Komiteti Teknik i Ekspertëve, u mblodh këtë të hënë për të vlerësuar ecurinë e pandemisë në vend. Ekspertët ngritën shqetësimin e rritjes së numrit të infektimeve, të cilët sipas tyre ka ardhur si rezultat i mosrespektimit siç duhet të masave, duke i vënë ‘fajin’ neglizhencës të treguar gjatë periudhës së festave të fund vitit të 2020-ës e javëve të para të këtij viti.
Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli theksoi se për momentin do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.
Gjithashtu ajo u ndal dhe tek hapja e universiteteve. Rakacolli konfirmoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me ministrinë e Arsimit dhe brenda kësaj jave do të ketë një vendim lidhur me mundësinë që të paktën provimet të zhvillohen në auditoret e universiteteve.
“Nga diskutimet e bëra nga ekspertë, mendohet se kjo rritje ka lidhje me moszbatimin e duhur të masave gjatë festave të fundvit dhe ditëve të para të janarit. Nuk janë respektuar masat siç duhet e maskave, distancimit fizik. Me rritjen e këtyre indikatorëve po vlerësohet shfaqja e mutacionit të ri. Deri më tani situata vijon të jetë e kontrolluar dhe për këtë arsye është vendosur që universitetet po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar diçka konkrete për këtë realizim dhe do të kemi maksimumi një vendim brenda kësaj jave. Gjithashtu do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një moment të dytë. Jemi në një moment delikat që lidhet me shirat, kemi mundësinë e ndryshimit të virusit siç dihet ka një shtim të infektueshmërisë së tij. Qytetaret duhet të zbatojnë me rigozitet mbajtjen e maskave respektimin deri në detaj të distancomit social dhe fizik, sepse ajo të mbron nga të gjitha maskat”, tha Rakacolli.