MENU
klinika

“Në prill vijnë nga një vend mik 360 mijë doza vaksina”

Rama jep lajmin: Këtë javë do të nisë vaksinimi anti-Covid edhe te më të moshuarit

15.02.2021 - 20:06

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë kësaj jave vaksinimi anti-Covid do të shtrihet edhe në dy qytete të tjera, përkatësisht në Vlorë dhe Shkodër.

Gjatë pritjes së dozave të reja të vaksinës së Pfizer në Rinas, kreu i qeverisë deklaroi se po këtë javë përveç bluzave të bardha, do të nisë vaksinimi edhe te më të moshuarit.

Kryeministri Edi Rama thotë se ka arritur marrëveshjen me “një shtet mik” për sigurimin e 360 mijë dozave të vaksinës “Astra Zeneca”, dhe që sipas tij mund të mbërrijnë në muajin prill.

Rama tha se nuk mund ta konfirmojë plotësisht që vaksinat do të mbërrijnë, pasi nuk ka ende një marrëveshje zyrtare, ndërsa shtoi se për të pranuar këtë sasi duhet edhe autorizimi i Pfizer, kompania tjetër e vaksinës anti-Covid me të cilën qeveria shqiptare ka nënshkruar kontratë.

“Sot ne kemi marrë një konfirmim me shkrim nga një shtet mik për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, që gjithmonë sipas këtij komunikimi do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill. Po e jap këtë si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe nuk kemi vulosur marrëveshjen. Sepse në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë, çdo fjalë mund të duket si propagandë. Konfirmimi është si rezultat i një dialogu shumë intensiv. Për momentin është mirë të respektojmë këto norma të reja të vendosura nga kjo situatë, ku 90% e punës bëhet me kode dhe biseda sekrete. Po e them këtë që sipas kontratës Pfizer të na lejojë ta zbatojmë marrëveshjen me shtetin tjetër. Nuk mund të aprovojmë këtë sasi, pa aprovimin e Pfizer”, deklaroi Rama.