MENU
klinika

Shifrat e rritura të pandemisë

Rama sulmon lokalet për rregullat, Manastirliu kritika mjekëve

09.02.2021 - 08:53

Gjoba më të larta ndaj qytetarëve që nuk mbajnë maskë dhe ndaj bizneseve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë. Qeveria ka vendosur t’i përgjigjet pikërisht kështu rritjes së shifrave të infeksionit përgjatë dy javëve duke sulmuar bizneset dhe duke e deleguar përgjegjësinë te qytetarët.

Nuk do të ketë asnjë kufizim në lëvizje dhe asnjë vendim për pezullim aktiviteti, siç po bëhet kudo në Europë dhe kjo jo pa qëllim, pasi çdo masë e tillë do të duhet të shoqërohet me faturë financiare nga pas. Përgjatë dy javëve të fundit shifrat e infeksionit janë rritur ndjeshëm, po ashtu edhe fatalitetet. Për ekspertët, ky përkeqësim i situatës është parë i lidhur me variantet e reja të COVID-19, por kjo ende s’mund të thuhet me siguri.

Virusi “anglez” ka nisur të qarkullojë thuajse në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, por nga autoritet shqiptare ende nuk është konfirmuar rasti i parë. Vijohet të thuhet se ka dyshime të arsyeshme, edhe pasi Gjermania raportoi të infektuar me variantin e ri një studente që sapo ishte kthyer nga Shqipëria. Në konferencën e djeshme për mediat, ministrja Manstirliu u pyet edhe për trajtimin me protokolle spitalore të pacientëve në banesë. Ndërsa e pranoi një gjë të tillë, Manastirliu paralajmëroi masa ndaj mjekëve që aplikojnë të tilla skema mjekimi. Ndërkohë, në shënjestër u vunë edhe farmacistët për sasinë e ilaçeve që po përdoren nga pacientët. Kryeministri Rama tha se në këtë histori bëhet biznes. Duke sjellë shembullin e Italisë, Kryeministri u justifikua duke thënë se ky është një problem i madh nga farmacitë.

TRAJTIMI I PACIENTËVE ME COVID NË KUSHTE SHTËPIE

Manastirliu: Nuk mund të them që kjo çështje që ju ngritët nuk është një çështje shqetësuese edhe për ne. Edhe për strukturat tona të shëndetësisë, por mbi të gjitha për ekspertët, të cilët vlerësojnë të gjithë ecurinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët, mbetet një shqetësim elementi që ka të bëjë me devijimin nga protokollet e standardizuara që ne aktualisht kemi. Aktualisht ne kemi protokoll të standardizuar për trajtimin ambulator në banesë. Një protokoll i cili ndiqet nga mjeku i familjes për dy forma të sëmundjes: formën e lehtë dhe atë të moderuar. Sa u përket protokolleve spitalore, dhe këtu bëj edhe një herë thirrje sepse është një shqetësim për ne, por mbi të gjitha për mjekët në spitale, të cilët vërejnë se vijnë qytetarë në kushte të vështira shëndetësore apo të agravuara shëndetësore, do të thotë që e traskurojnë veten apo simptomat, duke qëndruar në banesë, duke marrë terapi, të cilat në kushte të tjera do të jepeshin në spital, por duke u paraprirë ndonjëherë terapive në banesë e duke mos bërë ato analizat e nevojshme laboratorike, imazherike, më shumë ndonjëherë dëmtojmë se sa shpëtojmë.

MASAT PËR MJEKËT

Manastirliu: Sa i përket trajtimit në banesë ka pikërisht dy protokolle specifike për dy format e sëmundjes. Ajo çfarë ne jemi duke bërë, pikërisht sepse e vlerësojmë shqetësimin e qytetarëve të përcjellë sot nëpërmjet zërit tuaj, por më besoni, kemi shumë informacione që na kanë ardhur pikërisht për trajtimin në banesë me protokolle spitalore e për të cilat jemi duke marrë masa në raport me standardizimin e recetës farmaceutike të mjekëve kur ato dërgohen në farmaci dhe kjo recetë e standardizuar do të na mundësojë të shohim në kohë reale cili është mjeku që përshkruan këto barna për jo vetëm terapinë tashmë të COVID, por për të tërë terapitë. Mbi çfarë baze protokolli i përshkruan dhe sigurisht për të marrë masat e nevojshme.

NË SHËNJESTËR EDHE FARMACISTËT

Rama: Kur gjendja shfaqet kritike, duhet shkuar në spital. Kjo është gjëja që unë mund ta them, pa pretendimin për të dhënë përgjigje shteruese apo për të folur këtu si ekspert. Aspekti tjetër, për fat të keq është që në këtë histori bëhet biznes, jo në Shqipëri, por kudo. Në Itali, për shembull, ky është një problem i madh nga farmacitë dhe u jepen njerëzve ilaçe pa fund. Ne e kemi thënë në mënyrë të përsëritur që gjëja më e udhës është të merret receta e mjekut të familjes e të bëhet trajtimi bazë, gjithmonë, për sa kohë që gjendja nuk është kritike. Në momentin kur gjendja fillon të bëhet kritike, aty pastaj patjetër që janë përsëri autoritetet shëndetësore që vendosin e të çojnë në spital.

VIRUSI “ANGLEZ”

Manastirliu: Vërehet se në javët e fundit dhe për me tepër në javën e 5-të të vitit ka një trend në rritje të rasteve të konfirmuara me Covid-19. Një trend i pritshëm, sipas ekspertëve, që lidhet me sezonin e dimrit dhe kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid, që bazohen në rritjen e rasteve të të rinjve të prekur, në rritjen e numrit të riinfektimeve dhe në sinjalet që vijnë nga Laboratori i ISHP-së. Po vijojmë të çojmë mostra në Berlin për të konfirmuar këto dyshime”, tha Manastirliu.

ASHPËRSIMI I MASAVE

Rama: Nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm, sigurisht që do të ndodhë kështu. Do të jetë Policia e Shtetit, do të jenë inspektoratet që do ta imponojnë me forcë zbatimin e masave dhe natyrisht, me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim. Në ditët në vijim do t’i rrisim gjobat për baret, restorantet, lokalet, qendrat tregtare dhe do të bëjmë një shkallëzim, sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzim. Këto ditë do të shikojmë reagimin mbas këtij mesazhi dhe ndërkohë do të përgatitemi për zbatimin rigoroz të masave dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë kufizime të tjera, pa dashur kurrsesi të kthehemi te kufizimet e forta të vitit të shkuar. Jemi shumë të bindur që tani duhet të reagojmë me forcë, në qoftë se nga ana e njësive tregtare nuk do ketë reagim dhe sigurisht të reagojmë jo me forcë, por më fort me qytetarët që nuk venë maskën në të gjitha mjediset ku janë jashtë shtëpisë.

KAPACITETET SPITALORE

Manastirliu: Nuk është vetëm rritja e numrit të infektimeve, por është gjithashtu dhe situata në spital dhe padyshim përqindja e pacientëve, të cilët janë në kujdes intensiv. Deri më tani ne kemi një situatë të kontrolluar të spitaleve, aspak të mbingarkuar. Përveç 550 shtretërve të dedikuar në 4 strukturat tona, janë në tërësi 1600 shtretër në spitalet rajonale, të cilët janë në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID, të cilët kanë problematika shëndetësore të rënda dhe që janë në gatishmëri për të ofruar kujdes shëndetësor. Gjithashtu, edhe për sa u përket terapive intensive në vend ku janë vetëm 32% e kapaciteteve të zëna deri tani, për sa i përket terapisë intensive në katër spitalet COVID. Nga ana tjetër, patjetër, një alert i shtuar dhe që bën pjesë dhe në tërësinë e kritereve të vlerësimit janë dhe fatalitetet, të cilat vlerësohen dhe ato në tërësinë e gjithë kritereve që iu shpjegova. Pra, duke vlerësuar në mënyrë dinamike këto kritere epidemiologjike, do të kemi dhe masa, të cilat ndërmerren nga Komiteti i Ekspertëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritja e numrit të viktimave nga Covid/ "Mos të detyrohemi të kthehemi të…"

Rama: Masat nuk po respektohen, sjellja e disa politikanëve e patolerueshme!

“Bëhet biznes kudo nga farmacitë”/ Rama flet për qytetarët që trajtohen në shtëpi

“Virusi duhet trajtuar me kura bazë, pa u turrur për të…”