MENU
klinika

Analiza/Mustafa Nano: Pse Rama nuk “shkëlqeu” me krizën e vaksinave?

“Pas dështimit me Pfizer duhet t’u lutet rusëve. Jemi bërë më katolikë…”

03.02.2021 - 13:04

Kryeministrit Rama ia ka hequr qetësinë kriza e vaksinave. Ka menduar se, si i zoti që është në kohë krizash (ai e beson këtë), do dinte të bënte më të mirën edhe këtë radhë. Kjo ishte arsyeja që nuk humbi kohë, por mori avionin dhe e mbajti frymën në SHBA për këtë punë. Opozitarët u kapën pas një fotografie në një dyqan të New York-ut, me synimin për të bërë të besueshëm versionin se ai kishte shkuar atje për të psonisur, por kjo ishte një gjetje budallaqe. Unë besoj versionin se ai shkoi atje për të kontaktuar dikë që do t’i merrte përsipër një sasi vaksinash, të cilat përveçse do të ishin një lajm i bukur për shqiptarët, do t’i shërbenin edhe atij vetë si asi nën mëngë gjatë fushatës elektorale. Sikur të kthehej në atdhe me nja 500 mijë vaksina, fushata e tij do të përmblidhej te mesazhi: “Shyqyr që më patët mua në kohët më të vështira për kombin.”

Në fakt, mund të thuhet se ishte në lartësinë e detyrës gjatë dramës së provokuar prej tërmetit. Sikur t’ia dilte edhe kësaj here, imazhi i tij si njeriu i duhur kur kombi është në ditë të zeza do të ngjiste. Sipas të gjitha gjasave, ai kishte planifikuar t’i shushaste shqiptarët duke i bërë të ishin të parët në Ballkan që do të merrnin vaksinën anti-COVID. Por nuk ia doli. Nga SHBA-të u kthye ashtu si shkoi, duarzbrazët. Dhe ky dështim e bëri nervoz. Pas kësaj, bëri çmos për të marrë diçka diku tjetër para se këtë ta bënin kolegët e tij në Ballkan. Por aftësitë e tij prej “prestigjiatori” nuk i dhanë ndonjë gjë të madhe, sido që nuk e lanë pa gjë. Gjeti nja 500 doza, për të cilat tha se ishin frut i një marrëveshjeje bilaterale, të cilën çuditërisht nuk e bëri publike. “Vendi që na u gjend pranë në këtë ditë të vështirë më kërkoi të mos ia nxirrja emrin,” tha Rama. Askush nuk e ka idenë se ku i ka gjetur ato vaksina. Unë nuk besoj tek idiotësitë e tipit “nuk janë vaksina, janë shishe të mbushura me ujë fiziologjik”, por mungesa e transparencës ishte gjesti më i pagjetur në këtë histori. Aksioni i vaksinimit të popullsisë ka nevojë mbi të gjitha për transparencë. Ndryshe, teoritë konspirative do të zënë gjithnjë e më shumë vend në kokën e njerëzve.

I përndjekur prej idesë se dështoi, ai filloi të shiste 500 vaksinat “jetime” si sukses. Në një debat televiziv, Rama tha me krenari se maqedonasit nuk kanë siguruar asnjë vaksinë. Me këtë tregoi se e kishte pasur merak të ishte i pari, dhe i vetmi, në Ballkanin Perëndimor. Por përpjekja për ta shndërruar këtë aksion në një garë ballkanike ishte e kotë dhe qesharake. E nuk ka më keq sesa të humbësh një garë qesharake. Garën e fitoi Vuçiqi, i cili vaksinat e para i futi në muajin dhjetor. Dhe bëhej fjalë për vaksinat perëndimore Pfizer e BioNTech. Ndërsa, kur Rama shpalli fillimin e fushatës “Shqipëria buzëqesh”, Vuçiqi njoftoi se Serbia kishte nënshkruar kontratën me kinezët për një milion doza të vaksinës Sinopharm. Pak më herët kishte nënshkruar kontratën me rusët për të marrë vaksinën Sputnik V. Ndërsa ne vijonim të shullëheshim në diell me sytë nga Perëndimi. E kemi shndërruar Perëndimin në një makth tonin, duke gënjyer veten se e kemi busull. Jemi bërë më katolikë se Papa. E mbrojmë nderin e Perëndimit ashtu si askush në Perëndim. Duket sikur kemi kaluar në një proces të fortë trushpëlarjeje, në fund të të cilit jemi të gatshëm edhe të vdesim në emër të Perëndimit, në një kohë që vetëm kjo as nuk na kërkohet, as nuk i duhet ndokujt.

Rama e pati në dorë të merrte vaksina nga rusët. Ata na u ofruan vetë të parët. Por Rama refuzoi. Nuk mund të thuhet se bëri gabim, pasi vaksina ruse ishte zhvilluar në kushtet e mungesës së transparencës dhe nuk ishte e certifikuar nga agjenci shkencore të pavarura. Ishin të shumtë ata që menduan se rusët po i binin shkurt: nuk po harxhonin kohë me “vogëlima” procedurale e me peer-review-ra, të cilat japin saktësi mbi kurrizin e shpejtësisë. Rusët si rusët!

(Bash siç i paraqesin shpeshherë në filmat e Hollywood-it: kreativë, por jo rigorozë) Në këtë kuptim, Rama nuk bëri keq që i refuzoi. Mirëpo, refuzimi i tij ishte i çuditshëm. Sjellja e tij mua më kapi në befasi. E mbani mend se çfarë tha saktësisht? Ja, po ua risjell unë të perifrazuar: “Mendova se ajo ofertë ishte një meme. Sepse për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla qesharake.

Nuk është mirë që një shtet serioz si Rusia të bëjë këto provokime. Ambasada në Tiranë nuk mund të sillet sikur është seksion i Portokallisë apo konkurrent i Portokallisë. Nuk shoh arsye që Ambasada e Rusisë të përfshihet në aspektin e memeve. Ne jemi të fokusuar te vaksinat Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna.” Kishte mundësi ta prapësonte atë ofertë në mijëra mënyra elegante, por ai zgjodhi të shfaqej si një i lënduar, i fyer, i poshtëruar!!! Dhe iu vërsul rusëve në një mënyrë që askush para tij nuk e ka bërë, a thua se i kishte vënë vetes për qëllim të dilte si antirusi më i madh në botë.

Nuk e di për se mund t’i vlejë ky nam. Prandaj, shpresoj të jetë bërë pishman për atë përgjigje brutale. Ishte tamam e tillë, brutale, edhe pse në opinionin publik nuk pati asnjë reagim kritik ndaj kësaj sjelljeje. Madje, të shumtët duhet të kenë menduar se u dha përgjigjen e duhur, sepse së pari oferta nuk mund të ishte veçse një “sheqerkë me helm”, ngaqë dihet që atyre nuk i digjet barku për ne (në fakt, rusët thjesht po kërkonin mënyra për të promovuar vaksinën e tyre, e me këtë, të irritonin pak Europën), dhe së dyti rusët nuk kanë qenë, e me shumë gjasë nuk kanë për të qenë ndonjëherë miqtë tanë. Kjo e fundit është e vërtetë. Si zor që rusët të bëhen ndonjëherë miqtë tanë. Ose që të jem brenda, po them se ata do bëhen miqtë tanë kur ne të bëhemi miq me serbët. Sepse armiqësia ruse ndaj shqiptarëve kalon nëpërmjet serbëve. Mendja ma thotë se Rama të njëjtin gabim do ta kishte bërë edhe sikur oferta të ishte kineze. Do t’ua refuzonte me të njëjtën gjuhë.

Sepse edhe ata do t’i shihte si armiq të Perëndimit. Pse? Sepse vendi i tij, Shqipëria, ka për aleat BE-në dhe amerikanët. Një gjë krejt e panevojshme kur mendon se në SHBA i trajtojnë me shumë respekt rusët e kinezët. Madje, edhe me frikë. Sepse rusët do të mbeten për shumë kohë një fuqi e madhe ushtarake. Ndërsa kinezët do të dalin para SHBA-ve për nja dhjetë vjet, e do të mbeten të parët për gjithë kohën. Por kjo sjellje ishte edhe në dëmin tonë në këtë moment kur ne kemi nevojë për vaksina. Edhe sikur t’i lëmë mënjanë kokëçarjet e mëdha gjeopolitike, apo shqetësimin prej deklaratave diplomatike të improvizuara me gjuhën e rrjeteve sociale, neve na duhet të vaksinohemi. E prandaj, Rama ka kohë për ta ndrequr gabimin.

Dje u bë njoftimi se vaksina ruse Sputnik V e kaloi testin e institucioneve shkencore të Perëndimit, dhe rezultoi se efektiviteti i saj anti-COVID është 91,6%. Kjo do të thotë se ka një efektivitet të përafërt me vaksinat e tjetra të prodhuara në Europë apo SHBA. Shkurt, është një vaksinë që do na bënte punë, për sa kohë që nga Europa nuk po na japin garanci të qarta. Sikur të isha në vend të Ramës, do të tentoja rivendosjen e komunikimit me ambasadën ruse. Vetëm se tani duhet të jetë ai që duhet t’u lutet.

Kam frikë se është vonë, megjithatë. Rusët nuk kanë më interesa të na “qurraviten”. Kërkesat për vaksinën e tyre tanimë janë të tjera. Nuk ka njeri të mos e dojë atë vaksinë. E nuk ka njeri ta dojë më shumë sesa Edi Rama. Çfarë ironie!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lubonja analizon 2020: Pandemia përkeqësoi ekonominë

Qeveria dështoi me menaxhimin e situatës Covid-19