shtoi Manstirliu. Javët e ardhshme do të vijohet paralelisht me profesionistët e shëndetësisë edhe me vaksinimin e të moshuarve, si edhe njerëzve me kontribute që sipas Kryeministrit “kemi detyrimin t’i ruajmë për aq kohë sa kemi ne në dorë për t’i ruajtur, se ne nuk jemi zoti”. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga nisja e procesit të vaksinimit janë 689 personel shëndetësor që kanë marrë dozën e parë dhe 558 personel shëndetësor kanë marrë dozën e dytë. Në total deri tani janë përdorur 1,247 doza të vaksinës anti-COVID. Një numër ky tejet i ulët. Por pavarësisht kësaj, Kryeministri vijon të thotë se ky proces do të përmbyllet brenda 14 muajve.