MENU
klinika

Triumfi i zi

Shkrimtarja “e purpurt” feministe

09.02.2021 - 15:02

       Alice Walker, ndoshta është shkrimtarja dhe aktivistja e njohur më së miri, si autorja e bestsellerit “Ngjyra e purpurt”, njëherazi e më shumë se 30 librave dhe koleksioneve të tjera poetike. Njihet gjithashtu për zbulimin e shkrimtares Zora Neale Hurston, apo përkrahjen e lëvizjes së grave në aktivitete të ndryshme. Fitoi çmimin “Pulitzer” në 1983 dhe çmimin “National Book” në 1984./Konica.al

“Derisa gratë të mos ngrenë zërin, të zënë vendin që u takon, nuk mendoj se do të ndryshojmë shumë. Mençuria që vjen nga gratë afrikane, gratë arabe, gratë indigjene, gratë aziatike, të gjitha këto gra përbëjnë mbi gjysmën e planetit… Mjafton pesë minuta për t’i pyetur [ato gra] se çfarë mendojnë”.

Poetja, eseistja dhe romancierja Alice Walker lindi në 9 shkurt 1944, në Eatonton, Georgia. Sipas “Los Angeles Times”, ajo është një nga shkrimtaret më të shitura të letërsisë artistike në vend. Walker është mbrojtëse e feminizmit dhe një zë i fuqishëm në përkrahje të të drejtave të njeriut, duke fituar vlerësime si nga kritika, ashtu edhe nga publiku si romanciere dhe intelektuale e madhe amerikane. Reputacioni letrar u sigurua me romanin e tretë: “Ngjyra e purpurt” (1982), fitues i çmimit “Pulitzer”, të cilin Steven Spielberg e përshtati në një film mjaft popullor. Mes vlerësimeve të tjera përmendim çmimin “O. Henry”, çmimin “National Book”, apo nga shoqëritë “Fondacioni Guggenheim”, “MacDowell Colony”, “National Endowment for the Arts” dhe “Radcliffe Institute”.

Walker është përqendruar thellë në zbulimin e eksperiencave të grave zezake. Thadious M. Davis, në esenë “Fjalor i biografisë letrare”, komentoi: “Walker shkruan më së miri për dramën shoqërore dhe personale në jetën e njerëzve të njohur, që luftojnë për mbijetesën e tyre në mjedise armiqësore. Ajo shpreh një shqetësim të veçantë me eksplorimin e ndrydhjeve, papërgjegjshmërive, besnikërive dhe triumfit të grave zezake”./Konica.al

Ndër motivet kryesore janë edhe lulet, një nga motivet më të njohura në vargje, po edhe në prozë. Kritikë të shumtë vërejnë, se natyra është në thelb të romanit epistolar të Alice Walker “Ngjyra e purpurt” (1983), ku përshkrimi ose shkrimi për lule kërkon vëmendje të veçantë. Sidoqoftë, në vepër lulet janë përshkruar dhe shkruar për të përcjellë emocione të forta negative, si edhe ato pozitive. Përdorimi i luleve nga Walker shpreh gjallërinë e një ekzistence shpresëdhënëse, veçanërisht kur lulet e ndryshme, cituar në roman, trajtohen së bashku me ndryshimet sezonale që ndikojnë organikisht në atë larmi llojesh. Po ashtu, Walker i përdor lulet për të treguar ndryshimin e përjetuar nga personazhi kryesor, Seli. Në atë kuptim, lulet e Walkerit janë në bashkëjetesë e drejtpërdrejtë me personazhin kryesor, Seli.

Walker eksploron teoritë dhe praktikat e feministëve dhe feminizmit, duke përfshirë atë që ajo e quan traditë “feministe” të zezakeve.

Alice White Walker është shkrimtare e pavarur, me një dashuri të përjetshme për të panjohurën. Studioi letërsi angleze dhe klasike në Universitetin e Readingut. Ashtu si tregimet e shkurtra, gjashtë romanet e Walker-it nxjerrin në pah gjendjen shpirtërore të jetës afrikano-amerikane, sesa në marrëdhëniet midis zezakëve dhe të bardhëve. Libri i parë: “Jeta e tretë e Grange Copeland” (1970), trajton hidhërimin dhe shpengimin e një familjeje zezake rurale të bllokuar në një cikël shumë gjeneratash të dhunës dhe varësisë ekonomike. Walker imagjinon ardhjen në moshë të një aktivisti të ri për të drejtat civile në romanin “Meridian” (1976). Duke reflektuar mbi perspektivën unike dhe karrierën e saj letrare, Walker thotë: “Në jetën time përpiqem të kem vetëm një gjë, pra trillimi është një vetëdije dhe çiltërsi ndaj misterit, gjë që, për mua, është më i thellë se çdo politikë, racë ose vendndodhje gjeografike”. Me elemente nga përrallat e spiritualiteti, hulumtimin e gjinisë femërore, realizëm letrar dhe grotesk, shkrimi i Walkerit mishëron një peizazh mirëfilli të bollshëm kulturor./Konica.al

Në vitin 2001, Walker u rendit në “Georgia Writers Hall of Fame” në Georgia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN