MENU
klinika

BE: Ne ishim shumë të qartë...

“Qeveria e re ta vazhdojë dialogun me Serbinë”

18.02.2021 - 13:13

Aleatja strategjike e Kosovës, ShBA’ja, e thotë troç që marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, teksa evropianët përmendin normalizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Zyra e kryediplomatit evropian, Josep Borell, në një përgjigje për Express thotë se Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me deklaratën e para dy ditëve, që qeveria e re në Kosovë duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë që i ka dhënë pardje gazetës zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps” ka thënë se dialogun me Serbinë qytetarët e Kosovës e shohin si të gjashtën ose shtatën si temë në renditjen e prioriteteve të qeverisjes.

Por përfaqësues evropianë dhe amerikanë presin që qeveria e re që do të formohet të ulet në tryezë të bisedimeve me Serbinë.

Zëdhënësi i BE’së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për Express ka përsëritur qëndrimin e shefit të tij Josep Borell duke thënë se BE’ja ka qenë shumë e qartë në deklaratën e tyre se presin që qeveria e re të vazhdojë dialogun.

“BE-ja ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët, të lëshuar të hënën nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Borrell, dhe komisioneri Varhelyi, që ne e presim formimin e qeverisë së re dhe, mes tjerash, gjithashtu presim nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta zënë mundësinë përballë tyre që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Stano.

Drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha vlerëson se qeveria Kurti 2 duhet që paralelisht të avancojë agjendën e brendshme dhe atë të dialogut me Serbinë.

“Konsideroj se është e gabueshme të mendojmë dialogun në terma ekskluziv. Konsideroj se nuk ka asnjë pengesë që qeveria e ardhshme e Kosovës të bëjë dy gjëra të njëjtën kohë – edhe të avancoj agjendën e brendshme reformuese në luftë kundër korrupsionit/krijimin e vendeve të reja punës, edhe të avancoj dialogun me Serbinë. Në këtë kontekst, Qeveria Kurti 2 do jetë për herë të parë nga shpallja e pavarësisë qeveri e cila do këtë mandat plotësisht legjitim i cili do jetë i lidhur drejtpërdrejt me vullnetin e qytetarëve. Në këtë drejtim, z. Kurti nuk ka marr mandat nga qytetarët për të kontrabanduar votën e tyre nga një mandat për drejtësi dhe ekonomi për qytetarët e Kosovës në një mandat dialogu me Serbinë” , tha Shasha duke shtuar se në reagimet e para SHBA dhe BE kanë bërë të qartë se dialogu është një nga pritjet kryesore të tyre nga qeveria e re.

Ai tha poashtu se deklarata e Vuçiçit se nuk do të ketë marrëveshje me Kosovën deri në vitin 2022, i krijon hapësirë qeverisë Kurti që të fokusohet gjatë këtyre dy viteve në çështjet e brendshme.

“E them “pothuaj paralelisht” sepse një aspekt i rëndësishëm i diskutimit mbi avancimin e dialogut është: koha. Dhe në këtë drejtim është shumë me rëndësi të rikujtojmë edhe deklaratën e Presidentit Vuçiq i cili përjashtoj çfarëdo mundësie që të këtë marrëveshje me Kosovën deri në prill 2022 kur do mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Kjo krijon një hapësirë kohore ku Qeveria Kurti 2 mund të fokusoj vëmendjen e saj gjatë vitit 2021/2022 në çështje të brendshme, duke zhvendosur vëmendjen më pastaj në vitin 2022/2023 në dialogun me Serbinë”, tha ai.

I pyetur nëse ShBA’ja duhet të ketë rol aktiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE’ja, Shasha tha se ShBA’ja dhe BE’ja janë pjesë e pandashme e boshtit të bashkuar perëndimor.

Sipas tij shoqëria kosovare duhet të insistojë në aleancën ShBA-BE pasi Kosova ka fituar çdo herë kur ka qenë shtyllë unifikuese e aleatëve transatlantik dhe jo faktor përçarës.

Drejtori i EPIK u shpreh se Kosova nuk duhet të shpreh asnjë preferencë por të bashkëpunojë me dy aleatët.

“Në këtë drejtim, roli ynë është të përkrahim konsensusin dhe bashkëpunimin transatlantik në dialogun Kosovë-Serbi. Në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme, dhe me përkrahjen e SHBA-ve, BE-ja është nikoqire e dialogut Kosovë-Serbi. Administrata Biden është duke përkrahur punën e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak dhe në këtë kontekst ne duhet të ofrojmë kontributin tonë në koordinimin çdo herë e më të afërt në mes BE dhe SHBA dhe në asnjë rast të mos bëhemi faktor përçarës në mes aleatëve tonë strategjik. Prandaj, institucionet e Kosovës nuk duhet të shprehin asnjë preferencë, as qëndrim, sa i përket diskutimeve bilaterale SHBA-BE përkitazi me qasjen, kornizën dhe rolin e tyre ë dialogun Kosovë-Serbi”, tha Shasha.

Kurse, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një mesazh urimi për 13 vjetorin e Pavarëisë së Kosovës ka përsëritur qëndrimin e shefit të tij që marrëveshja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përqëndrohet në njohje reciproke duke shtuar poashtu se palët duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis.

“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. SHBA-ja vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantike”, thuhet në mesazhin e urimit të kryediplomatit amerikan.

Albin Kurti në njëintervistëpër gazetën zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps” pardje ka folur për dialogun ku mes tjerash ka thënë se ky proces është midis gjashtë apo shtatë prioriteteve për qytetarët por që do të bënte kompromis dhe do ta vendoste këtë temë të tretën apo të katërtën.

“Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia! BE-ja dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa për një treg të përbashkët, kemi nevojë për investime”, ka thënë Kurti duke insistuar se Plani Marshall është i duhuri për Ballkanin Perëndimor si ndihmë e Bashkimit Evropian./GazetaExpress/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Përfundon marrëveshja e lëvizjes së lirë

Rikthehen kontrollet në Morinë

Brukseli, jashtë loje nëse Trump fiton zgjedhjet

Dialogu Kosovë-Serbi ndryshon pas 5 nëntorit

Me kë po e “zëvendëson” presidenti serb homologun rus

Vuçiç “braktis” Lindjen, refuzon ofertën historike të Putinit

Pse rriten shpresat për anëtarësim në NATO

Emërimi i Mark Rutte, “ogur” i mirë për Kosovën