MENU
klinika

Pandemia rrit vetëvrasjet

Ky është vendi që ka emëruar ministrin për Vetminë

25.02.2021 - 10:09

U desh pandemia që në Japoni i gjithë kabineti qeveritar, me një krye Kryeministrin Yoshihide Suga, të krijonte një ministri për Vetminë.

Japonia, në përpjekje për të trajtuar rritjen e niveleve të vetëvrasjeve, për herë të parë në 11 vjet, për shkak të krizës së Covid-19, emëroi ministrin e parë për Vetminë.

Tetsushi Sakamoto mori pozicionin krijuar enkas më 12 shkurt dhe është gjithashtu përgjegjës për menaxhimin e nivelit të lindjeve në vend dhe forcimin e ekonomive rajonale.

Në konferencën e parë të shtypit, Sakamoto tha se Kryeministri Yoshihide Suga e emëroi atë për të administruar çështje kombëtare duke “përfshirë çështjen e rritjes së nivelit të vetëvrasjes së grave gjatë pandemisë”.

Suga më udhëzoi të prezantoj një strategji gjithëpërfshirëse, duke u koordinuar me ministrinë përkatëse. Shpresoj të kryejmë aktivitete që parandalojnë vetminë, izolimin shoqëror dhe mbrojnë lidhjet midis njerëzve.”

Qeveria japoneze gjithashtu krijoi një “zyrë kundërmasash izolimi/vetmie” brenda kabinetit më 19 shkurt për çështje të tilla si vetëvrasja dhe varfëria e fëmijëve – të cilat, po ashtu, janë rritur gjatë pandemisë.

Pak javë më parë, Kryeministri Suga deklaroi se Japonia ka raportuar gati 880 vetëvrasje grash dhe vajzash vetëm në tetor – një rritje prej 70 për qind, krahasuar me tetorin e 2019-ës, sipas BBC.

Sipas ekspertit japonez të vetëvrasjeve, Michiko Ueda, “shumë gra nuk janë të martuara. Ato duhet të kujdesen për veten, por nuk kanë punë të përhershme. Pra, kur diçka e papritur ndodh, natyrisht, ato goditen më fort sesa kategoritë e tjera”.