MENU
klinika

Shkrimi i panjohur i 1913-ës

“Miting i math në Vlonë, kundër Klikës së Tiranës”

16.02.2021 - 13:45

         Publikohen disa shkrime të panjohura, botuar në shatorin e vitit 1913, në gazetën “Përlindja e Shqypniës” në Vlorë. Në njërin prej tyre, që e mundëson Memorie.al, autori, cili ka e nënshkruar atë me emrin (Met Fiso), i drejtohet Esat Pashë Toptanit, duke marrë në analizë të gjithë lëvizjet e tij politike dhe ushtarake. Të gjitha detajet e letrës, që nga lufta e tij heroike për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, arsyet e dorzimit të qytetit trupave malazeze e deri në dorëheqjen si ministër i kabinetin të Vlorës, ku pashai Toptanas dha dorëheqjen, pasi akuzonte Ismail Qemalin, se u kishte marrë kompetencat ministrave! Si dhe disa shkrime të tjera të panjohura nga shtypi shqiptar i vitit 1913, kryesisht në gazetën “Përlindja e Shqypniës”, ku disa patriotë të njohur, si: Mihal Grameno, Bahri Omari, Hiqmet Delvina, Kol Tromara, Ibrahim Shyti etj., i dërguan disa letra të hapura publike Esat Pashë Toptanit, ku i bënin thirrje që të hiqte dorë nga tradhtia që po i bënte Shqipërisë dhe qeverisë së Vlorës!

“Emnin e Esad Pashë Toptanit e njeh Shqipëria e tanë – qysh e njeh, s’asht pun jonë ta themi këtu. Edhe jashtë Shqipërisë emën i Esad Pashës u ba mjaft i njohur ahere kur luftimet e rrebta dhe të pahareshme në Tarabosh, Bërdicë e Bardhanjoll, banë që tan bota t’kujtojë trimërinë e atyne që e kanë mbrojtur Shkodrën ma shumë here në kohën e shkuar. Kur mori funt rol i Z. Esad Pashës, domethanë kur u dha Shkodra në dorën e Malazesve q’e kishin rrethuar, ahere edhe emni i mbrojtësit të saj hyni pak terr, në harrim, si dikur gjendesh ma parë. Hamja, (uria, shënimi ynë), thonë, e shtërngoi trimin Esad që t’a lëshojë qytetin tamam ahere kur Serbët, pjesa ma e madhe e ushtris që kish qarkuar (rrethuar, shënimi ynë), Shkodrën, baheshin gati për rrugë, ahere kur flota ndërkombëtare arriti në ujrat e Malit të Zi për ta vënë në punë vendimin e Konferencës së Londrës, për ta ç’qarkuar Shkodrën. Shkodra ra: shpresa e fundit e trimnisë shqiptare humbi; sendi që munt ta mbante më kambë sedrën e Shqipërisë, u zhduk. Me të dalë nga Shkodra me nderimet e pakursyera të malazesëve, ashtu si e meritonte një kundërshtarë trim, Z. Esad Pashaj vete në Tiranë, ku gjendesh Serbi”. Kështu shkruante në mes të tjerash gazeta “Përlindja e Shqypniës” që botohej në Vlorë, në një nga numrat e saj të shtatorit të vitit 1913, për Esat Pashë Toptanin, i cili asokohe ishte emëruar nga kryemnistri Ismail Qemali, në postin e ministrit të Punëve të Brendëshme të qeverisë së Vlorës që ishte formuar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntorin e vitit 1912. Për më shumë rreth këtij shkrimi ku autori i saj ka nënshkruar me emrin Met Fiso, si dhe disa shkrimeve të tjera të botuara asokohe nga disa emra të njohur, patriotë të shquar, si: Mihal Gremeno, Bahri Omari, Hiqmet Delvina, Kol Tromara, Ibrahim Shyti etj., të cilët e sulmuan publikisht në shtyp Esat Pashë Toptanin, duke hedhur ndaj tij lloj lloj akuzash, na njeh shkrimi në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë sipas gazetës ‘Përlindja e Shqypniës’, duke filluar nga numri i sotëm.

“Përlindja e Shqipniës”: Çashtja e Z. Esad Pashë Toptanit

Udobisht (normalisht, shënimi ynë), munt të kuptohet se një sëmundje e lehtë bahet e rrezikshme ahere kur shkon gjatë. Jo sepse ajo sëmundje ishte e keqe, po sepse, duke dobësuar trupin, e ban gati për sëmundje ma të rënda. Kështu ngjet me trupin e njeriut, kështu edhe me trupin e shtetit. Mënyra qysh u ba Shqipëria; të hynit brenda e të gjithë të huajve armiq; bisedimet e pasosme të ambasadorëve të Londrës; dyshimi që ka mbretëruar dhe akoma mbretëron mbi shumë çashtje për themelet e shtetit të ri në Ballkan – gjith këto e shumë të tjera, s’formojnë një sëmundje për atdhenë t’onë? Asht e varte, kjo sëmundje vjen duke u shëruar; gjithë ato çështje njana pas tjetrës, po marrin funt. Marin funt, po tepër ngadalë; sëmundja zgjatet dhe efektet, të këqijat që rrjedhin, doemos, prej një zgjatjes të tillë, po i shohim. Punët s’munt të marrin formën e tyne të vërtetë; shumë gjera për të cilat qeveria duhet të merrte masa të forta e të shpejta, kanë mbetur varur, as në qiell dhe as mbi dhe. Grekët vrasin e presin njerëz për fajin e madh që bajnë duke thanë se jemi shqiptarë; Serbët duke mos qenë ma të mirë se Grekët, s’punojnë ma mirë nga ata: vendasit ikin s’andejmë sepse nuk munt të durojnë keqësitë e zaptuesëve. Nga dalin gjith këto të këqia? S’ka dyshim, prej gjendjes së hepërheshëm, të përtashëm. Dëshira ma e madhe e Shqiptarit, sot, asht e duhet të jetë që kjo gjendje e sotme të marr funt s ama shpejt. Kush nuk e do këtë gja? Armiqtë e kombit t’onë.

“Çuditemi me Esat Pashën”!

Kushdo që punët tepër të ngatërrueme të ngatërrohen edhe ma keq? Armiqtë e kombit t’onë. Kush kujton se mund të gjenden midis këtyre armiqëve të Shqipërisë edhe një Shqiptar me famë? Çudituni këndues të këtyne rradhëve, habituni po dijeni se asht e vërtet. Emnin e Esad Pashë Toptanit e njeh Shqipëria e tanë – qysh e njeh, s’asht pun jonë ta themi këtu. Edhe jashtë Shqipërisë emën i Esad Pashës u ba mjaft i njohur ahere kur luftimet e rrebta dhe të paharëshme në Tarabosh, Bërdicë e Bardhanjoll, banë që tan bota t’kujtojë trimërinë e atyne që e kanë mbrojtur Shkodrën ma shumë here në kohën e shkuar. Kur mori funt rol i Z. Esad Pashës, domethanë kur u dha Shkodra në dorën e Malazesve q’e kishin rrethuar, ahere edhe emni i mbrojtësit të saj hyni pak terr, në harrim, si dikur gjendesh ma parë. Hamja, (uria, shënimi ynë), thonë, e shtërngoi trimin Esad që t’a lëshojë qytetin tamam ahere kur Serbët, pjesa ma e madhe e ushtris që kish qarkuar (rrethuar, shënimi ynë), Shkodrën, baheshin gati për rrugë, ahere kur flota ndërkombëtare arriti në ujrat e Malit të Zi për ta vënë në punë vendimin e Konferencës së Londrës, për ta ç’qarkuar Shkodrën. Shkodra ra: shpresa e fundit e trimnisë shqiptare humbi; sendi që munt ta mbante më kambë sedrën e Shqipërisë, u zhduk. Me të dalë nga Shkodra me nderimet e pakursyera të malazesëve, ashtu si e meritonte një kundërshtarë trim, Z. Easad Pashaj vete në Tiranë, ku gjendesh Serbi. Ushtri e Serbis u hoq sakaq prej atyne viseve dhe Pashaj me ushtarët që i kishin mbrojtur ma të madhin qytet të Shqipërisë, e zunë vendin e tyne. Zemrat t’ona të dërmuara prej ranies së Shkodrës, fitojnë ca fuqi; shpresa, gjer dje e pakët, zë e shtohet kur sheh armiqtë që po largohen nga viset e Shqipërisë. Qysh të mos gëzoheshim kur shihnim se fuqia e qeverisë shqiptare asht duke u shtuar, kur pandehnim se gjith energjia e një ushtari trim, e një Shqiptari me famë do të hyjë në dorën e Qeverisë, do të bashkëpunojë me të për të mirën e këtij vendi dhe të bijve të tij?

“Esadi u vetproklamua Mbret i Shqipërisë”

Kur ishim duke pritur që të vërtetoheshin të thanat t’ona, dëgjojmë ca lajme të cilat s’ ngjisnin fare me ato që prisnim ne; jo s’ngjisnin, por munt të themi se ishin krejt të përkundërta. Esad Pashë Toptani u proklamua Mbret i Shqipërisë! Një breshër që bie nga një qiell pa re, një gjyle në mes të dasmorëve do të mos baj përshtypje ma të madhe se sa bani në Shqipëri dhe përjashta lajmi se Esad Pashaj e quajti veten Mbret, kundër vullnetit të popullit shqiptar, kundër dëshirës së atyne që banë Shqipërinë. S’ka dyshim, u gjendën njerëz që t’a mbesojnë këtë lajm; po shumica e atyne që dinë të gjykojnë, as që e vunë re. Ja Esad Pashaj nuk asht Shqiptar, ja lajmi asht rrenë; ja Esad Pashaj s’di ç’ban, ja lajmi asht një vepër e Shqeve (serbo-malazezëve, shënimi ynë), – kështu flisnin bota. S’asht puna jonë të kërkojmë tani në ishin apo s’ishin pak a shumë të vërteta këto fjalë. Sot kemi tjetër punë; Të shohim a janë pak a shumë të vërteta ato që thotë bota për Esad Pashë Toptanin; në kanë të drejtë Shqiptarët t’i hedhin të shame atij që bani të vdesin aq mijë sllavë në fortesat e Shkodrës. Na, si e kemi nisur, ashtu do ta sosim këtë artikull; tregojmë qysh rrodhën punët në kohët e fundit. Pastaj, kush të dojë, le t’i gjykoj këto punë dhe le ta qortojë njenën palë duke i dhanë të drejtë tjetrës. Tirana dhe viset e tjera që gjenden nën hijen e fuqisë së Pashës, si dikur nën Serbër, prap ashtu mbetën edhe, ma vonë, pas ikjes së tyne. Pandenja, shpresa jonë për zgjatimin e fuqisë së Qeverisë, nuk u vërtetua. Trazime, mbledhje antishqiptare, këshilla të fshehta – gjith këto e kishin qendrën në Tiranë. Qeveria jonë nuk mori masa të ashpra kundër auktorëve t’atynë ngatërrimtarëve sepse desh të provojë sa pak rëndësi kanë këta dhe sa e parranjë (pathemel, shënimi ynë), asht vepra e tyne.

“Qeveria e Vlonës e emnoi Esadin ministër”

Këto punë s’muarr funt as ahere kur Qeveria e Vlonës, duke besuar se ban një vepër të dobishme për qetësinen e njësien e Shqipërisë, e emnoi ministër të punëve të brendëme Z. e tij Esad Pashë Toptanin. S’muarrën funt ato punëra, po e fytyrën këmbyen; zunë të bahen me një mnyrë zyrtare. Me të marrë emnimin si ministër, Zotnija e tij kërkoi leje të baj një udhëtim gjer në Romë e Vjenë që të çlodhet prej mundimeve të mëdha të luftës. Në kryeqytetet e të dy Fuqive mike, Z. Ministër i Punëve të Brëndme u çlodh dhe mbesojmë se u sigurua për disa gjëra: u sigurua se Shqipëria u bë për të gjithë shqiptarët baraz edhe se një ministër i këtij shteti të vogël, cilido që të jetë, nderohet, në ato vise, ma fort se në çdo vënd tjetër të botës. Si u kthye nga Roma e Viena, Pashaj, i pakënaqur me mënyrën e administrimit të disa viseve, si Tiranë, Kavajë, Durrës, në të cilat punonin akoma njerëzit të vënë në punë prej Serbëve, u nis për në rrugë dhe vajti po në ato vise, pa dyshim, për ta shtuar numrin e nëpunësve që duhej ta ulnin kokën nën urdhnin e Qeverisë Shqiptare, Mundet që ata nëpunës punonin tamam pas dëshirës së Qeverisë, dhe e mjera Qeveri s’e kuptonte a mundet që, me të vajtur Z. Ministër n’ato vise, nëpunësit premtuan se do ta ndryshonin mënyrën e punës, prandaj ministri nuk hoqi asnjë nëpunës po, përkundrazi, i riemnoi këta edhe emnoi edhe disa të tjerë porsi ata. Mbase kështu e donin interesat e mëdha të këtij shteti të vogël; këto gjëra s’i kuptonte lehtas çdo njeri. Si i vuni në rregull të gjitha punët në ato vise armike të qetësisë dhe të rregullës. Z. Ministër i të brendmeve u kthye në Vlonë, ndenji dy javë dhe, me të afruar bajrami, u nis sërish në Tiranë. S’ka dyshim një ministër të cilit i pëlqen rregulla aq shumë sa Zotëris së tij, nuk munt të rrinte i qetë në çiflig të vet t’i festojë të kremtet; po, pa reshtur ministri inspekton mënyrën e administrimit të Durrësit, Tiranës, Kavajës dhe Krujës.

