Letra e Presidentit Biden për Presidentin Vuçiç me rastin e Ditës së Shtetësisë serbe, shënon hyrjen e tij të parë në skenën globale në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, me cilësinë e të Parit të Amerikës. Mu për këtë, ndërsa Kosova ka hyrë në fushatë elektorale, menjëherë letra nisi të përdoret lokalisht prej palëve ndërluftuese. Dominuan dy qasje: e para, afër Vetëvendosjes, sipas të cilës Biden e nxori Amerikën nga pozita proserbe ku e kishte futur paraardhësi i tij Trump. Qasja e dytë është se Biden thjesht konfirmoi një pozitë te qëndrueshme bipartizan: SHBA pro shtetësisë së Kosovës, favorizon dialogun gjithëpërfshirës që përfundon me njohjen reciproke të dy shteteve.
E vërteta absolute i afrohet qasjes së dytë. Mirpo kur vjen puna tek veprat, Biden duhet të kapërcejë jo thjesht vetëveten (nën presidencën Obama), por dhe Trump, i cili ka vendosur një stekë vështirësisht të kapërcyeshme në rrethanat e reja. 21 vjet më parë si shef i Politikës së jashtme në Senat, në mbështetje të Presidentit Klinton, demokrati Biden i kontribuoi asokohe çlirimit të shqiptarëve nga genocidi serb, formimit dhe konsolidimit të shtetësisë së tyre, të cilin e shpalli ama Presidenti republikan Bush. E nëse është vërtetë solid qëndrimi bipartizan pro Kosovës, qasja e parë kosovare ndaj letrës së Biden është irrealistike, përdoruese elektorale e koniunkturës politike ndëramerikane, dhe paksa si rregullisht- edhe mosmirënjohëse.
Edhe Trump pro njohjes reciproke dy vjet më parë
Dy vjet më parë, madje disa ditë para festës serbe, Trump jo vetëm i ka konfirmuar të njëjtën gjë- ja përmend dy herë njohjen e ndërsjellë- Vuçiçit, por i ka shkruar dhe Thaçit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, për të ruajtur primatin mbi dialogun mes tyre. “Ne besojmë që njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike, me njohjen e ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën që ka si qëllim integrimin evropian të Serbisë dhe rritjen ekonomike”- i shkruante Trump, Vuçiçit, në 15 shkurt 2019. Pothuaj të njëjtën gjë ka shkruar dhe Biden një vit më pas: SHBA-të mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre” për integrimin evropian të Serbisë, zbatimin e reformave dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, “e cila përqendrohet në njohjen reciproke”.
Mjafton krahasimi i këtyre dy teksteve: administrata Biden është në të njëjtën linjë me administratën Trump, sa i takon njohjes reciproke. Mirpo ka dhe më shumë sesa kaq. Ajo e lidh në një mënyrë marëveshjen me Kosovën, me integrimin europian të Serbisë.
Ka një detaj tjetër: dy vjet më parë, Ambasada amerikane i ka bërë publike në të njëjtën ditë mesazhet për Vuçiç dhe Thaçi, ndërsa ngjan se mesazhi për ushtruesen e detyrës së Presidentes Vjosa Osmanin, është shtyrë pas zgjedhjeve. Që të mos ngjajë si mbështetje elektorale për të?!
Është plotësisht e vërtetë se Presidenti Biden, njohës i shkëlqyer i rajonit ka rol proaktiv në nxitjen e çlirimit të Kosovës, madje ai është i lidhur sentimentalisht me këtë vend, ku i biri i ndjerë ka punuar për një vit. Pra, mund të thuhet se senatori Biden ka vënë në lëvizje një proces të rëndësishëm historik për shqiptarët. Por ama ky proces që zgjat prej 22 vjetësh, mund të përmbyllej megjithatë mu prej rivalit të tij, Trump. Atipiku Trump ofroi qasje të re në metodologjinë e dialogut, në tempizmin, por dhe në cilësinë e tij.
Metodologjia e dialogut Kosovë-Serbi prej 1998
Ka një model të parë, ai i negociatave të Rambujesë, ku ndërmjetsonin europianët, amerikanët dhe rusët bashkë. Kjo përbërje u ruajt dhe në negociatat e Vienës në 2007, ku ekipi i Ahtisaarit kishte brenda dhe rusë. Në Vienë rusët u distancuan në fund nga propozimi i ish presidentit finlandez, duke mbetur megjithatë pro “një zgjidhje që respektonte tre parime: jo ndarje, jo kthim në gjendjen e mëparshme, jo bashkim me një shtet tjetër”. Dialogu rifilloi pas një rezolute të OKB-së së shtatorit 2010, me ndërmjetësimin e BE (Baronesha Ashton dhe Mogherini), ku amerikanët e administratës Obama-Biden e mbështesnin nga jashtë dialogun. Me rusët duhej folur në fund. Ky ishte modeli i dytë.
Modeli i tretë: Grenell, respektivisht administrata Trump me arrogancë iu imponua BE-së, ndaç dhe për ta shitur si sukses elektoral : dialogun e ndërmjetësojmë ne, me rusët flasim ne, ju europianët na ndiqni po të doni. Pra, një model ekskluzivisht amerikan, i bërë publik saktësisht në 18 dhjetor 2018 me një letër të Presidentit Trump për Vuçiç dhe Thaçi. I udhëhequr nga Grenell, si i dërguar special, ambasador në Gjermani, shef i 17 shërbimeve sekrete.
Ky model nisi të aplikohej 2 vjet para votimeve presidenciale. Po kush e vonoi përmbylljen e dialogut me njohjen reciproke për të cilin Trump në letrat e 15 shkurtit 2019, thotë se duhet të ishte në themel të marrëveshjes gjithëpërfshirëse? Kush prej aktorëve kosovarë, riaktualizoi modelin europian të dialogut, të cilin e konfirmoi me xhelozi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano? A nuk dështoi në 2019 moderimi gjerman; a nuk dështoi Samiti i Parisit i gushtit 2019 (me maska) me moderimin francez? A nuk ka shenja si propozimet innovative moderimi francez si u la të kuptohej nga takimi i fundit Macron-Vuciç, pasiqë serbët i kanë dhënë ndërtimin e metrosë në Beograd një kompanie të tyre? A nuk është degraduar pak dialogu me ndërmjetësimin e përbashkët të dy personazheve si Borrell dhe Lajçak që përfaqësojnë vende jo njohëse? A ka lidhje liberalizimi i vizave me dialogun sipas modelit europian? Sa ndikojnë zgjedhjet franceze apo të tjerat në dialog?
Ekuacioni duket shumë i thjeshtë. Dialogu u vonua prej taksës, reciprocitetit, publikimit të aktakuzës për Thaçin dhe të tjerët, dhe për pasojë ngjan se u vonua dhe njohja reciproke, me vetëdije apo pa vetëdije. Sa i takon shqiptarëve, njëjtë si në Rambuje dhe në Vienë, ata nuk u bënë bashkë, vepruan kundër modelit amerikan të dialogut që publikisht e donin shumë. Rezultati? Dialogu i shtatorit 2020 nuk u mbyll me njohjen reciproke. Zgjedhjet kosovare të 14 shkurtit 2021 mund të sjellin fitues shumë të qartë, por në dialogun me ndërmjetësim europian duhet të shkohet menjëherë nëse kërkohen viza. Duhet unitet dhe me opozitën që të arrihen objektiva të mëdha si njohja reciproke.
Në shtator 2020 si e pohon dhe sot Vuçiçi, njohja reciproke ishte në nenin 10. Vuçiçi e kundërshtoi dobët mbajtjen e saj, dhe madje futja e njohjes së Izraelit, bëri që Serbia të mos firmoste në të njëjtin tekst me Kosovën. Në 2 muajt që mbetën deri në votimet amerikane, për shkak të vonesës nga aktorët kosovarë dhe sabotimi franko-gjerman, administrata Trump nuk e bëri presionin deri në fund për njohjen reciproke. Po Biden si do sillet?
Sfida para Biden…. Por dhe udhëheqjes kosovare.
A pritet të ketë dallime midis dy administrative si ngjau në fushatat zgjedhore? Shenjat e para janë që jo. Në Senat, ndërsa votohej nominimi i tij, Sekretari i shtetit Blinken, bashkëpuntori i hershëm i Presidentit Biden, tha se duartrokiste qasjen ekonomike të Administratës Trump. Kjo qasje nuk ishte thjesht e Grenell si duan ta banalizojnë manipulantët e hapësirës shqiptare, por e Shtëpisë së Bardhë (Këshilltarit të sigurisë kombëtare), e USAID; e DFC, e Sekretariatit të Energjisë, dhe deri diku e Departamentit të Shtetit, sado që ai mund të jetë përjashtuar. Marrëveshja e shtatorit 2020, e cila polli marrëveshjen për mbështetjen e investimeve, për hapjen e zyrës së DFC në Beograd (Banka amerikane e investimeve), për projektet amerikane deri në 13 miliard dollarë që kontrastojnë ndikimin ruso kinez, mbetet në fuqi. Biden ka sfidën e madhe: ta përmbyllë procesin që vetë e nisi 22 vjet më parë, apo të humbë kohë duke ndejtur pas Europës si bëri dikur administrata Obama… Të emërojë të dërguar special të profilit të lartë si Grenell, të përfshijë këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, apo të presë prapa ish kryediplomatit spanjoll Borrell, i cili para pak ditësh dështoi para rusëve.
Pra Biden, është në trysni. Ose do të vijojë me mbështetjen e negocimit 100% europian, ose do të vijojë me modelin 100% amerikan të Trump, ose do të tërheqë me forcë europianët në një model të katërt. Me rusët ose do duhet të negociojë terma të reja, ose do të ndërlidhet me termat e ndonjë akordi eventual midis Trump dhe Putin në Helsinki!? Me apo pa njohje reciproke, kjo varet. Mirëpo europianët kanë në dorë kartën e vizave. Kush vonon dialogun, vonon vizat. Dhe ka një parim në diplomaci: sa më shumë të kërkosh, aq më shumë duhet të japësh. Kush është gati?