Kryeministri Edi Rama dha se ambicia e qeverisë është që rritja e pagës minimale të vazhdojë përtej 30 mijë lekëshit. Kreu i ekzekutivit në një komunikim me gazetarët u shpreh se ata që janë përfitues të kësaj pagë duhet ta shohin ketë si një proces që vazhdon.
“Paga 30 mijë lekë nuk është pikë mbërritje, por është një stacion në një rrugë që vazhdon. Kjo pagë nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, përkundrazi është një shumë sfiduese qoftë për subjektet që përfitojnë këtë pagë qoftë për ne që duam ta rrisim. Por krahasuar me ku ishim jemi ku e ku. Në 2013 kishte vetëm 22 mijë lekë pagë minimale, ku po të heqësh edhe sigurimet shifra bëhet e papranueshme. Sot jemi në 30 mijë lekë dhe dua tu them të gjithëve atyre që janë përfitues të kësaj page që duhet ta shohin ketë si një proces dhe si një stacion në një rrugë që vazhdon. Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje”, tha Rama.
Ndërkohë sipas tij, dyfishimi i ndihmës ekonomike do të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftës me pandeminë.
“Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë deri në fund të luftës me armikun e padukshëm dhe ndërkohë do të synojmë dyfishimin e saj konstant deri në fund gjithë kohës edhe pas përfundimit të kësaj lufte.Kush gjykon mandatin tonë të dytë dhe dëshiron të japë një gjykim objektiv mos harrojë që ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie gjatë gjithë këtyre viteve.“, u shpreh kryeministri.
Rama: Pala tjetër predikon taksën e sheshtë duke kërcënuar më të dobëtit
“Zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën tonë drejt të ardhmes dhe përbën një nga pikat më domethënëse të ndryshimit të madh në qasje, veprim dhe rezultat. Ndërkohë pala tjetër sot predikon taksën e sheshtë duke kërcënuar më të dobëtit me rikthimin në kohën kur 100% e bizneseve paguanin tatim fitimi 10% dhe tvsh”.