MENU
klinika

"Gabimi i SHBA-së dhe Anglisë"

Paskal Milo: Pse aleatët e lanë Shqipërinë në anën sovjetike

28.02.2021 - 14:07

       Amerikanët nuk patën lidhje me Abaz Kupin. Ata e gjykonin dhe e vështronin nga larg, në fillim me syzet britanike, por më vonë në pavarësi të plotë prej tyre. Deri në korrik 1944, ata nuk kishin mbajtur qëndrime të tyre zyrtare ndaj tij. Kur në qershor – korrik u shfaq projekti i bashkëpunimit midis F.N.Ç dhe Legalitetit me sponsorizim të fortë britanik, sekretari i Departamentit të Shtetit, Hall, u deklarua se “favorizojmë një marrëveshje jo politike midis Kupit dhe L.N.Ç për veprim të përbashkët kundër gjermanëve”.

Në korrik u diskutua edhe për një takim të mundshëm në Bari me ndërmjetësim të aleatëve midis Abas Kupit dhe Enver Hoxhës. Por kryetari i Legalitetit nuk u tregua bashkëpunues, u përpoq si përherë që të qëndronte mes aleatëve dhe gjermanëve. Në verë 1944, ai ishte plotësisht i angazhuar për të krijuar qeverinë e re kolaboracioniste me në krye aleatin e tij, Fiqiri Dine. Kjo qeveri nuk mund të krijohej pa pëlqimin e autoriteteve pushtuese gjermane.

Në gusht në Departamentin e Shtetit u arrit në përfundimin se Partia e Legalitetit “është kompromentuar seriozisht nga mosdashja e saj për të luftuar gjermanët dhe nga marrëdhëniet e saj intime me qeverinë kuislinge”. Po i njëjti mesazh arriti në këtë kohë në Uashington edhe nga këshilltari politik amerikan Mërfi (Murphy) në Komandën e Forcave Aleate të Mesdheut, i cili shkruante për Kupin se tani është “duke marrë mbështetje gjermane në formën e transportit të municioneve dhe të furnizimeve ushqimore” dhe se “ka evidencë në rritje se ai është duke bashkëpunuar me gjermanët”.

Në fillim të shtatorit 1944, Harry Fultz raportonte në zyrat qendrore të OSS-it se Abaz Kupit i është dhënë më shumë rëndësi nga sa meriton, se “Kupi nuk është politikan. Ai ka një reputacion ushtarak të fryrë, por aftësi të pakët ushtarake si një organizator ose teknicien…”. Kupi nuk e justifikoi besimin dhe mbështetjen e madhe të SOE-s. Ai e komprometoi veten me bashkëpunimin e fshehtë por “edhe të dukshëm me gjermanët. Faktet ishin të shumta dhe përpjekjet e Meklinit, Smajlit etj., për ta tërhequr qoftë edhe në akte simbolike lufte kundër gjermanëve dështuan.

Armiku i Kupit nuk ishin gjermanët, por Divizioni i parë partizan që po depërtonte për në veri të Shqipërisë dhe që rrezikonte zhdukjen e tij, si faktor tradicional influence në zonën Krujë – Mat. Ai bëri të shurdhër veshin ndaj këmbënguljes britanike për t’u hedhur në veprime simbolike kundër gjermanëve dhe vuri në pozitë të vështirë edhe aleatët e mbështetësit e tij Meklin dhe Smajli. Kupi e mbushi kupën. Londra urdhëroi në fund të shtatorit 1944, tërheqjen e oficerëve të ndërlidhjes prej tij. Amerikanët ishin me kohë të mendimit se, Kupi ishte thjesht humbje kohe për kauzën aleate.

SINOPTIKA ALEATE PËR PUSHTETIN E ARDHSHËM

Politika britanike dhe amerikane, duke ndjekur dinamikën e rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe të aktorëve kryesorë të saj, në verën e vitit 1944 u ndodhën para nevojës për të mbajtur një qëndrim të ri ose një rishikim të pjesshëm të saj. F.N.Ç kishte krijuar qeverinë e përkohshme në Përmet që në muajin maj dhe kërkoi njohjen e saj nga aleatët. Gjithashtu, pasi përballoi ofensivën gjermane të qershorit, forcat e UNÇL kaluan në një ofensivë në veri të Shqipërisë.

Britanikët dhe më pak amerikanët u përpoqën nga njëra anë të frenonin e të mbanin nën kontroll ofensivën partizane në veri, por nga ana tjetër bënë një përpjekje të fundit e të zgjatur për të nxitur Ballin Kombëtar e Legalitetin për t’u aktivizuar kundër gjermanëve. Në 5 qershor 1944 në Përmet, në takimin me misionin britanik, Enver Hoxha kishte pranuar që në rastin kur Abaz Kupi do të jepte prova konkrete të disa veprimeve luftarake kundër gjermanëve, FNÇL do të ishte i gatshëm që të bashkëpunonte me të.

Britanikët refuzuan ta njohin qeverinë e përkohshme të Përmetit dhe po kështu edhe amerikanët. Ata ushtruan presion mbi Enver Hoxhën përmes Komandës Aleate të Mesdheut, duke e kërcënuar edhe me ndërprerjen e furnizimeve ushtarake për të mos vazhduar operacionet në veri të vendit me frikën e shpërthimit të luftës civile. Tensionet duket sikur u fashitën në fund të korrikut e fillim të gushtit, kur një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ u ftua në Bari dhe bisedoi me përfaqësues të Komandës Aleate dhe u nënshkruan edhe disa marrëveshje. Por, marrëveshjet nuk u respektuan.

Balli Kombëtar dhe Legaliteti u përpoqën të fitonin kohë dhe siç do të pohohej më vonë edhe në Forin Ofis, “u bë e qartë se ata më shumë synonin të luftonin organizatën komuniste të FNÇ se sa t’u rezistonin gjermanëve” dhe meqenëse “disa prej grupeve të Ballit Kombëtar bashkëpunonin me gjermanët, ne tërhoqëm mbështetjen tonë prej tyre dhe ia dhamë atë të gjithë FNÇ”.

Në fund të shtatorit – fillim i tetorit 1944 britanikët dhe amerikanët të zhgënjyer përfundimisht nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti vendosën të largohen nga politika mëdyshëse që u ishte imponuar ose që ata shpresonin se do të ishte më e dobishme për të ardhmen e Shqipërisë. Është e drejtë mënyra sesi gjykuan e vepruan deri në atë kohë. Por, ata patën iluzione dhe e kuptuan vonë se Balli Kombëtar dhe Legaliteti e donin fitoren në tavolinë dhe se, në emër të antikomunizmit të tyre,atë do t’ua sillnin britanikët dhe amerikanët.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kishin bërë aleancë me Rusinë e Stalinit dhe kishte arritur marrëveshje të mëdha historike, duke shpresuar një botë më të mirë në paqe e pa luftra. Ato nuk ushqenin asnjë iluzion, se do të ndryshonte natyra e regjimit sovjetik pas luftës. Ndonëse Shqipëria nuk kishte asnjë peshë e rol parësor në luftë, ato respektuan ata që luftuan kundër armiqve të përbashkët, ndonëse mund të mos ishin dakord me bindjet e tyre politike. Shpresuan se në rrugë e sipër, do të mund të ndikonin e ta ndryshonin Shqipërinë.

Në fund të shtatorit-fillim të tetorit politika britanike dhe amerikane ndaj Shqipërisë, mori kthesën. Forin Ofis pasi ka diskutuar gjatë përcaktoi politikën e ardhshme ndaj Shqipërisë. Në dokumentin britanik të 2 tetorit 1944 shprehimisht thuhej se “interesat tona në Shqipëri janë absolutisht të kufizuara, por sigurisht nuk dëshirojmë ta shohim vendin të kalojë në orbitën ruse. Ne duhet megjithatë të synojmë në forcimin e pozitës tonë në F.N.Ç tani me qëllim që pas Lufte ne mund të jemi në gjendje të influencojmë qeverinë e FNÇ”.

Britanikët ishin kontradiktorë. Nga njëra anë kërkojnë të ndikojnë në rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme në Shqipëri dhe nga ana tjetër nuk njihnin qeverinë e përkohshme të Përmetit. Madje, Forin Ofis dëshmoi dritëshkurtësi në vlerësimin e situatës në vend, kur në dokumentin e mësipërm përmendte edhe rikthimin e mbretit Zog si një alternativë e mundshme në rastin e dështimit të qeverisë së FNÇ. Anëtarë të misioneve britanike në Shqipëri në këtë kohë paralajmëronin që “sa më shpejtë që të jepet njohja zyrtare F.N.Ç, qeverisë hije, aq më të mundshme do ta ketë qeveria e ‘Madhërisë së Tij’ të jetë e aftë që të rrit influencën e saj mbi të”. Gjatë gjithë muajit tetor 1944 në Forin Ofis u rrahën mendime pro dhe kundër, për çështjen e njohjes në fillim të qeverisë së përkohshme të Përmetit dhe pasi u formua edhe të qeverisë që doli nga mbledhja e 2-të e Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ në Berat, më 20 tetor.

Një pikëpamje ishte ajo e këshilltarit politik britanik në Kazerta Broad, sipas të cilit, “ne duhet të lemë F.N. Ç të vijë te ne dhe jo të përpiqemi të konkurrojmë me qeverinë sovjetike në këtë fazë… ne nuk kemi interesa britanike për të mbrojtur në Shqipëri” dhe “ne nuk do t’i përmirësojmë punët duke vrapuar pas Enver Hoxhës”. Forin Ofis nuk u pajtua me këtë qasje për FNÇ, por i kthehu përgjigje Broad-it, se “është e rëndësishme që ne duhet të përpiqemi për të vendosur një farë shkalle influence mbi të… se ne mund të rrezikojmë, duke pritur për të që të vij te ne”.

