MENU
klinika

Vetëm gjysma e tyre do jenë në fletën e votimit

Regjistrohen 46 parti për zgjedhjet e 25 prillit!

26.02.2021 - 12:52

Një ditë pasi përfundoi afati për regjistrimin e koalicioneve Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dha një panoramë të numrit të subjekteve të regjistruara, të kandidatëve të pavarur dhe së fundmi edhe të koalicioneve.

“Janë regjistruar: 46 parti politike, 8 komitete nismëtare që do të organizojnë punën për 8 kandidatë të pavarur në qarqet Gjirokastër, Tiranë, Lezhë, Dibër, Shkodër dhe Berat”, tha Celibashi.

Ndërsa tregoi edhe tri koalicionet që u regjistruan ditën e mërkurë. Aleanca për ndryshim ka në përbërje të saj 13 parti ku përfaqësuese është Partia Demokratike. Aleanca Ora Kombëtare, Emigracioni, Bashkimi Popullor dhe Konservatorët ka 4 parti, ndërsa koalicioni Aleanca ka në total 7 parti.

Tashmë e kemi të qartë se sa subjekte do të shfaqen me logon e tyre në fletën e votimit. Nga 46 parti të regjistruara në KQZ si subjekte zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhje, në fletën e votimit do të shfaqen thuajse gjysma e logove të tyre. Nga 46 parti, gjysma e tyre janë bashkuar në tri koalicione.

Partitë që do të jenë janë në një koalicion kanë rënë dakord që të përfaqësohen me një logo partie, ndërsa në varësi të vendimmarrjes së Komisionit Rregullator pas datës 8 mars do përcaktohet nëse kandidatët e një partie brenda një koalicioni do të kenë edhe siglën e partisë që përfaqësojnë.

SHTYRJA E AFATIT TE KARTAVE ID

Ashtu siç pritej, Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi bëri me dije dje se do t’i kërkojë qeverisë që të shtyjë vlefshmërinë e kartave të identitetit deri pas zgjedhjeve në mënyrë që t’u krijohet mundësi qytetarëve që të votojnë.

“Sipas ekstraktit të fundit janë 3.594.872 zgjedhës, mes të cilëve 932 mijë qytetarë të cilëve u ka skaduar dokumenti i identifikimit. KQZ-ja do t’i adresojë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave dhe pasaportave të paktën deri më 30 prill.

Pas datës 8 mars që përfundon dhe afati i dorëzimit të listës së kandidatëve për secilin subjekt zgjedhor, KQZ-ja do të fillojë procesin e verifikimit të kandidatëve”, tha Celibashi.

Ndonëse për kartat e skaduara ka një zgjidhje, Komisioneri thotë se rrezikojnë që të mos votojnë qytetarët, të cilët janë me COVID-19, pasi ligji nuk parashikon votim të veçantë për ta.

“Nëse qytetarët janë të pamundur për të dalë nga shtëpitë e tyre për arsyet e COVID-19 ne s’kemi asnjë lloj mundësie për t’ua ofruar shërbimin e votimit atje ku banojnë. I vetmi përjashtim që sanksionon Kodi Zgjedhor ka të bëjë me qendra të posaçme që ngrihen në institucione, siç janë burgje dhe në rast ku ka jo më pak se 15 zgjedhës.

Nëse partitë dhe Parlamenti dakordësohet mund të bëjnë ndryshime në ligj për të gjetur zgjidhje në këtë, por e shoh të vështirë që të bëjmë një zgjidhje. Ata do vazhdojnë të ngelen pa votuar sa kohë të jetë ky kuadër”, vijoi Celibashi.

Javën e kaluar, KQZ-ja bëri me dije se partitë dakordësuan që pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik të implementohet në Tiranë, ndërsa ditën e djeshme Celibashi ndau me qytetarët dakordësinë e arritur mes palëve për njësitë ku do implementohet në Tiranë.

“Gjatë konsultimeve me partitë politike në mënyrë informale është dakordësuar që njësitë administrative Nr. 8 dhe Nr. 3 në Bashkinë e Tiranës, të jenë njësitë administrative për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimin elektronik të votave. Gjithsesi, akoma nuk është përcaktuar në mënyrë përfundimtare përmes vendimmarrjes, pasi po presim konfirmimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje”, tha Celibashi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘Çfarë ka ndodhur më parë ka marrë fund’

Celibashi: Në 25 prill jam i gatshëm të përballoj çdo lloj presioni