MENU
klinika

Me iso

Poetët janë përgjithmonë…

18.02.2021 - 14:54

       Poeti mori gjithë qiellin e shpiku fjalët. Ndaj, asnjë vjershëtor nuk shuhet. Shpirti i dlirë, endet sërish mes eterit e vendit ku zbritën në tokë. /Konica.al

Ditën e sotme, polifonia labe, folklori dhe vargjet e popullit bujar, thurur me mjeshtëri të hollë humbën një shtyllë të vjershërimit të këngës me iso. Lefter Çipa, poeti i dallgëve të mëdha përbrenda zemrës, ikur për në dritën që e ndriçoi ngahera, me bekimin e nurin e njeriut të kohërave. Poeti la këtë botë, por jo vepra e tij.

 

O natënë pa gdhirë mirë
Do takonem me barinë
Bëj të fle gjumi s’më zë
Çulja moj bie ëmbëlë
E dëgjon e gëzon xhani
I bije djalë çobani

Duke u tundur zbret nga zalli
Me shami lidhur tek balli
Tundu moj bejkë e bardhë tundu
Natënë me hënë duku
Bejkë e bardhë borë e malit
Ti je moj ilaçi i çobanit

O kur merr ujë tek burimi
Me dukesh si lule prilli
Tundu moj bejkë e bardhë tundu
Natënë me hënë duku
Bejke e bardhë borë e malit
Ti je moj ilaçi i çobanit

 

 

Vlerësuar edhe nga kritika, Lefter Çipa ishte përfaqësues i etnofolkloristët më të shquar të trashëgimisë kulturore, ndër poetët më interesantë, dhe poet atipik, me botën dhe profilin e tij, sa rebel si stuhia e malit, aq të dhembshuruar si loti i detit. Studiuesi i mirënjohur, akademik Shaban Sinani, thekson se poezia e Lefter Çipës të kujton më së pari, kangjeljet e Jeronim De Radës, që janë poezi dhe këngë njëherësh.

Çipa dhe kënga ishin binomi i patjetërsueshëm, assesi pa njëri-tjetrin. Po kaq, poeti ka qenë i lidhur me këngët që edhe në Malësinë e Gjakovës a Dibër, këndohen madhërishëm sa në Labëri e Himarë. Ai u bë burimi i pashtershëm për shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve bashkohorë shqiptarë. Ndërsa vargjet e tij lirike, vinin unike në muzikën popullore shqiptare.

Vetë artistët, miq të tij dhe admirues janë shprehur me superlativa për poezitë tij të këngëzuara, që ata i kanë cilësuar si me “vendin te flamuri me shtizë”.

“Virgjërimi i vjershërimit zgjon kompozitorin nga gjumi, për të hedhur notat në pentagram. Këngëtori dashuron atë që kurrë nuk e kishte menduar se do ta dashuronte: autorin e vjerëshërimit të këngës. Ky trekëndësh solid krijon pirustinë qiellore në art”- ligjëron Lefteri në kuvendet me miqtë atje, në brigjet e Jonit, “përkarshi detit të kaltër” te ballkoni i shtëpisë së tij bujare, me flamur kombëtar në Himarë. Lefter Çipa ka çdo darkë miq. Naimin e Çajupin. Ka Dritëroin e poezisë që i dritëron shpirti të kuvendojë me Lefterin e këngës. Të tjerët kanë nevojë ta kenë mik Lefterin … Ai ka botuar shumë libra. Mbi 20 tituj. Ndërkohë, ka shumë e shumë dorëshkrime me vlera të pallogaritshme për folkoristikën, etnologjinë, letërsinë, sociolinguistikën e shkenca të tjera humane. Por … njerëzit janë të ikshëm … Edhe të mëdhenjtë. Vepra u ngelet. Po ku ngelet? Si? Përse? Për çfarë? Ku e ka vlerën? “Ku peshon më shumë guri?!” – shtron pyetjen retorike vetë Lefteri në një nga këngët e tij të hershme e më të bukurat …

Shpirti poetik i Lefter Çipës shpaloset më së miri në poemën “O shokë vdeksha nga kënga”, përmes të cilës poeti shpjegon lidhjet e forta shpirtërore që ai ka me këngën dhe burimet nga ai frymëzohet. Çipa ka dëshmuar se ka pasur një lidhje të fortë me natyrën, me njerëzit, me historinë dhe shpirtëzimin e natyrës, me zogjtë, lulet, me stinët, me pyjet, me erën. Në poemë ai flet me një pezëm dashurie për prillin dhe majin “O shokë vdeksha nga kënga,/ Në një ditë prilli a maji…”, flet për zogjtë dhe bilbilenjtë “Aty në brigjet thëllëza,/ Ligjëroftë mëngjes e darkë…”, dhe “Zogjtë e bukur krahëlehtë,/ Ia thënçin me gjuhë të ëmbël…”, deri te “Midis lisave të gjatë,/ Kurorë ngritur në qiell.”, “Kur të fryjë erë e beharit,,/ Nga deti, a nga Kalbaqi…”, pra siç shihet është një manual konvencional në gjerësi dhe në natyrë, ku gjendet dhe shtrihet shpirti prej këngëtori, të cilit i blaton dhe ia bën kurban edhe jetën poeti Lefter Çipa.

“O shokë vdeksha nga kënga”, është ndoshta një nga poezitë dhe rrëfimet më të çiltra të ndonjë poeti, për lidhjen e fortë dhe motivet poetike që e ushqejnë poezinë shqipe./Konica.al

E mbase kjo, përshëndetja e tij e shpirtit… shkrirë në përjetësi 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit