MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

Sandwich midis Yuri Kim-it dhe Tom Doshit

12.02.2021 - 16:19

Në orët e paradites më zuri syri një lajm mbi një qëndrim timin lidhur me çështjen “Doshi”. E kishin nxjerrë prej një interviste dhënë për televizionin MCN. Këta gazetarët që zbardhin intervista të tilla, duhet të bëjnë një gjë minimale, dreqi ta hajë: duhet t’i bëjnë ndonjë sistemim sintaksës, duhet t’i pastrojnë fjalitë prej frazave parazitare e prej përsëritjeve, që në të folur nuk mund t’i shmangësh dot.

Por lidhur me thelbin, nuk kam ndonjë objeksion, sidoqoftë. Thjesht, po shfrytëzoj rastin për ta bërë disi më të qartë qëndrimin tim lidhur me këtë çështje, në të cilën ambasadorja amerikane është investuar me një zell të madh.

Personalisht, nuk kam pasur ide se çfarë ka bërë Tom Doshi. Nuk e di as se ç’biznese ka ngritur, si i ka ngritur, dhe sa të suksesshme i ka. Nuk e njoh as si person. Nuk më ka lidhur asgjë me të. Kurrë. Nuk kam pasur rast të shkëmbej as ndonjë fjalë.

Pikërisht sot, para se të bëja këtë shkrim, bëra disa telefonata me njerëz që janë më kompetentë në fushën e tomdosh-ologjisë, dhe mora vesh se ka pas qenë i dënuar në vitin 1990 për plagosjen e dikujt me thikë. Me atë rast ka ndryshuar edhe mbiemrin nga Dashi në Doshi. Dihet ndërkohë, që Ambasada Amerikane ia ka vënë kufirin te thana. Ai nuk mund të hyjë në territorin e shtetit amerikan.

Ambasada e ka praktikë pune të mos i shpjegojë vendime të vetat të kësaj natyre, por thuhet se dinë gjëra që provojnë se Tom Doshi është biznesmen problematik. Por kjo e fundit nuk na thotë ndonjë gjë kushedi se çfarë. Me standardin amerikan, të gjithë biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë, janë problematikë.

Tom Doshin si politikan as që e fus fare në llogari. Nuk më përfaqëson mua në asnjë mënyrë. Në asnjë rrethanë. Për asnjë çështje. Nuk më përfaqëson sidomos për mënyrën se si e ka shtënë në dorë Partinë Social-Demokrate. E ka shtënë në dorë me një logjikë biznesmeni. Kalimi i asaj partie një ditë prej ditësh, sikur të ishte një pasuri e patundshme, nga duart e Gjinushit në duart e Doshit është një nga ngjarjet politike më të çuditshme të Shqipërisë së tridhjetë viteve të fundit.

Duhet të jetë për t’u futur në librin e “Rekordeve Botërore Guinness”, ngaqë nuk besoj të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër. Skënder Gjinushi na e ka borxh një shpjegim për këtë. Por atij nuk ia kërkon njeri këtë shpjegim. Dhe Ambasada Amerikane nuk e ka shpallur persona non grata. Vetë ambasadorja amerikane me siguri e ka pritur dhe përcjellë. Afërmendsh, është kryetar i Akademisë së Shkencave.

Mendja ma thotë se Yuri Kim nuk ka ndonjë kunjë personale me Tom Doshin. Mendja ma thotë, gjithashtu, se ajo është e mirinformuar lidhur me të. Midis saj nga njëra anë, dhe institucioneve shqiptare që kanë për detyrë të hetojnë apo vet-ojnë personazhe të jetës politike shqiptare nga ana tjetër, unë besoj më shumë atë. Ajo nuk ka ndonjë konflikt interesi kur flet. Dhe nuk ka arsye ta përdorë informacionin që ka, ex officio, me synimin për të bërë ndonjë lojë politike. E përjashtoj si mundësi një gjë të tillë. Madje, jam i sigurt se, ndonëse është në Tiranë për të kuruar e mbrojtur interesin e vendit të vet, ajo nuk i do të keqen vendit tonë.

Dhe këtë nuk e them thjesht për Yuri Kim-in. E them për ambasadorin amerikan në përgjithësi. Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që mendojnë se aleanca me SHBA-të është një fat që na ka mbirë në derë. Dhe prandaj, këtë aleancë duhet të bëjmë çmos për ta ruajtur. Sikur të isha politikan, mbrojtjen e konsolidimin e kësaj aleance do ta shpallja si qëllimin e jetës. Ata që bëjnë të kundërtën, nuk kanë mirëkuptimin e mbështetjen time. Një nga arsyet që më bën ta shoh Albin Kurtin me dyshim e qortim është anti-amerikanizmi i tij. Nëse në të vërtetë nuk është anti-amerikan, atëherë më duhet të them se nuk e kuptoj pse dreqin nuk bën asnjë përpjekje për ta bërë të qartë këtë gjë.

Por… kujdes! Ka dy saktësime që duhen bërë në këtë mes. Së pari, një ambasador amerikan është një ambasador. Nuk duhet ta ngatërrojmë me SHBA-të. As Presidenti amerikan nuk duhet ngatërruar me SHBA-të. Sikur të ishte ndryshe, mua SHBA-të do më kishin dalë qejfit gjatë muajve të fundit, në periudhën postelektorale. Por nuk ndodhi kështu. Madje, nuk kam qenë kurrë më pro-amerikan sesa në këta muaj, në harkun e të cilëve kam ndjekur me shqetësim çdo zhvillim politik në Washington. I kam ndjekur ngjarjet atje me po atë pasion që ndjek edhe zhvillimet politike në vendin tim. Dhe SHBA-të, ndonëse më kallën frikën, në fund nuk më zhgënjyen. Për ta thënë me fjalët e mësipërme, SHBA-të nuk më dolën qejfit. Ishte Trump-i që më doli qejfit. Që ma shpifi, më saktë.

Së dyti, më duket shumë absurde ideja që fjala e ambasadorit amerikan të bëhet ligj në këtë vend. Unë dua që vendi im të qeveriset me ligje, dhe është në këtë drejtim që Ambasada Amerikane duhet të na bëhet krah. Duhet të na ndihmojë pra, që të instalojmë një rule of law, duhet të na ndihmojë të bëjmë reforma të rëndësishme, siç ka bërë, fjala vjen, me atë të sistemit të drejtësisë, duhet të na ndihmojë të forcojmë institucionet publike, të rrisim legjitimitetin e autoritetin e tyre, për rrjedhojë besueshmërinë e publikut në to.

SHBA-të vetë shpëtuan prej institucioneve, kryesisht gjykatave. Për mua, leksioni më i madh i asaj që ndodhi përtej Atlantikut është: “Institucionet kanë rëndësi. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi sa ato. Vullnetet individuale, edhe në qençin të virgjëra, nuk mund të dalin mbi vullnetin e institucioneve, edhe sikur këto të fundit të jenë gabim. Pikë.”

Në këtë kuptim, nuk ka rëndësi fare se çfarë di ambasadorja lidhur me Tom Doshin. Unë jam qytetar i këtij vendi, dhe dua të di se ç’mendojnë institucionet e këtushme. Unë dua ta marr vesh prej tyre që Toma është anti-amerikan, spiun ndërkombëtar, vrasës, pedofil, apo ku di unë se çfarë tjetër. Dhe deri tani, ato nuk janë shprehur.

Por mund të dalë ndonjëri e mund të më thotë: “Po sikur ato që di ambasadorja të jenë të vërteta?”

Përgjigja ime në këtë rast është fare e thjeshtë: “E pastaj?” Ka shumë njerëz në Shqipëri që thonë gjëra të drejta e të vërteta. Madje, më të drejta e më të vërteta sesa ato të ambasadores amerikane.

Por askujt nuk i ka shkuar në mendje t’i shndërrojë ato në vendime Sepse në një vend normal, vendimet merren prej institucioneve kushtetuese, jo prej atyre që dinë apo thonë të vërteta. Dhe ambasadorja amerikane, me sa di unë, nuk është një institucion kushtetues.

Ndoshta do të ishte e udhës që ta përfshinim edhe Ambasadën Amerikane në Kushtetutë, të shtonim një kapitull të veçantë, poshtë kapitullit të Gjykatës së Lartë, dhe në të, të bëheshin të qarta disa funksione të caktuara publike të saj. Fjala vjen, të thuhej se “kur institucionet e tjera publike nuk veprojnë, atëherë është e drejta e Ambasadës Amerikane ta ndajë shapin nga sheqeri. Vendimi i saj është i paapelueshëm në ndonjë instancë të planetit Tokë.” Në fund të saktësohej se ambasadori amerikan nuk preket prej detyrimit për transparencë e llogaridhënie, pasi atë nuk e zgjedh populli shqiptar. Dhe nuk e paguajnë taksapaguesit shqiptarë.
Ndoshta do bija dakord edhe unë që ta bënim këtë amendament kushtetues. Por sa kohë që kjo nuk ka ndodhur, atëherë është mirë të përpiqemi të forcojmë institucionet tona.

Unë e di që kjo që sapo thashë nuk ngroh askënd. Sepse ne jemi në një rreth vicioz: “Institucionet tona, ngaqë janë të dobëta e të trembura, nuk veprojnë kundër të paudhëve, të cilët bash për këtë shkak ndihen më të lirë për të vijuar me paudhësi të tjera, e kjo gjë i dobëson dhe i frikëson edhe më shumë institucionet tona; dhe e shndërron paudhësinë në një stil të preferuar jetese për të gjithë”. Por ideja se institucionet e dobëta e të trembura duhen zëvendësuar, apo rivalizuar nga ca ambasadorë të huaj “të vullnetit të mirë, që dinë ca të vërteta”, nuk më bind. Nuk është zgjidhje. Është e padrejtë. Është fyese.

Një saktësim të fundit. Ambasadorja amerikane nuk e ka uzurpuar funksionin që luan në jetën publike shqiptare. Ajo e ka dhuratë prej politikës shqiptare, por edhe prej mass-medias në përgjithësi, këtë funksion. E duhet thënë se shpeshherë i ka shërbyer interesit publik në Shqipëri. Në ndonjë rast, ndërhyrja e saj ka qenë vendimtare, siç ishte fjala vjen rrethana, në të cilën ajo i detyroi palët të merreshin vesh mbi ndryshimet në kodin zgjedhor. Pa të, ato negociata do të dështonin. Kjo është e sigurt si një e një që bëjnë dy. Por unë jam në mes të një disonance kognitive që ma prish kararin, e që më jep një sëkëlldi të madhe. Nga njëra anë, për një interes praktik, nuk mund të mos i gëzohem këtij roli “providencial” të ambasadores amerikane, nga ana tjetër është po protagonizmi i saj që më bën të më duket vendi im, edhe vetja sigurisht, pa pikë vlere.

Protagonizmi i saj më jep një ndjesi nëpërkëmbje e poshtërimi që rrallë e përjetoj në rrethana të tjera. Kjo është më e theksuar kur e shoh ambasadoren të dalë e të na tregojë se ç’duhet të bëjmë me dikë, pa na thënë se çfarë di saktësisht për të. Kjo është e gabuar. Nuk duhet ta bëjë këtë gjë. Ajo e ka përcjellë mesazhin që në momentin që Tom Doshin e ka shpallur non grata. Pas kësaj, roli i saj quhet i kryer.

Ah, fare mirë mund t’u kërkojë një takim edhe krerëve të institucioneve e të partive, për t’u thënë se kush është Tom Doshi, për t’u dhënë edhe dokumente që provojnë se Tom Doshi është ai që është, por më shumë sesa kaq nuk mund të bëjë. Nuk duhet të bëjë. Nuk është punë e saj.

Më i qartë se kaq nuk mund të isha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN