MENU
klinika

"Njeriu-muze"

Jetoi… plot 168 vjet!

22.02.2021 - 13:30

 Në botë, gjenden shumë vende që kanë tërhequr jo rrallëherë, vëmendjen e turistëve. Sidomos, për banorët më jetëgjatë dhe sekretin e tyre.

Azerbajxhani Jugor, që përfshin tre rajonet; Lankaran, Nagorno-Karabak dhe Lerik, është një ndër to, me përqendrimin më të lartë të 100-vjeçarëve, në Kaukazin jugor.

Lerik, një rajon pranë kufirit iranian, në malet Talysh, njihet veç të tjerash dhe për një muze tepër të veçantë, të njohur si “Muzeu i jetëgjatësisë”. I ndërtuar më 1991, muzeu mban më shumë se 2,000 ekspozita, që dokumentojnë jetën dhe kujtimet e banorëve më të vjetër të rajonit, kryesisht përmes fotografive, që datojnë që nga vitet 1930, si dhe objekteve personale të tyre.

Pjesë e muzeut është edhe historia interesante e një bariu, Shirali Muslumov, që supozohet të ketë jetuar deri në 168 vjeç.

Në pasaportën e tij, shkruhet se ai ka lindur më 1805 dhe ka vdekur më 1973. Nëse është e vërtetë, kjo do ta bënte bariun, njeriun më të vjetër që ka jetuar ndonjëherë. Në muze, ruhet dhe një kartolinë që udhëheqësi komunist vietnamez, Ho Chi Minh, i dërgoi Muslumovit, duke e përshëndetur me përkëdheli: “I dashur Babagjysh!”.

Ky gjen i jetëgjatësisë duket se trashëgohet edhe në familje. Vajza e tij 95-vjeçare, Halima Qambarova, thotë për CNN Travel, se mund të mos jetojë deri në 168 vjeç, si i ati, por të paktën shpreson të jetojë deri në moshën 150-vjeçare, si gjyshi ose 130, si tezja e saj. Qambarova, e cila ruan dhe flet një dialekt që përdoret vetëm nga 200, 000 njerëz, thotë duke qeshur, se ndihet vetëm 15 vjeçe.

“Sekreti i jetës së gjatë është ushqimi i mirë, mineralet në ujin e burimit, barishtet dhe çaji, që ne e konsumojmë për të parandaluar sëmundjet”, – shprehen banorët në Lerik. Ata këmbëngulin se kurrë, nuk kanë përdorur asnjë ilaç. Gjithashtu, konsumimi i mishit, produkteve të qumështit, por mbi të gjitha ajri i pastër i maleve të larta në Talysh, janë faktorët që, sipas tyre, i kanë bërë ata banorët më jetëgjatë të Kaukazit.

“Qetësia e mendjes, është pjesë e sekretit të tyre”, – thuhet në një udhëzues në muze.

“Ata e shmangin stresin, duke jetuar pa shumë plane ose shqetësime për të ardhmen.”

Por, vitet e fundit ka pasur rënie të numrit të banorëve më shumë se 100 vjeç dhe aktualisht,  atje gjenden vetëm 11 vetë kaq të moshuar, kur popullsia e zonës shkon në 83,800 banorë.

Sipas studimeve dhe sikur shprehen vetë banorët, shkaku është zhvendosja drejt qyteteve, si dhe ndryshimet mjedisore.