“Esadi: Largohem se Ismail Qemali s’na la kopteneca”

Pas bajramit, mbështjellur të gjithë ministrat, ishin duke pritur shokun e tyne, Ministrin e të Brendmeve që t’i studjojnë e t’i apin funt disa çështjeve me interes të madh. Po, në vent të Zotit ministër, erth një telegram nga Durrësi, ku gjendeshe Zotërija e tij. Telegrami i çudituri si breshëri prej qiellit të kthjellët a si gjyleja në mes të dasmës – i çudti, habiti e i mahniti të gjithë ata që e kënduan. “Qysh, në një kohë kur atdheu edhe s’ka shpëtuar nga thonjt e armiqve, kur ulurimat e foshnjave, çupave dhe grave akoma nuk kanë pushuar, kur gjith bijt e Shqipërisë të cilët munt t’i sjellin atdheut një ndihmë sado të vogël janë mbështjellur në Vlonë dhe vuajnë nga të gjitha të metat e këtij qyteti, kur shikimet e tan botës së qytetnueme janë drejtuar më sympathi te Qeveria e Përtashme (përkohëshme, shënimi ynë), e Shqipërisë – ahere të gjenden shqiptarë të cilët të druhen prej shërbimit me të vërtetë adhetar, të largohen prej interesave themelorë të Shqipërisë”, të mbështillen në Durrës e të kërkojnë të ngrehin një tjatër Qeveri nën kryesinë e tyne? Kjo asht një gja të cilën s’munt ta kuptojnë ay që njeh sadopak interesat e sotme të Shqipërisë. Ja të shohim ç’shkruan Zoti Esad Pashaj në telegramin bombë. Në krye asht një parathënie me rëndësi letrare të veçantë…Aty, dërguesi thotë se Ti, kryetar i Qeveris – sepse telegrami asht dërguar te Zotërija e Tij – u a more nga dora fuqinë ministrave. Bane një nom administratë, e këshillove; i dhe funt ma shpejt se, pastaj vazhdon një proverb, një e thanë turke, sepse telegrama asht shkrojtur turqisht – e cila pas shqipes vjen shumë e shëmtuar, prandaj e leme më nj’ëanë. Me këtë nom i jep vetes fuqinë e një mbreti. Si mundet ta tregojë njeriu ma mirë nderimin që ka për më të madhin e vet. Munt të tregohet me një mënyrë ma të çkëlqyer fryma kryengritëse e njeriut qe e ka provuar kurdoherë se asht ma i madhi armik i qetësisë? Kush ngrihet kundër turbullimit? Ay që ka patur kurdoherë turbullime në vënt të vet, që e ka ndihmuar dhe e ka forcuar turbullimin. Kush bërtet për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve? Ay që s’ka dashur kurrë t’i njohë të drejtat të huaja? Ua more nga dora fuqinë ministrave, i thotë Z. Esad Pashë Toptani kryeministrit të Qeverisë. Cilit ministër i’a mori fuqinë: atij që s’di, atij që s’do apo atij që kërkon ta përdorojë fuqinë ministrore me një mënyrë të rrezikshme për interesat e përgjithshme të kombit? Na s’po shohim ndonjë Zotëri ministër të qahet se i shkelen të drejtat e veta; na, përkundrazi, po i dëgjojmë duke e lavdëruar palodhësin e plakut Kryetar dhe ndihmën e vlefshme që gjen çdo njeri në këshillat e Zotnisë së Tij. Apo mundet se i’u shkelën të drejtat ndonjë Zotëri ministri i cili në tre-katër muaj, s’ndenji të punojë dy javë rradhaz me shokët e vet? Apo mundet se i bani tjetërkush punët e atij ministri që s’desh a s’dinte t’i bënte vehtë? Na jemi se kjo nuk quhet e shkeluna e të drejtave. Po, eja të themi se një kryeministër i solli një shaje (e shau, ofendoi, shënimi ynë), një ministri duke shkelur të drejtat e tij. Mirë ç’duhet të bajt ahere ay ministër? Ilaçin e ka në dorë, heq dorë nga puna…Ma s’asht ministër po mbetet atdhetar. Të quhet një njeri ministër në kabinet të askujt, nën kryesin e këti, pa hequr dorë të tregojë botërisht se asht me tjatër mëndje, kjo për të parën herë po ngjet në Shqipëri. Bane një nom administrimi, thotë telegrami ma poshtë, e këshillove dhe i dhe funt me shpejtësi të madhe. Me këtë nom i jep vetes fuqinë e një mbreti. Kjo domethanë, n’a duket neve se, pas ati nomi, ministri i punëve të brendme nuk e ka të drejtën t’i emërojë e t’i heqë vetë, kur të dojë, pretorët (drejtorët, shënimi ynë), e mytesarifët. Me këtë na gjan se pakësohet fuqia e ministrit të të brendmeve. Si kudo ashtu dhe në Shqipëri, të emëruarit e këtyne nëpunësve të naltë bahet në këshillën e ministrave. S’asht punë që një pretor të ndërrohet kur të dojë zoti ministër. Po kjo që thamë gjer tani asht parathënia e kërkimeve të Zotit Esad Pashës; thelbi asht gjetkë. Pashaj i kërkon që qendra e qeverisë të bahet Durrësi – ku mbretëron Zotnija e tij; kërkon të mbështillet atje një mbledhje kombëtare e cila të zgjedhë ministra të tjerë – po veç Pashajt dhe Zotit Kryetar i Qeverisë. Në numrin tjatër do të flasim gjanas për mi këto kërkime. (Met Fiso).

Miting i math në Vlonë kundër Klikës së Tiranës

Dje në orën 10 u mbajt një miting i math, në Muradije, i cili ishte i organizuar prej një komiteti. Qëllimi i mitingut ishte që të protestojë kundra Klikës së Tiranës e cila ka paturpësinë që të sjellë turbullime sot kur Shqipëria ndodhet në një ditë të vështirë. Gjindja pra vrapoj në këtë miting me të cilën treguan fort bukur dëshirat e kombit shqiptar që kurrë nuk do të pranojë mendimet antipatriotike të ca njerëzvet që duan humbjen e Shqipërisë. Fjalën e parë e mori zoti Ibrahim, katundar i Vlorës, i cili tregojti nisjen e të prokllamuarit të vetëqeverimit Shqipërisë, thotë që ca re të zeza janë ngritur në Durrës edhe Tiranë nga ca njerëz të liq për të turbulluar qetësinë e Shqipërisë. Këta njerz tha kërkojnë që të bahet kryeqytet Durrësi, të ndrrohet kabineti duke formuar një të ri Esad Pasha dhe të kërkoj Princin që të vinj një orë e më parë, po thotë se këto kërkime (kërkesa, shënimi ynë), nuk munt të mbushen kurrë me qenë që kryeqyteti do të zgjidhet më vonë si të vinjë Komisioni Ndërkombëtar dhe Qeveria nuk munt të ndërrohet pa ardhur Princi, me qenë që Qeveria e përtanishme është zgjedhur nga kombi edhe kombi ka besim të plotë gjer të organizohet Shqipëria. Gjindja bashkohet duke bërtitur rroftë Qeveria! Poshtë klika tradhëtore e Durrësit! Pas zotit Ibrahim mori fjalën Mihal Gramenoja, i cili thotë që vetëm zemër Shqiptari nuk munt të ketë klika e Tiranës e cila përpiqet që të turbullojë vëndin me qëllimet antipatriotike. Të këtillë njerz janë armiqtë e kombit, të cilat janë të huajt se tjatër soj nuk munt të kërkojnë gjëra pa arsye, kur sot Shqipëria ndodhet në rrezik edhe ndodhet e shkelur nga armiqtë. Edhe për të provuar gjishtin e huaj, thotë që kjo klikë punon nën urdhrin e Dhespotit të Durrësit i cili është një grek edhe vetëm të mirën e Shqipërisë nuku do.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mit'hat Frashëri për bashkëkombasit

“Ali Pasha ka thënë: dy shqiptarë janë shumë!”

Esat Pasha nga Durrësi, për "Le journal"

“Gjysma e shqiptarëve duan Austrinë, gjysma Turqinë”