Britanikët informuan amerikanët për këtë qasje të tyre dhe kërkuan të ecej me të njëjtin hap. Departamenti i Shtetit vetë ishte në dilemë në çështjen e njohjes të qeverisë shqiptare të përkohshme. Një studim i tij i fillimit të tetorit paraqiste 16 argumente për mosnjohjen e saj dhe 20 argumente në favor të saj. Qëndrimin zyrtar amerikan për këtë çështje, më 5 tetor e shprehu sekretari i shtetit Hall, i cilim udhëzonte se pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, kushtet do të bëjnë të mundur “formimin e shpejtë të një qeverie të përkohshme përfaqësuese të gjerë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar”.

Uashingtoni dhe Londra u konsultuan edhe për një ftesë të mundshme të Enver Hoxhës në Itali, për të biseduar me gjeneralin Willson, por vetëm për çështje ushtarake. Amerikanët ishin të bindur se Enver Hoxha, në radhë të parë ishte i interesuar për çështjen e njohjes së qeverisë së tij dhe të furnizimeve ushtarake dhe vështirë të pranonte të vinte pa i vendosur në tavolinë ato. Këto dyshime çuan në përfundimin se ftesa për Hoxhën, ishte e papërshtatshme të bëhej në këtë kohë.

Ende pa u çliruar vendi, në Londër ishte konsoliduar mendimi se qeveria e re shqiptare, e sapoformuar në Berat, ishte e dominuar nga komunistët. Anëtarët e kësaj qeverie ishin të njohur mirë nga misionet britanike në Shqipëri dhe kishin pasur mundësinë të dërgonin në Bari, por edhe në Forin Ofis informacione të detajuara rreth tyre.

Për dy apo tre prej tyre, nënvizohej një ndjenjë probritanike, por për shumicën me në krye Enver Hoxhën, nuk vihej në dyshim orientimi i tyre pro- sovjetik. Ky vlerësim mbizotëroi në Forin Ofis në gjykimin edhe të kërkesës që kryetari i qeverisë së re shqiptare, Enver Hoxha, u kishte bërë qeverive të së tri Fuqive të Mëdha, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik, por edhe qeverive të vendeve të tjera për njohje.

Qeveria britanike edhe në tetor-nëntor 1944 vazhdoi të nënvizojë përparësinë e interesave të saj në Shqipëri në raport me Fuqitë e tjera të Mëdha. Njëkohësisht, i njihte vetes dhe të drejtën për të thënë fjalën e para për çështjet shqiptare, pavarësisht se shprehej për “interesa shumë të kufizuara” në këtë vend. Mbi këtë bazë, ajo në fillim të nëntorit 1944 iu drejtua qeverive të Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Sovjetik rreth kërkesës për njohje që kishte bërë qeveria shqiptare. Duke e vlerësuar situatën në Shqipëri konfuze, qeveria britanike propozonte që të mos njihej qeveria e përkohshme e dalë nga FNÇ.

Departamenti i Shtetit nuk u ngut që të kthente përgjigje, veç pas gati tri javësh. Ishte një përgjigje e studiuar dhe e argumentuar dhe që bënte diferencë me qëndrimin britanik. Në thelb Departamenti i Shtetit bashkohej me propozimin e Forin Ofis, për të mos i dhënë njohje qeverisë së re shqiptare. Por nuk mbeti me kaq, e la të hapur njohjen “në një të ardhme jo të largët”, në momentin kur autoritetet qeverisëse shqiptare do të kenë kontrollin de facto të vendit. Njohja de jure do të mund të bëhej atëherë kur qeveria shqiptare do të demonstronte se “ajo është jo-fashiste në karakter, se ajo ka vendosur autoritetin e saj në të gjithë vendin, se ajo përfaqëson vullnetin e popullit dhe është e përgatitur të plotësojë detyrimet e saj ndërkombëtare”.

       Shqipëria, në fund të vitit 1944, ishte mes optimizmit që ngjalli çlirimi i vendit nga pushtimi nazifashist dhe dilemave të orientimit për të ardhmen. Politika britanike dhe amerikane nuk u befasuan nga tendencat prosovjetike të fitimtarëve të luftës në Shqipëri. Ato gjykuan në mënyrë klasike, se qeverisja e re komuniste do të lejonte hapësira demokratike për alternativa të tjera politike dhe se, do të mund të ndikonin që vendi të mos rrëshqiste përfundimisht, në orbitën sovjetike. Por u gabuan, përgjegjësia e tyre qëndron mes vullnetit e kompromisit për të lënë Shqipërinë në anën sovjetike të ndarjes së sferave të influencës dhe injorimit që i bënë, duke nënvlerësuar rëndësinë e saj.